Shtypi gjerman: Këmbimi i territoreve mund të ofrohet si zgjidhje e konfliktit Kosovë-Serbi
Një gazetar i “Neue Zurcher Zeitung”, beson se më shumë është e nevojshme të arrihet një marrëveshje për një zgjidhje afatgjate, sesa një që do ta detyronte Serbinë të tërheqë barrikadat e rrugëve në veriun e Kosovës
Andreas Ernst, një gazetar i “Neue Zurcher Zeitung”, beson se më shumë është e nevojshme të arrihet një marrëveshje për një zgjidhje afatgjatë, sesa një që do ta detyronte Serbinë të tërheqë barrikadat e rrugëve në veriun e Kosovës. Marrëveshja ishte ndërmjetësuar të mërkurën nga NATO-ja, në përpjekje për t’i dhënë fund një jave me përplasje dhe tensione të shtuara. Rihapja e pikave kufitare do të lejojë hyrjen e mallrave ushqimore dhe humanitare nga Serbia. Paqeruajtësit e NATO-s do t’i mbrojnë pikat kufitare deri në mes të shtatorit. “Konflikti kufitar në realitet është një grindje territoriale. Për shumicën e popullatës së Kosovës, që është shqipfolëse, 90 për qind prej të cilëve jetojnë në pjesën jugore të vendit, në parim konflikti është i zgjidhur. Por ndryshe mendon dhjetë për qind e atyre në këndin verior. Aty 97 për qind e popullatës janë serbë, ndihen serbë dhe e shikojnë këtë rajon si pjesë të Serbisë. Duke u përgjigjur në pyetjen se a ka bashkësia ndërkombëtare një zgjidhje në dorë, Ernst përgjigjet: “Jo, sepse është e ndarë në këtë çështje. Brenda Bashkimit Evropian 22 vende e kanë njohur Kosovën, por jo edhe pesë vende të tjera. Pra, nuk ka një qëndrim unik të BE-së. Dhe meqë jo të gjitha shtetet e NATO-s e kanë njohur Kosovën, e njëjta gjë është edhe për aleancën ushtarake, e cila ka shumicën e trupave në Kosovë.
Dhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe Kina kundërshtojnë pavarësinë. Prej 192 shteteve anëtare të OKB-së, vetëm 75 e kanë njohur Kosovën”. Ndërkaq duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse kjo zonë do t’i jepej Serbisë, dhe në shkëmbim Serbia t’ia jepte Kosovës kontrollin e një zone tjetër, Ernste thotë se një mundësi do të ishte kompromisi territorial, ku ky kënd verior do t’i jepej Serbisë – ose nga perspektiva serbe të mbetej serbe, dhe në shkëmbim Kosova të merrte dy ose tri fshatra në jug të Serbisë, që shtrihen direkt në kufirin e Kosovës. “Kjo zgjidhje, që në mënyrë private favorizohet nga shumë serbë e shqiptarë, është kundërthënëse në bashkësinë ndërkombëtare për shkak të frikës se ndarja përgjatë vijave etnike do të vazhdonte në mbarë Ballkanin. Por, unë mendoj se është një ekzagjerim, sepse ndarjet etnike ndodhën me pavarësinë e Kosovës, ku shqiptarët përbëjnë 90 për qind të popullsisë. Tani duhet të rinisin bisedimet dhe të gjendet një zgjidhje kompromisi. Kjo po ashtu është në interes të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, e cila ndodhet në një vakuum për shkak se nuk është e njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë. Një zgjidhje duhet të rezultojë me njohjen e njëra-tjetrës. Qëllimi i çdo marrëveshjeje duhet të jetë edhe në bërjen e Kosovës shtet funksional. Por çështja e doganave largon vëmendjen prej problemeve reale të Kosovës: ekonomisë, korrupsionit dhe prej pasjes një qeverie të përgjegjshme”.
I pyetur se a do të mbijetojë Kosova, analisti zviceran tha se Kosova tashti është shtet i braktisur, i cili duhet vendosur në themele solide. “Për mendimin tim, duhet të ketë një marrëveshje paqësore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kjo do të ishte edhe në interesin më të mirë të Serbisë. Të gjithë njerëzit e arsyeshëm në Beograd e dinë se Kosova është një entitet i humbur. Prandaj, mendoj se kemi të bëjmë me gjetjen e një zgjidhjeje për ta shpëtuar fytyrën. Pjesë e kësaj do të mund të ishte shkëmbimi i këndit verior. Kjo do të zgjidhte një problem të madh të integrimit për Prishtinën. Është shumë më lehtë për të gjetur një zgjidhje për këtë problem sesa në konfliktin ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, sepse të dyja palët (Kosova e Serbia) duan të njëjtën gjë: të jenë pjesë e një Evrope të bashkuar”.