E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: “Kam hallet e mia, s’pyes për statusin e Shqipërisë”

08-08-2011 / Gazeta 55

Edvini ka shumë probleme me protestat e përplasjet e brendshme në parti, saqë s’ka ndërmend të investohet në një marrëveshje të gjerë që do të mundësojë miratimin e një sërë ligjeve në parlament gjatë tetorit dhe marrjes së statusit të kandidatit për në BE. Duke e përdorur për të disatën herë, Rama ka urdhëruar dje Pandeli Majkon të deklarojë se deri me 5 nëntor, kur mbahet kongresi, s’do të ketë asnjë miratim projekti në parlament, edhe nëse kjo do të sillte bllokimin e statusit të kandidatit

Axhenda politike e Edi Ramës në veçanti, po demonstron se për atë vetë, pjesa më e rëndësishme është forcimi i pozitave të tij në parti, të lëkundura ndjeshëm pas humbjes së zgjedhjeve të radhës. Kjo axhendë e Edi Ramës, njëherazi kushtëzon edhe axhendën e gjithë opozitës në përgjithësi, e cila nuk shkon më larg se në funksion dhe vetëm të bllokimit të marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë.
Ndërsa axhenda e Edi Ramës dukshëm bie në sy, nga “heshtja” që ai ka zgjedhur si “aksion” e si “alternativë” politike, e njëjta gjë konfirmohet edhe nga Pandeli Majko, kamikazi i radhës i Edi Ramës, i përzgjedhur për këtë sezon të nxehtë vere, të jetë një ditë “po”, një ditë “jo”, e një ditë “ndoshta”, nëpër ekranet televizive. Sigurisht, misioni i shfaqjes së Pandeli Majkos, me kaq dendësi nëpër media, lidhet edhe amplifikimin që i bën “axhendës” së Edi Ramës, për sa i përket pjesës së “zgjidhjes së problemeve të brendshme” në kongresin e 5 nëntorit. Njëheraz, Pandeli Majko konfirmon se deri në 5 nëntor, PS-ja nuk do të behte pjesë e reformave të rëndësohem për integrimin e Shqipërisë, datë në të cilën, sipas tellallit të radhës të zgjedhur nga Edi Rama, do të merret vendimi për “qëndrimin politik”.
Me pak fjalë, deri në 5 nëntor 2011 nuk do të kemi asnjë “qëndrim politik” të PS-së.
Përkundër kësaj, do të kemi angazhimin e Edi Ramës, për të sfumuar e përjashtuar zërat kundër nga brenda PS-së. Për këtë paralajmërimin e ka dhënë, nëpërmjet një e-maili të bërë publik, drejtuar të zgjedhurve vendorë, ku ju bënte të ditur vendimin për përjashtimin e Kastriot Islamit dhe Andis Harasanit.
Po opozita, çfarë do të bëjë deri në 5 nëntor....?!
Asgjë...!
Deputetët e PS-së, për fatin e tyre të mirë, do të lejohen të shkojnë në Kuvend dhe për pasojë të përfitojnë pagën mujore, të cilën ua ka privuar Edi Rama, me detyrimin për bojkot. Ata do të lejohen dhe do të jenë aty thjesht dhe vetëm “copa mishi me dy sy”. Sepse..., sepse..., pa zgjidhur problemet e veta brenda partisë Edi Rama dhe për më tepër, pa marrë ende një vendim për një “qëndrim politik” (sepse 5 nëntori është ende larg), deputetët e PS-së, do të vegjetojnë në sallën e Kuvendit. Më e shumta që do të bëjnë, do të jetë zhurmnaja për titujt që vetë Edi Rama do të vendosë në gazetat e kontrolluara prej tij.
Natyrshëm, nuk kanë çfarë të bëjnë më shumë, sikurse në më se dy vjet, nuk kanë mundur gjithashtu të bëjnë asgjë, sepse..., sepse..., nuk kanë pasur një “qëndrim politik” të kristalizuar, si ai që pritet të vendosë kongresi i 5 nëntorit të këtij viti.
Nga ana tjetër, në kushtet e mungesës së “qëndrimit politik”, deputetët e PS-së, do e shfrytëzojnë periudhën e vegjetimit në sallën e Kuvendit, për të mos u bërë pjesë e reformës zgjedhore, por edhe për të mos u bërë pjesë e zgjidhjes së 12 pikave, të vendosura si kusht, për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Për këto edhe të duan, ata nuk mund të sillen dot ndryshe, sepse, në kushte kur ende nuk kanë një “qëndrim politik” të kristalizuar, nuk dinë se si duhet të sillen e të mbajnë qëndrim, jo vetëm për reformën zgjedhore, por edhe për 12 pikat e vendosur si kusht për integrimin.
Të shkretët deputetët të PS-së...
Deri sa Edi Rama të bindet se pozitat e tij në krye të PS-së nuk janë lëkundur, deputetët e PS-së, si papagaj, do të vazhdojnë të mbyten në lugën me ujë të “argumenteve” për “ndryshimet kushtetuese” dhe “zgjedhjen e presidentit”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›