Liderët kosovarë ngushëllojnë familjen Xhaferi
Telegrame ngushëllimi për familjen dhe mbarë popullin shqiptar për vdekjen e publicistit dhe intelektualit të shquar shqiptar Arbën Xhaferri kanë ardhur edhe nga liderët shtetërorë të Kosovës.
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, përmes një telegrami ngushëllimi shkruan se “Vdekja e Arbën Xhaferrit do të lërë një boshllëk të madh jo vetëm për ju si familjarë dhe për bashkëpunëtorët e tij në subjektin politik që e themeloi dhe me të cilin qëndroi i lidhur gjithë këto vite, por edhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan qëndrimin e tij politik”.
Kryeministri Hashim Thaçi në ngushëllimin e tij për familjen shkruan se: “Arbën Xhaferri ishte profil i lartë i politikanit, mendimtarit dhe vizionarit që la gjurmë të ndritura dhe kontribut të çmuar në jetën politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë hapësirën shqiptare”.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi thekson nga ana tjetër se, “Arbën Xhaferri do të kujtohet për guximin, sakrificën dhe mprehtësinë intelektuale, me të cilën i dha mençuri politikës shqiptare në plan mbarëkombëtar”.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se Arbën Xhaferri do të mbahet mend përherë për veprën e madhe në shërbim të kombit”.