E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtypi: 9 muaj pas pavarësisë, BE akoma po vendnumëron në Kosovë

Prishtinë-Me qëndrimin e butë ndaj Beogradit Evropa po hyn në një rrugë pa krye në Kosovë, konstaton sot shtypi gjermanofon, duke komentuar zhvillimet më të fundit rreth vendosjes së misionit EULEX. Nëntë muaj pas pavarësisë Bashkimi Evropian akoma po vendnumëron në Kosovë. Me ndihmën e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, Serbia po rrezikon dështimin e misionit EULEX, i cili në Kosovë ndodhët në fazën e ndërtimit të vet, konstatojnë mediat gjermane.

Me dinakëri e dhelpëri politike Serbia ia ka dalë të vendosë pyka midis Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, konstaton gazeta Shafhauzner Nachrichten, në një artikull të botuar sot, që i kushtohet zhvillimeve rreth vendosjes së EULEX-it në Kosovë. Pak para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit presidenti serb Boris Tadiç i ka vendosur tri kushte OKB-së, me të cilat misioni EULEX që në Kosovë ndodhet në ndërtim e sipër, vartësohet nga Beogradi.

Gazeta citon shefin e politikës evropiane Havier Solana të ketë thënë se me këtë veprim është vënë seriozisht në pyetje fillimi i punës së këtij misioni në Kosovë.

Presidenti Tadiç ka kërkuar që EULEX të jetë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, të jetë neutral ndaj statusit dhe së treti që BE të hedhë poshtë planin e Ahtisaarit.

Gazeta shkruan se nëse BE pranon planin e Serbisë, atëherë kjo do të thoshte se Brukseli praktikisht po revidon politikën e vet ndaj Kosovës. Brukseli, shkruan gazeta, po tregohet i përmbajtur nga frika se kërcënimi i Serbisë me rrezikun e integrimit evropian nuk do të ishte armë inteligjente. Me një veprim të tillë BE mendon se mund të rrezikonte politikën e vetë ndaj Ballkanit, ndërsa do ta forconte politikën ruse në rajon.

Gazeta shkruan se pozita e liderëve kosovarë, veçanërisht e kryeministrit Thaçi, tani është mjaftë e vështirë për shkak të presioneve nga BE në njërën anë dhe nga popullata e Kosovës në anën tjetër.
Politikanët kosovarë për shkak të dobësimit të politikës evropiane ndaj Kosovës parimisht besimin e tyre e kanë orientuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konstaton Shafhauzner Nachriten.

Ndërkaq, agjencia AFP transmeton refuzimin e liderëve kosovarë kundër marrëveshjes midis BE dhe Serbisë. Agjencia transmeton fjalët e presidenti Sejdiu se Kosova është vend i pavarur dhe nuk mund të pranojë të tilla marrëveshje. RTK

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›