“Pretekstet e Edi Ramës për imunitetin, kur në fund të tunelit të integrimit po dukej drita”
Flet nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Turku
“Është e qartë se në propozimet e PS-së nuk qëndron pjekuria dhe dituria por qëllimi i mbrapshtë për të pasur në dorë çelësat e krizës që Rama pa sukses ka dashur ta përdorë sa herë ka menduar se i erdhi rasti. Nëpërmjet këtyre propozimeve të papranueshme, vetë drafti i heqjes se imuniteteve kurrë nuk do ta shihte dritën e miratimit në seance plenare”
Refuzimin e PS-së për mos votimin e heqjes së imunitetit, Ardian Turku e quan si pretekst “pikërisht kur në fund të tunelit të integrimit, për marrjen e statusit të vendit kandidat, drita filloi të dukej”.
Në një intervistë të posaçme për gazetën “55” deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Turku, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, analizon dhe shpjegon arsyet pse PS-ja nuk votoi me 6 gusht draft-ligjin e përbashkët për kufizimin e imunitetit.
Duke sjellë si shembull pengmbajtjen për dy vjet të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga PS-ja, pikërisht pse zgjedhja e tij kërkonte votim të cilësuar, Turku heq paralelizma edhe me tendencën më të fundit të Edi Ramës, për kushtëzimin e imunitetit me zgjedhjen e Kryeprokurorit dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese me votim të cilësuar.
Sipas Ardian Turkut, “në propozimet e PS-së nuk qëndron pjekuria dhe dituria por qëllimi i mbrapshtë për të pasur në dorë çelësat e krizës që Rama pa sukses ka dashur ta përdorë sa herë ka menduar se i erdhi rasti”.
Në këto kushte, për nënkryetarin e Parlamentit, referendumi mbetet e vetmja rrugë për heqjen e imunitetit.
Draft-ligji për kufizimin e imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë nuk u votua më 6 gusht për arsye tashmë të njohura. Opozita kërkon të “shtojë” amendamente të tjera për ndryshimin e Kushtetutës, kryesisht modifikime që kanë të bëjmë me votimin me shumice të cilësuar për Kryeprokurorin dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. A mendoni se këto “shtesa” të reja ishin motivet e vërteta që çuan PS-në në refuzimin e votimit?
Unë nuk do ti quaja “motivet”. Sepse nëse sheh me kujdes përgjatë tre viteve të shkuara, opozita ose ka ndërmarrë aksione ekstreme bashkëshoqëruar me kërkesa ultimative ose ka kërkuar bashkëpunim duke ofruar me “maturi a pjekuri”, me pamjen e atyre që “dinë ti bëjnë gjërat mirë” pjatën e pilafit brenda të cilit kanë hedhur gjysmë kile gozhdë trarësh. Që ti të mos mund ta hash dot dhe të fajësohesh për këtë. Në rastin konkret kërkohet ndryshim kushtetues që gjyqtarët e Gjykatës se Lartë dhe asaj Kushtetuese por edhe Kryeprokurori të votohet me shumicë të cilësuar. Që ne ta pranojmë këtë “pilaf” duhet më parë të shohim se sa gozhdë janë hedhur brenda. Duke mos shkuar larg, po i referohem eksperiencave të ngjashme tonat me po këtë opozitë propozuese. E kam fjalën për zgjedhjen dhe emërimin e Avokatit të Popullit dhe Presidentit të Republikës. Avokati tashmë i larguar, qëndroi pothuaj dy vjet mbi mandatin e tij pikërisht për mosdakordësinë që na ka shoqëruar në çdo rast. Dhe zgjidhja u dha në emër të kompromisit duke i thënë PS-së që të sillte një emër të cilin ne si mazhorancë do ta votonim pa kushte. Dhe kështu ndodhi. PS-ja ndërtoi një proces ku hapi një garë të drejtuar nga një deputete, realizuan hapat e menduar, madje u morën kandidatët në intervistë dhe u shpall fituesi. Sipas meje nuk është fare e drejtë të veprohet kështu. Sepse po ta pranonim si praktikë, do të na duhej që Presidentin e Republikës ta merrnim në pyetje me komision apo një deputet, krejt si një student e po kështu edhe kryeprokurorin edhe kryetarët e gjykatave Kushtetuese dhe asaj të Lartë etj., etj. Unë e quaj fyese dhe krejt të njëanshme. Veç këtij precedenti kemi dhe atë tjetrin, të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kujtoj që mbi bazën e një procesi shumë të gjerë publik, u konturuan disa karakteristika apo se si duhej të ishte identikiti i Presidentit. Mazhoranca i gjeti të mishëruara te zoti Zaganjori. Por pa kaluar 5 minuta, konferenca për shtyp e PS-së e konsideroi noter të PD-së. Ajo deklaroi se vetë nuk do propozonte dhe se donte më shumë emra nga mazhoranca për të përzgjedhur. Mazhoranca serviri katër emra të nderuar të cilët opozita u përpoq ti denigronte madje siç dihet bëri edhe presione për gjëra të paqena. I vetmi shpëtim nga kriza ishte raundi i katërt me votimin me shumicë të thjeshtë ku u zgjodh zoti Nishani. Jam i bindur se zotit Rama, edhe njëqind emra ti çonim, do ti “therte” një e nga një. E thënë ndryshe, në këtë rast modeli ishte që mazhoranca, me duart e veta duhej të konsumonte njerëz me integritet duke i dërguar në gijotinën e zotit Rama. Nëse mazhoranca do pranojë propozimet e opozitës të përmendura më lart do të thotë që ose do t’ia lërë PS-së të zgjedhë gjyqtarët e të tjerë siç ndodhi me avokatin e popullit, ose do ti ngrejë me duart e veta gijotinën Ramës që ai t’u presë kokën gjithë propozimeve të PD. Automatikisht do bllokohen emërimet duke çuar në krizë prokurorinë, gjykatën kushtetuese atë të lartë etj., pra dhe vetë qeverisjen. Nëse do pranohen propozimet shtesë për ndryshimin e Kushtetutës atëherë opozita do komandojë dhe realisht nuk do të ketë stabilitet qeverisës. Qeverisje demokratike është baras me stabilitet qeverisës. Ramës nuk i jepet dot në dorë çelësi i stabilitetit. Edhe për faktin se demokracia presupozon që nëpërmjet votës, ky çelës i është dhënë mazhorancës.
Ju po thoni që propozimet e opozitës janë si një “levë Arkimedi” për të penguar integrimin?
Është e qartë se në propozimet e PS-së nuk qëndron pjekuria dhe dituria por qëllimi i mbrapshtë për të pasur në dorë çelësat e krizës që Rama pa sukses ka dashur ta përdorë sa herë ka menduar se i erdhi rasti. Nëpërmjet këtyre propozimeve të papranueshme, vetë drafti i heqjes se imuniteteve kurrë nuk do ta shihte dritën e miratimit në seance plenare. Rrjedhimisht do binim në lojën ku PS-ja donte të na tërhiqte, atë të diskutimeve pa fund e pa frute ndërkohë që stacionet e integrimit kalojnë një e nga një. Unë them thjeshte ato u nxorën si pretekste pikërisht kur në fund të tunelit të integrimit, për marrjen e statusit të vendit kandidat, drita filloi të dukej. Dhe Rama e ka treguar që lëshon aq pak sa të hiqet sikur është për interes të vendit ndërkohë që bllokon pa mëshirë nëse sheh që objektivat po arrihen. Nuk mendoj se ai do lejojë suksese të tilla edhe në të ardhmen.
Ndërkohe mazhoranca ka hedhur në tryeze një zgjidhje të re: të jenë qytetarët dhe jo politika të vendosë për mburojën e tepërt ligjore të zyrtarëve të lartë nëpërmjet një referendumi? Si e shikoni këtë iniciativë? A mendoni se do të jetë një mundësi për ti dhënë shanse integrimit europian?
Unë jam deputet dhe rreth imunitetit tim dhe të kolegëve të mi bëhen diskutime pa fund. Edhe dashakeqëse. Sikur jemi keqbërës që fshihemi prapa tij. Më vjen të ulërij dhe t’u them të gjithëve: Nuk e dua imunitetin, ma hiqni, nuk mu ka dashur dhe nuk më hyn në punë. E bëmë si mazhorancë, si shprehje vullneti dhe pa ndryshuar Kushtetutën, kur votuam para dy vjetësh (pa opozitën) që të jemi para prokurorisë të hutueshëm dhe para drejtësisë të barabartë me qytetarët. Por opozita e quajti farsë pasi kushtetuta prevalon. Kërkojmë të ndryshojmë Kushtetutën dhe opozita nuk na lejon duke mos dhënë votat. Pra një situatë absurde ku duam ta heqim imunitetin pasi paragjykohemi e nuk ndihemi mirë dhe opozita nuk na lejon. Kujt ti ulërasim që nuk e dua…, nuk e dua imunitetin? Dhe po i drejtohem ndonjërit që nënqesh apo ma merr për shaka, “ore nuk e dua imunitetin, dua ta heq e nuk po e heq dot!”. Dhe në këto kushte, kujt më mirë se qytetarëve mund ti drejtohemi? Prandaj dhe nuk shoh rrugë tjetër veç referendumit. Që sidoqoftë kërkon kohë por do hasë edhe pengesa nga opozita, që përsëri ka kërkuar dhe do kërkojë ta kushtëzojë apo komplikojë duke mos lënë mjet pa përdorur. Por ndërkohë kjo nuk besoj se premton për arritjen e stacionit të integrimit të 12 tetorit.
A mendoni se seancat parlamentare të shtatorit do të jenë decisive për një përpjekje të fundit për të kapur trenin e marrjes së statusit të vendit kandidat?
Nuk besoj. Veçse do të ndodhte ndonjë mrekulli. Por opozita është shprehur qartë, që nuk do ta lejojë, nuk ka vullnetin. Nëse do ishte vullneti atëherë po.
A do të përmbyllen reformat integruese në kohë? A besoni ne gatishmërinë e Partisë Socialiste ne përmbylljen e reformave integruese? Pse, sipas jush, opozita e ka zvarritur miratimin e tyre?
Veç heqjes së imuniteteve për të cilën folëm ka mbetur reforma parlamentare. Për hiçmosgjë. Që kryeministri të flasë sa një deputet në parlament, në emër të barazisë. Pa përfillur që ai ka përgjegjësi qeverisëse dhe që pa diskutim duhet të debatojë e japë përgjigje ndaj të gjithëve. Por edhe të sqarojë qytetarët nga foltorja e parlamentit. Besoj që duan ti “mbyllin” gojën Kryeministrit përkundrejt një opozite aspak konstruktive e me tendenca të qarta denigruese të punës së qeverisë. Për kuriozitet, nëse do shihni vitin parlamentar që sapo u mbyll, më shumë minuta ka folur në seancat plenare zoti Braçe se sa Kryeministri i vendit. Dhe akoma opozita nuk është e kënaqur. Nuk e mendoj kështu jetën dhe debatin parlamentar. Te mbyllja e gojës. Në të kundërt, e shoh te konstruktiviteti. Them që nuk ka arsye thelbësore për zvarritjen e reformës parlamentare. Ajo duhet të sillet në seancë sepse në totalitetin e vet është mbyllur me konsensus. Dy apo tre pikat e diskutueshme lë të vendosen me votim në seancë. Ndoshta kjo do të mbyllet në shtator. Në mos na u ktheftë në këtë vit të ngelur, atmosfera e vitit të dytë të këtij mandati. Atmosfera e bllokimit për çdo gjë.
Intervistoi: Lavdrim Lita