E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen 101 kg marijuanë në Gjirokastër

Policia Kufitare e Gjirokastrës ka sekuestruar një sasi prej 101 kilogramësh lëndë narkotike të llojit marijuanë, e cila synohej të trafikohej në vendin fqinj, Greqi.

Ndërkohë që ka arritur që t’i shpëtojë arrestimit personi i cili drejtonte mjetin, me të cilin transportohej droga. Sipas policisë së Gjirokastrës, droga u arrit që të bllokohej në aksin rrugor Vrisera-Llongo, në rrethin e Gjirokastrës. Nga kontrolli i kryer në automjetin tip “Nissan Micra” me targa TR 8710 L, u konstatuan 4 çanta të mëdha shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, ku secila pako varionte nga 5.5 kilogramë deri në 6 kilogramë.

Sipas hetuesve, është identifikuar personi i cili po transportonte këtë sasi droge dhe po punohet për kapjen e tij.

Ngjarja

Ditën e djeshme policia e Gjirokastrës ka parë një makinë “Nissan” e cila po lëvizte në aksin rrugor Vrisera-Llongo, në vendin e quajtur Kthesa e Çeceminës, në afërsi të fshatit Llongo të rrethit Gjirokastër. Policia ka filluar të ndjekë makinën me targa të Tiranës dhe i është afruar në distancë. Kur ka vënë re se policia ishte duke iu afruar, personi që drejtonte automjetin ka devijuar nga rruga duke u futur anës lumit në disa rrepishta. Më pas ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira dhe mjegulla që kishte anës lumit, është larguar me shpejtësi. Menjëherë policia ka filluar nga aksioni për ndalimin e tij. Janë njoftuar menjëherë forcat e tjera të Stacionit të Policisë Kakavijë dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës për të kapur drejtuesin e mjetit tip “Nissan”. Nga kontrolli që iu bë mjetit në brendësi të tij u konstatuan 4 çanta të mëdha shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, ku secila pako varionte nga 5.5 kilogramë deri në 6 kilogramë.

Hetimet

Pas sekuestrimit të drogës u ngrit menjëherë një grup pune, për të zbardhur këtë vepër penale. Ata rrethuan vendin në të cilin ndodhej makina dhe filluan nga puna për të marrë të dhënat, për të arritur në zbulimin e personit që drejtonte këtë makinë. Sipas hetuesve, është arritur që të zbulohet shoferi i makinës tip “Nissan” me targa TR 8710 L dhe policia ka nisur nga puna për arrestimin e tij dhe vënien përpara drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›