Shuhet Gore Vidal, shkrimtari superprodhimtar dhe kundërshtari i madh i pseudodemokracive
Letërsi
Gore Vidal, njeriu elegant i letrave, i cili ngulmoi jo pa njëfarë kënaqësie të brendshme në atë që ai e quante fundi i civilizimit amerikan, ndërroi jetë të martën, në shtëpinë e tij në Hollivud. Në këtë shtëpi ishte zhvendosur në vitin 2003, pas vitesh të tëra të cilat i kaloi në Itali. Ishte 86 vjeç.
Shkaku i vdekjes ishte një komplikim i pneumonisë.
Vidal ishte në fund të jetës së tij, një figurë e veçantë, një njeri që mendonte se ishte i fundit i një lloji të caktuar njerëzish. Dhe ndoshta për këtë, kishte të drejtë. Janë të paktë shkrimtarët amerikanë që kanë pasur një prodhimtari si të Vidal dhe që e kanë shfrytëzuar maksimalisht talentin e tyre. Ai publikoi 25 romane, dy libra me kujtime dhe disa vëllime me ese. Ai ka shkruar edhe pjesë për teatër, për seriale televizive dhe skenarë filmash. Shpesh i pëlqente që të prononcohej me ironi edhe për politikën e jashtme amerikane. Ai ndoshta, më shumë se çdo amerikan tjetër, përveç Norman Mailer dhe Truman Capote, ka ditur të marrë më të mirën dhe maksimumin e privilegjeve që të jep të qenit figurë publike dhe njeri me famë. Ka garuar dy herë si përfaqësues i demokratëve në dy distrikte, dhe ka humbur në të dyja rastet, por ndërkohë, shpesh sillej si të ishte një president në hije i vendit. Dikur pat thënë: Nuk ekziston asnjë problem njerëzor që nuk mund të zgjidhet, nëse njerëzit do të vepronin sipas këshillave të mia. Me raste, ka interpretuar edhe në ndonjë film dhe shpesh e ftonin edhe në emisione dhe shfaqje të ndryshme televizive dhe në to, ai shpaloste gjithë erudicionin, zgjuarsinë dhe sharmin e tij. Italo Calvino ka shkruar për të: Vidal është një njeri pa nënndërgjegje. Ndërsa vetë Vidal për veten ka thënë: Unë jam ai që dukem. Brenda meje nuk ka ngrohtësi, apo nuk fshihet ndonjë njeri i dashur. Përtej anës sime të jashtme, kur arrin që të thyesh akullin, përballesh vetëm me ujë të ftohtë.
Vidalit i pëlqenin shumë teoritë konspirative të të gjitha llojeve, veçanërisht ato në të cilat ai e imagjinonte veten në qendër të një komploti. Nuk i kanë pëlqyer kurrë budallenjtë, një kategori njerëzish, që sipas tij, përbënte pjesën më të madhe të njerëzve, veçanërisht pushtetarët dhe nuk ka qenë kurrë një romantik sentimental. Dashuria nuk ndodhet në çantën time, thoshte ai.
Në moshën 25-vjeçare, atij i numëroheshin mbi 1000 takime seksuale me gra, por edhe me burra. Kështu të paktën ka shkruar në kujtimet e tij. Ai prirej ndaj asaj që e quante seks me seksin e njëjtë dhe shpesh deklaronte se qeniet njerëzore janë biseksuale dhe termi homoseksual nuk i pëlqente fare. Shpesh deklaronte se ishte populist, por gjithsesi teorikisht, sepse ai nuk ishte aspak një populist i bindur. Si nga temperamenti, ashtu edhe nga origjina, ishte një aristokrat.
Eugene Luther Gore Vidal Jr. lindi më 3 tetor të vitit 1925 në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point, në të cilën i ati punonte si instruktor fluturimesh. Ai ishte një nga pionierët e aviacionit dhe kishte themeluar tri linja ajrore, përfshi atë që më pas u shndërrua në TWA. Pati edhe detyra të larta. Nina, e ëma, ishte artiste dhe vajza e një senatori nga Oklahoma. Shkrimtari e përçmonte të ëmën, të cilën shpesh e përshkruan si të dhunshme dhe një alkooliste që kërkonte të ngjallte mëshirë te të tjerët. Prindërit iu divorcuan herët dhe e ëma u rimartua me njerkun e Zhaklin Kenedit, por Vidal nuk e mbajti këtë lidhje. Kujtimet më të bukura të fëmijërisë janë ato të kohëve të kaluara tek gjyshërit nga e ëma, në rrethinat e Uashingtonit. Atij i pëlqente shumë leximi dhe i lexonte gjyshit me zë, sepse ai ishte i verbër. Edhe interesin për politikën e ushqeu që në atë kohë sepse gjyshi ishte i dhënë pa saj. Më pas, në shkollë të mesme mbajti vetëm emrin e thjeshtë Gore Vidal. I pëlqente sporti dhe marrëdhëniet seksuale nga më të ndryshmet e ndër më të rëndësishmet mes tyre konsideron atë me Jimmie Trimble, një nga atletët më të mirë të shkollës së tij. Për të, Trimble ishte gjysma tjetër, vëllai ideal dhe njeriu me të cilin Vidal ka thënë se ndihej vetvetja. Vdekja e tij e parakohshme gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një dramë për Vidal. Ai nuk ndjeu më për njeri në atë mënyrë deri në fund të jetës. Në rini nisi që të publikonte poema dhe tregime të shkurtra në revistat lokale. Në shkollë i pëlqenin shumë debatet dhe diskutimet. Në ato vite filloi edhe punën për romanin Williwaw, ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në luftë. Romani u botua në vitin 1946. Ishte një roman i shkruar sipas stilit të Heminguejit dhe nuk la ndonjë gjurmë. As me librin e dytë, Në pyllin e verdhë, ai nuk tërhoqi vëmendje. Në vitin 1948 botoi Qyteti dhe kolona, të cilin ia dedikonte mikut të tij të vrarë dhe në qendër të të cilit ishte pikërisht figura e një atleti të mrekullueshëm që pak nga pak e zbulon se ishte homoseksual. Në atë kohë ishte një thyerje e madhe tabush të shkruaje për një çështje të tillë dhe libri shkaktoi bujë dhe skandal. Libri u ndalua dhe Vidal tha se ata që e ndaluan kishin frikë nga e vërteta. Më pas, nga problemet që iu shkaktuan me këtë libër, shkroi me pseudonimin Edgar Box. Për të fituar para u përqendrua në shkrimet për televizionin dhe më pas edhe për filmat. Punë kishte shumë dhe ai ishte shumë prodhimtar. Në fund të viteve 50, Vidal, më në fund, i sigurt financiarisht la filmat dhe iu fut politikës i nxitur dhe mbështetur edhe nga vetë Eleanor Roosvelt me të cilën kishte miqësi. Por ishte një përvojë që nuk u mbyll me sukses. Në vitet 60 iu rikthye të shkruarit dhe publikoi njëri pas tjetrit tre romane, mes të cilëve edhe atë që kritika e cilëson si veprën më të mirë të Vidal: Julian, më 1968. Ishte një roman historik në qendër të të cilit ishte perandori romak i shekullit IV, i cili u përpoq që ti kthente edhe një herë të krishterët në paganizëm. Ndërsa romani Washington DC ishte një roman politik. Në këtë kohë shkroi edhe librin që personalisht e kishte më për zemër: Myra Breckinridge, një komedi e zezë në lidhje me një mashkull homoseksual që krijon një lidhje me një mashkull heteroseksual që më pas kryen një operacion për ndërrimin e seksit dhe kthehet në grua. Ndoshta, pa dashur, ai krijoi një model. Në vitet në vijim sukseset më të mëdha i pati me romanet historike ndër të cilat: Burr, 1876, Lincoln, Hollywood, Epoka e artë etj. Doli se ai kishte dhunti të veçanta për këto lloj romanesh sepse bazoheshin në mënyrë skrupuloze në fakte, por kishin edhe shumë fantazi, ndjenja, imagjinatë dhe personazhe shumëngjyrëshe dhe interesantë e me karakter. E megjithatë, ai vazhdoi edhe në shkrimin e librave me tematikë më të lehtë si: Bibla sipas Vidal, një libër shumë provokativ.
Por sipas mendimit të shumë kritikëve, reputacioni i tij është më i madh dhe më i plotë jo për sa i takon romaneve që shkroi, por eseve, një pjesë e madhe e të cilave janë botuar për herë të parë në New York Review Books. Koleksioni i tij: Revolucioni i dytë amerikan mori një çmim dhe më pas ai shkroi edhe: Shtetet e Bashkuara: Ese 1952-1992. Si eseist, ai ishte i jashtëzakonshëm, shumë i mprehtë dhe i drejtpërdrejtë. Esetë e tij, në fakt, ishin letërsi më vete me tematika nga më të ndryshmet. Madje botuesi i tij ka deklaruar se për të, Vidal nuk ishte aspak një romancier, por një eseist i shkëlqyer. Ndërsa për romanet e tij, ka thënë se Vidal i shkruante sepse vetëm në krijimtarinë letrare mund të jesh i lirë dhe i panënshtruar dhe Vidal ishte një njeri i lirë që nuk donte ti përkulej askujt.
Sukseset dhe fama e arritur nuk e zbutën Vidal. Shpesh bënte deklarata të forta politike, që sigurisht diskutoheshin gjatë dhe donin guxim. Disa nga qëndrimet e tij në lidhje me politikën e jashtme amerikane veçanërisht ishin shumë provokative dhe