PS: Saliu po dështon me statusin

Blendi Klosi dhe Silvi Bardhi
Partia Socialiste akuzoi dje sërish Kryeministrin Sali Berisha se po dështon për të tretin vit radhazi në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në një konferencë për shtyp, sekretari organizativ i PSsë, Blendi Klosi, tha se koalicioni i djathtë po dështon njësoj si në rastin e zgjedhjes së një Presidenti konsensual apo heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë së bashku me garancitë për një drejtësi të pavarur. Saliu ka dështuar me qeverisjen e tij, ashtu siç dështoi me përmbushjen e kërkesave të partnerëve europianë, ashtu siç dështoi me bindje të plotë në zgjedhjen e një presidenti konsensual, kërkesë kjo shumë e rëndësishme e Brukselit. Saliu shpif për kufizimin e imunitetit, teksa refuzoi në mënyrë të hapur të votonte projektligjin e dakordësuar nga njëra anë, dhe paketën e garancive për pavarësinë e drejtësisë nga ana tjetër. Dështoi sepse qëllimi i tij është i qartë: Sali Berisha nuk do një drejtësi të pavarur në shërbim të shqiptarëve, por një sistem drejtësie të gjunjëzuar përpara pushtetit të tij dhe në shërbim të familjes së tij, tha Klosi. Sipas tij, kreu i maxhorancës ka vendosur në institucionet kyçe të shtetit, Presidencë, KLD e SHISH, ushtarët e tij, duke bërë të njëjtat gabime si në vitin 1997. Sali Berisha nuk e njeh konceptin e pavarësisë së institucioneve. Njësoj siç vendosi një ushtar e shërbëtor në karrigen e Presidentit të Republikës, njësoj po vepron edhe me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e njësoj së fundmi veproi edhe me Shërbimin Informativ kur, pa u konsultuar me aleatët tanë strategjikë, bëri zgjedhjen e gabuar për të vendosur nën kontroll edhe shërbimet sekrete, njësoj si në vitin 97″, thekoi më tej deputeti i PS-së. Sipas tij Sali Berisha akuzon deputetët e opozitës, ndërkohë nuk flet për këshillin e tij të miliarderëve, deputetë, ministra dhe familjarë, që duke shfrytëzuar postet e tyre publike, kanë vjedhur paratë e shqiptarëve të ndershëm, kanë marrë në mënyrë të padrejtë koncesione, kanë përfituar tendera dhe përmes parave të korrupsionit janë kthyer në pasanikët e këtij vendi. Sali Berisha dhe të tijtë të jenë të sigurt, se asgjë e paligjshme nuk do të mbetet në xhepat e tyre, pronat e tyre apo pasuritë e tyre.
PD: Imuniteti do hiqet me referendum
Partia Demokratike tha dje përmes zëdhënëses, Silvi Bardhi, se me qëndrimin e opozitës për të mos hequr imunitetin, po pengohet për të tretin vit marrja e statusit të vendit kandidat. Partia Demokratike që lufton prej 10 vitesh për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e imunitetit dhe që pranoi korrikun e kaluar të gjitha amendamentet e Partisë Socialiste për ligjin për heqjen e imunitetit, të cilin z.Rama e bllokoi më dt. 6 gusht, e konsideron heqjen e imunitetit jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit që përdorin si mburojë murin e imunitetit, tha Bardhi. Sipas saj maxhoranca mbetet e sigurt dhe e bindur se do të jenë qytetarët shqiptarë që, në referendumin popullor, me votën e tyre të lirë do të shembin së shpejti murin e imunitetit që i ndan ata nga deputetët, qeveritarët dhe gjykatësit e tyre, do të shndërrojnë Shqipërinë në vendin e qytetarëve të barabartë para ligjit në një vend me të ardhme të sigurt europiane, të cilën ata e meritojnë.