E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosën bashkëfshatarët, lihen të lirë të sqarohen

Një sherr që përfundoi me përdorimin e sëpatave dhe me dy të plagosur rëndë është konsideruar nga policia e Skraparit si një debat i lehtë. Bëhet fjalë për ngjarjen që ndodhi dy ditë më parë në fshatin e largët Gurazez të Skraparit, ku dy anëtarë të familjes Hysi u plagosën me mjete të forta nga dy anëtarë të familjes Ahmeti. Pak minuta pasi Ahmetët kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e kundërshtarëve, të afërmit e të dëmtuarve kanë njoftuar me telefon policinë e Skraparit për çfarë po ndodhte. Por asnjë këmbë polici nuk është dukur në vendin e ngjarjes, jo vetëm ditën kur ndodhi sherri, por as dje. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bëjnë të ditur se ngjarja do të analizohet nga kjo drejtori pasi të ketë dalë një konkluzion nga ekspertiza e mjekut ligjor. Ndërsa siç pohon vetë drejtori i Policisë së Qarkut, Bernard Caushaj, autorët janë thirrur në polici dhe po hetohen në gjendje të lirë. Edhe nga Komisariati i Policisë në Çorovodë konfirmohet se dy personat e akuzuar nga familja Hysi për plagosje janë thirrur në polici. Edlian Ahmeti 35 vjeç dhe Xhafer Ahmeti 40 vjeç janë paraqitur në Komisariatin e Çorovodës dhe e kanë pranuar se kanë bërë sherr me bashkëfshatarët, të cilët i kanë edhe kushërinj. Por ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë.

Ndërkohë, Flamur Hysi ndodhet ende në spitalin rajonal të Beratit duke u kuruar. Mjekët thonë se ai ka filluar të shfaqë probleme të kujtesës dhe të tjera çrregullime mendore, që mund t‘u jenë shkaktuar nga goditjet me mjete të forta. Bashkëshortja e tij, Demire Hysi, kërkon që autorët e dhunës të vihen para drejtësisë. Ajo thotë se nuk mund ta pranojë indiferentizmin e organeve të policisë për dhunimin që i është bërë banesës së saj, megjithëse ende jeton me ankthin e frikës, pasi sulmuesit janë ende të lirë.

Në këtë ngjarje, që ndodhi të mërkurën në fshatin Gurazez të Skraparit, mbeti i plagosur edhe djali i Flamur dhe Demire Hysit, i cili humbi njërin vesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›