E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet Arbën Xhaferi, Kadare dhe Agolli: Iku kur kishim nevojë për të

Është ndarë dje nga jeta një ndër politikanët, mendimtarët dhe filozofët më të zëshëm në trevat shqiptare, Arbën Xhaferi. 64-vjeçari Xhaferi nuk arriti ti rezistonte sëmundjes, dhe hemorragjisë cerebrale, e cila e la në koma gjatë javës së fundit. Mjekët maqedonas konfirmuan ndarjen nga jeta të politikanit shqiptar, në orën 15:35.

Ata theksuan se, pavarësisht mjekimit, nuk ia kishin dalë të zgjonin dot Xhaferin. Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare ra në gjendje kome mbrëmjen e 8 gushtit në banesën e tij në Tetovë. Ai u shtrua në klinikën neurokirurgjike të Shkupit. Mjekët gjatë këtyre shtatë ditëve arritën ta mbanin në jetë, por në gjendje koma të thellë, me anë të frymëmarrjes artificiale. Zemra e politikanit të madh shqiptar pushoi dje, duke shuar edhe shpresat për një rijetësim të tij. Mjeku kujdestar u tha mediave se kishin bërë të gjitha përpjekjet për të shpëtuar jetën e zotit Xhaferi. I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja, tha mjeku Sllobodan Damjanosk. Xhaferi prej kohësh vuante nga sëmundja e parkinsonit dhe vitet e fundit gjendja e tij ishte rënduar, por ai gjente fuqi për të këshilluar bashkëpunëtorët partiakë dhe për të paraqitur opinionet përmes shkrimeve në gazeta. Ishte pikërisht kjo situatë shëndetësore e cila e detyroi atë që në vitin 2007, pas 12 vjetësh udhëheqjeje të partisë më të madhe opozitare, të lërë drejtimin e partisë në duart e kryetarit aktual të PDSH-së, Menduh Thaçi. Zëdhënësi i PDSH, Agon Ferati, pas publikimit të lajmit, theksoi edhe detajet e ceremonisë mortore. Ferati tha se ceremonia mortore për Arbën Xhaferin pritet të zhvillohet nesër (sot). Me rastin e vdekjes së Arbën Xhaferit, në orën 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet mbledhja komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në orën 13:30 për në varrezat e qytetit të Tetovës. Arbën Xhaferri njihet si ndër të paktët rilindës të çështjes shqiptare pas viteve 1990. Ai është krijuesi dhe udhëheqësi i PDSh që nga viti 1994 e deri në vitin 2007. Xhaferi njihet si mbrojtësi më i shquar i çështjes shqiptare. Politikani i madh ishte firmëtari i Marrëveshjes së Ohrit, si dhe kritik i moszbatimit të saj. Në analizat e tij, ai synonte një tjetër pakt mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Pas tërheqjes nga politika aktive, Xhaferi u mor me publicistikë. Autor i shumë eseve, opinioneve dhe intervistave, Xhaferi mund të thuhet se ishte një ndër të paktët shqiptarë që jetoi, mendoni dhe veproi maksimalisht për çështjen shqiptare. E sigurt është që njerëz të tillë, pavarësisht polemikave apo ideve të pakuptuara, do i mungojnë dhe po i pakësohen shumë kombit shqiptar.

DRITËRO AGOLLI: DUKET SIKUR KA SHKRUAR ME SHËRBIM…

Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, u shpreh dje me pikëllim për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit. Sipas tij, Xhaferi është ndarë vetëm fizikisht nga jeta, sepse vepra dhe personaliteti i tij do të mbeten të gjalla te çdo shqiptar. Unë me pikëllim e prita vdekjen e Arbën Xhaferit, por njerëzit si Arbën Xhaferi vdesin vetëm fizikisht. Ata mbeten të gjallë mes nesh. Na duket sikur kanë shkuar me shërbim dhe do të kthehen përsëri. Në kujtesën tonë mbetet i gjallë Arbën Xhaferi me veprën e tij të shquar shoqërore, politike, kulturore dhe në fusha të tjera të jetës. Ai ishte një njeri fisnik me një urtësi të rrallë, por edhe me një vullnet të fortë dhe ajo sëmundje nuk e mposhti dot deri në fund mendjen e tij. Me këtë rast unë e ngushëlloj familjen, shokët e tij, miqtë dhe të gjithë të dashurit e tij në Maqedoni, por edhe për shqiptarët e shtetit amë, u shpreh mbrëmë Agolli.

ISMAIL KADARE: IKU KUR KISHIM MË SHUMË NEVOJË PËR TË

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, e cilëson Arbën Xhaferin si një nga mendjet më të gjera dhe më të guximshme të hapësirës shqiptare. Duke dhënë ngushëllimet e tij dhe duke vlerësuar personalitetin dhe kontributin e Arbën Xhaferit, Kadare u shpreh se ikja e tij ndodhi në momentin që ishte më shumë se kurrë i domosdoshëm. Ndarja nga jeta e Arbën Xhaferit për Kadarenë do të jetë një humbje që do tu mungojë të gjithëve. Ishte një lajm tepër i hidhur. Një nga mendjet më të gjera më të guximshme e më të ndriçuara e la sot kombin shqiptar. Kam pasur fatin ta njoh, ta takoj e të këmbej mendime me të disa herë në rrethana dramatike. Siç ndodh shpesh, njerëz të tillë ikin atëherë kur janë më të nevojshëm se kurrë. Arbëni ishte i tillë, i domosdoshëm, pikërisht tani. Ndaj si rrallëkush do tu mungojë të gjithëve, tha për Panorama shkrimtari i njohur, Ismail Kadare.

(Një materila më të plotë e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›