Kriza ekonomike në Greqi/Biznesi: Emigrantët të sjellin paratë në Shqipëri, bllokada e Athinës, e padrejtë
Shoqatat e biznesit reaguan dje ndaj tentativave të autoriteteve greke për të ndaluar dërgimin e të ardhurave dhe kapitaleve të emigrantëve shqiptarë në atdhe. Përmes një deklarate për shtyp, biznesi shprehet se “këto përpjekje janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe gjithë marrëveshjeve ndërkombëtare”. “Në të njëjtën kohë, e vërteta e plotë e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet të dy vendeve flasin në humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë”- thuhet në reagimin e Biznesit. “Nëse masa kryesore e të hyrave financiare nga Greqia në drejtim të Shqipërisë përfaqësohen nga remitancat e të punësuarve shqiptare, në drejtim të shtetit fqinj shkojnë shuma të mëdha në formën e dividentit të bizneseve greke në vendin tonë si dhe kapitale financiare me vlerë prej qindra milion euro të përvitshme, që shkojnë në mbulimin e importeve të larta të Shqipërisë. Sipas vlerësimeve të përafërta del, që vetëm fitimet e siguruara në Shqipëri dhe të transferuara në drejtim të Greqisë e tejkalojnë ndjeshëm masën e përgjithshme të remitancave të emigrantëve shqiptare, që hyjnë në Shqipëri. Janë norma fitimi të siguruara në tregje strategjike si, telekomunikacionet, sistemi bankar, nafta dhe nënprodhimet e saj, çimento si dhe prodhime të industrisë agro-ushqimore”- vijon reagimi i Shoqatës së Biznesit, në mbrojtje të remitancave të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Vendi fqinj, prej dy vitesh vuan efektet e një krize të rëndë ekonomike, e cila ka pllakosur thuajse të gjithë sektorët kryesorë ekonomikë. Gjendja e Greqisë, është aq alarmante sa shpallja e falimentit duket se është bërë e pashmangshme.
...