Shtypi britanik: Gedafi gati të ikë
Shtypi britanik shkruan se lideri libian, Muamar Gedafi është gati të lërë pushtetin dhe të largohet nga Libia. Sipas Daily Telegraph, Gedafi është dakort të largohet menjëherë nga vendi nëse pushteti i kalohet djalit të tij, Seif al Islam. Po sipas mediave britanike, edhe Franca, e cila u vendos në krye të sulmeve ndaj kolonelit, është shprehur e gatshme të lejojë Gedafin të largohet nga Libia dhe të anulojë mandat-arrestin ndërkombëtar që është nxjerrë për të. Më herët edhe një gazetë ruse, duke cituar zyrtarë të nivelit të lartë, ka raportuar së fundmi se lideri libian, Muammar Gaddafi, është i gatshëm të largohet nga pushteti në këmbim të garancive të sigurisë.Raporti i publikuar në të përditshmen prestigjioze “Kommersant”, i cili nuk identifikon burimin, erdhi vetëm një ditë pas kërkimit të një mënyre për përfundimin e luftës në Libi, nëpërmjet bisedimeve të dominuara nga Rusia me shefin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe presidentin e Afrikës së Jugut, Jacob Zuma. “Koloneli Gaddafi po dërgon sinjale se është i gatshëm që të tërhiqet nga pushteti në këmbim me garancitë e sigurisë”, raportoi “Kommersant”, duke cituar burime mirë të informuara pranë lidershipit rus. Burimi bëri të ditur në raport se shtetet e tjera, në mesin e të cilave edhe Franca, ishin të gatshme të ofrojnë këto garanci.
Shkrimi i “Kommersant” po ashtu bën të ditur se Gaddafi ka kërkuar që djalit të tij, Saif al-Islam, t`i lejohet të kandidojë në zgjedhje në rast se ai jep dorëheqjen, një kusht ky të cilin rebelët mund të mos e pranojnë. Qeveria libiane ka njoftuar të hënën se është duke zhvilluar bisedime me figura opozitare. Saif al-Islam ka thënë për një gazetë franceze se nuk bëhet fjalë për negocimin e përfundimit të sundimit 42-vjeçar të babait të tij, ndërsa Këshilli i Përkohshëm Kombëtar rebel është kundërpërgjigjur me deklaratën se Gaddafi mund të qëndrojë në Libi vetëm në rast se ia dorëzon të gjitha kompetencat e mundshme.