E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtypet me dhunë revolta në burg

Është shtypur me forcë revolta e të burgosurve të seksionit të sigurisë së lartë në burgun e Fushë-Krujës. Të udhëhequr nga i dënuari me burgim të përjetshëm Gazmend Brraka, një grup të burgosurish kanë reaguar ndaj mënyrës së trajtimit. Forca speciale të policisë, të mbërritura nga Tirana, kanë shtypur revoltën e nisur dje në mëngjes në seksionin e sigurisë së lartë në këtë burg, i klasifikuar si burg i sigurisë së zakonshme. Katër muaj pas çeljes së këtij seksioni, që u konsiderua nga drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si një institucion integrimi dhe jo ndëshkimi, të burgosurit janë rebeluar. Ndërsa brenda perimetrit të burgut kanë vepruar Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë, jashtë mureve të burgut dhe në qytetin e Fushë-Krujës policia lokale ka shtuar ndjeshëm patrullimet dhe numrin e forcave për të qenë në gatishmëri për çdo rast. Familjarë të "rebelëve", të cilët kanë qëndruar për orë të tëra jashtë dyerve të burgut, kanë treguar se të burgosurit keqtrajtohen në këtë institucion të vuajtjes së dënimit. Shpesh në formë ndëshkimi atyre nuk u serviret mëngjesi, apo nuk u lejohet të konsumojnë kohën e ajrimit. Kërkesat e disave prej tyre për të pasur atë ç‘ka u takon, jo rrallëherë kanë marrë si përgjigje të goditurat me shkopinj gome. Ky ishte interpretimi që familjarët i kanë bërë revoltës, duke u bazuar në ato çka njerëzit e tyre të dënuar u kanë treguar gjatë takimeve. Familjarët kanë nguruar të deklarohen me emra, duke pasur frikë se pasojat do t‘i vuajnë ata që ndodhen në qeli. Ndërkaq Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar se të burgosurit e sigurisë së lartë nuk janë pajtuar me ndryshimin e rregullave që ka të bëjë me mbylljen e sezonit veror dhe kjo i ka çuar në protestën që ka përfshirë vetëm një seksion të burgut të ri. Ndërkaq, sipas familjarëve që ndodhen jashtë dyerve të burgut, problemet për të burgosurit nuk kanë nisur këto ditë, po që në çastet e sistemimit në këtë burg. Pas ndërhyrjes së forcave speciale, të cilat kanë qenë të mirarmatosura dhe me skafandra, britmat kanë kapërcyer muret e qelive dhe janë dëgjuar në zonën përreth burgut të Fushë-Krujës. Deklarohet se rreth 25 të burgosur janë përfshirë në revoltë. E djeshmja ka qenë një ditë takimesh me familjarët dhe të burgosurit e kanë shfrytëzuar, në mënyrë që revolta e tyre të dëgjohet dhe të mos shuhet. Për familjarët e protestuesve, takimi ka qenë i pamundur në kushtet e krijuara, ndërsa për të burgosurit e nivelit të zakonshëm të sigurisë, takimet janë vonuar, por janë zhvilluar, ndonëse nën kontroll. E premtja ka nisur e zhurmshme në burgun e Fushë-Krujës. Ka nisur me goditjen e dyerve të qelive si formë kundërshtimi ndaj trajtimit që nuk është konsideruar i drejtë për të burgosurit e seksionit të sigurisë së lartë. Autoritetet e burgut, duke vënë re se rebelimi mund t‘u dilte jashtë kontrollit dhe të përfshinte edhe të burgosurit e seksionit tjetër, kanë njoftuar menjëherë eprorët e tyre dhe kërkuar ndërhyrjen e forcave të specializuara për t‘u ardhur në ndihmë gardianëve dhe vënë situatën nën kontroll dhe shmangur përhapjen e revoltës. Ndërhyrja e negociatorëve, të paktën nga jashtë, nuk duket se ka dhënë rezultat, duke bërë të nevojshme atë të forcave speciale.

Avokati i Popullit

"Të burgosurit kanë të drejtë"

Zyra e Avokatit të Popullit ka inspektuar dje ambientet e burgut të Fushë-Krujës. Komisionerë të Avokatit të Popullit i quajnë me vend pretendimet e të burgosurve, duke cilësuar çnjerëzore trajtimin e të burgosurve të detyruar të qëndrojnë 22 orë në qeli dhe vetëm dy orë jashtë. Avokati i Popullit rekomandon që kjo mënyrë të trajtuari të ndryshojë menjëherë.

Zanafilla

Në ndihmë të Gaxhait, edhe vrasësi i Arben Zylyftarit

Rrëmuja nisi nga qelia e Gazmend Brrakës

Gjithçka ka nisur me mbylljen e dyerve të qelive prej disa ditësh. Ndryshimi i kushteve atmosferike, ulja e temperaturave, ka sjellë një tjetër regjim në burgun e Fushë-Krujës. Ndryshimi i mënyrës së ajrosjes ka hasur në rezistencën e të ashtuquajturve kapo të të burgosurve. Burimet nga burgu tregojnë se zallamahia nisi nga qelia e Gazmend Brrakës, i njohur ndryshe me emrin Gaxhai. Në mbështetje të tij ka qenë shoku i burgut, Admir Tafili, vrasësi i shefit të policisë Arben Zylyftarit. Më pas, të tjerë të burgosur i janë bashkuar protestës së tyre. Ndërhyrja e shpejtë policore i ka dhënë fund rebelimit të Gaxhait me shokë, duke kthyer normalitetin brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, ndonëse nën masa më të larta sigurie. Në seksionin e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës vuajnë dënimin shumë emra të njohur të botës së krimit, të dënuar për vepra të rënda penale, duke nisur nga vrasjet, përdhunimet, trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike etj. Gaxhai është vetëm njëri prej të dënuarve VIP të këtij seksioni. Admir Tafili u transferua nga burgu i Burrelit si i dënuar problematik në fund të qershorit të këtij viti, pak pas vënies në funksionim të këtij burgu me kërkesën e bërë nga drejtuesit e burgut ku vuante dënimin. Ai ndan qelinë me të vëllain, Gencin. Ngjitur me ta është Federik Durdës dhe Pashk Lleshit, një prej të arratisurve të Burrelit. Sipas burimeve nga burgu, këtu janë dhe të tjerë autorë krimesh të rënda, si Lavdërim Tufa, Arben Shehaj etj.

Institucioni për vuajtjen e dënimeve penale në Fushë-Krujë klasifikohet si burg i sigurisë së zakonshme me seksion për sigurinë e lartë për të burgosurit që vijnë nga rrethet e Krujës, Kurbinit dhe Durrësit. Ky burg ka një kapacitet prej 350 personash.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›