Himara, Majko: Grekët ti referohen diplomacisë ruse
Deputeti socialist, dy herë ish-kryeministër, Pandeli Majko replikoi dje në distancë më deputetin ekstremist grek, Kristo Papa, i cili kërkoi dy ditë më parë në Himarë çlirimin dhe autonominë e saj nga Shqipëria.
Duke ofruar vlerësimin që diplomacia ruse, përmes faqes zyrtare të Ambasadës së Federatës ruse në Tiranë, Majko mbështet të dhënat historike që ofrohen aty ku himarjotët cilësohen shqiptarë. “Unë i besoj variantit zyrtar të diplomacisë ruse për marrëdhëniet me shqiptarët. Tek e fundit, vjen nga një diplomaci e një shteti me arkiv të vjetër dhe memorie historike…”, shprehet Majko në adresën e tij në rrjetin social Facebook. Sipas tij, në faqen zyrtare të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë mund të lexoni diçka autentike rreth Himarës. Në faqen “Kontaktet politike (http:// www.albania.mid.ru/ polit_kon_shqip.html) . “Kontaktet e para politike midis shqiptarëve dhe Rusisë datojnë në shekullin XVIII. Në mes të shekullit XVIII u vendosën lidhje politike midis Himarës dhe Rusisë. Në këshillin e Himarës, në tetor 1759, u vendos të pranohet protektorati i Rusisë dhe të dërgohen përfaqësues në oborrin rus për bisedime. Drejtuesit e bashkësisë himarjote përgatitën edhe një mesazh për Careshën Elisabeta Petrovna, ku shprehej gëzimi për fitoret e armëve ruse në luftën shtatëvjeçare dhe shpresa se së shpejti ‘këto armë fitimtare’ do i shpëtojnë popujt e shtypur ortodoksë të Ballkanit nga zgjedha otomane. Njëherit shprehej gatishmëria për të rreshtuar nën flamujt rusë 1-2 regjimente të himarjotëve ortodoksë. Bashkë me malësorët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, shqiptarët katolikë në veri të vendit i bënë me dije qeverisë së Carit se, në rast të një lufte ruso-turke, ata ‘mund t’i shkaktojnë armikut diversion të konsiderueshëm’, thuhet në arkivin e Ambasadës Ruse në Tiranë, ku tregohen kontaktet e para politike mes shqiptarëve dhe Federatës ruse. Përmes këtyre radhëve, Majko hedh poshtë pretendimet e deputetit ekstremist grek, Papa, i cili gjatë ceremonisë përkujtimore në Himarë u shpreh se “besoj se nuk do të vonojë koha që kjo copë e tokës greke do të bëhet, edhe nëse përkohësisht, autonome, pasi janë në fuqi vendimet e Protokollit të Korfuzit. Më pas të vijë edhe liria që kemi kërkuar”.
Deputeti grek: Himara tokë greke, do çlirohet
Në ceremoninë përkujtimore të Aristotel Gumës në Himarë, deputeti i partisë neonaziste “Agimi i Artë”, Kristo Papa, lëshoi thirrje antishqiptare. Ai ka shfrytëzuar këtë mundësi për të deklaruar se Himara është tokë greke dhe se Epiri është një. “Në shumë raste thonë që ky gjak duhet të jetë gjaku i fundit dhe urojmë që të jetë kështu, por kjo tokë, Himara, toka greke, ka treguar në shekuj të shekujve se ka gjithmonë heronj dhe gjithmonë jep djemtë e saj më të mirë, kurban për lirinë”, u shpreh deputeti grek përpara varrit të Aristotel Gumës. Sipas tij, Himara do të çlirohet nga grekët e zgjuar. “Mbi të gjitha jeni ju të parët, që jeni vendës e që jetoni këtu, që keni gjithë këtë presion të institucioneve shqiptare. Me ndihmën e grekëve të zgjuar, besoj se nuk do të vonojë koha që kjo copë e tokës greke do të bëhet, edhe nëse përkohësisht, autonome, pasi janë në fuqi vendimet e Protokollit të Korfuzit. Më pas të vijë edhe liria që kemi kërkuar”, është shprehur Papa para varrit të Aristotel Gumës.
PDIU: Kristo Papa të shpallet person “non grata”
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu dje shqetësim lidhur me deklaratat e deputetit ekstremist grek, Kristo Papa, të bëra në Himarë dy ditë më parë. Përmes një deklarate për shtyp, PDIU kërkon shpalljen person “non grata” të kujtdo që kërkon cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë. “Deklarata e deputetit neonazist grek, Kristo Papa, se Himara është tokë greke e shumë shpejt do të bashkohet me Greqinë, duhet të gjejë një reagim të fortë të shtetit shqiptar. Kristo Papa e kushdo tjetër që cenon parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke bërë thirrje kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë duhet të shpallen menjëherë person ‘non grata’”, thuhet në deklaratën e PDIU-së. Partia që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri, kërkon një reagim më të fortë nga autoritetet shqiptare ndaj këtyre deklaratave. “PDIU shpreh shqetësim për rritjen e shovinizmit grek të përfaqësuar tashmë në nivelet më të larta të shtetit fqinj e njëkohësisht apatinë e autoriteteve shqiptare për t’u vënë fre thirrjeve që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Këto deklarata shoviniste që kryhen brenda territorit shqiptar, tregojnë edhe një herë se Greqia nuk përqafon vlerat europiane, të cilat mëton të “përhapë në rajon”. Nga ana tjetër, është e pafalshme që Policia e Shtetit dhe autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit nuk kanë vepruar në mënyrë të menjëhershme, duke e ndaluar këtë provokator dhe duke e dëbuar nga Shqipëria”, thuhet në deklaratën e PDIU-së. Gjithashtu kjo parti i kërkon edhe shtetit grek të distancohet nga deklarata të tilla, që konsiderohen të papranueshme për kohën ku jetojmë dhe angazhim për zgjidhjen e çështjes çame. “PDIU proteston fuqishëm ndaj këtyre deklaratave të pavenda dhe i bën thirrje shtetit grek që të distancohet nga këto prirje të errëta të shekullit të kaluar, të cilat tashmë deklarohen nga anëtarë të Parlamentit grek. Greqia duhet të angazhohet seriozisht që të zgjidhë çështjen çame, duke kërkuar ndjesë për krimet e kryera dhe duke kompensuar pronarët legjitim shqiptarë. Në vend të kësaj, ne shohim nxitjen e oreksit ndaj territoreve shqiptare”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.