E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Naim Kryeziu, kampioni i parë i Romës

Një tjetër pjesë e çmuar e Romës së titullit të parë në kampionatin italian (1941-1942, shënoi 6 gola) ndërron jetë. Naim Kryeziu, 92 vjeç – i lindur në Gjakovë, më 4 janar 1918, vdiq në Romë, më 19 mars 2010. Roma për nder të shqiptarit luajti me shirit të zi në krah në fitoren 4-2 kundër Udineses.

Anësori i djathtë – i bënte 100 metrat në 11 sekonda – luajti për Romën nga viti 1939 deri në vitin 1947 (122 ndeshje, 27 gola), e më pas kaloi te Napoli për ta mbyllur me Turris. Trajnoi Almasin, nga 1962 deri në vitin 1965 ishte trajneri i dytë i Romës, u rikthye sërish te Almas dhe zbuloi Giuseppe Giannini.

Naim Kryeziu nisi karrierën e tij si futbollist te klubi shqiptar SK Tirana përpara transferimit të tij në sezonin 1939-1940 te Roma. Gjakovari i natyralizuar si italian pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit nisi studimet në Romë për të ndjekur studimet për t’u bërë profesor i edukimit fizik.

“Ika nga Kosova shumë i ri, pasi ishte e pushtuar nga jugosllavët. Emigrova në Tiranë, ku ndodhej vëllai im që ishte nëpunës dhe vazhdonte studimet.

Atje fillova të luaj futboll: 15 vjeç luaja në Serinë A shqiptare dhe 16 në Kombëtaren. Shqipëria ishte ende në dominimin italian. Qeveria italiane dërgoi një mësues të edukimit fizik që merrej edhe me organizimin e ndeshjeve sportive lokale. Ai më pa duke luajtur dhe duke qenë një tifoz i Romës i dërgoi një sinjal klubit kryeqytetas”, - rrëfen jetën e tij, Naim Kryeziu gjatë një interviste të dhënë gjashtë vjet më parë, për sitin e ultrasve të Romës.

“Atëherë nuk e kisha pasaportën italiane dhe flisja vetëm disa fjalë italisht”.

Ndeshja e parë e Kryeziut ishte ajo kundër Barit të Riza Lushtës, një tjetër emri të madh të futbollit shqiptar, ku Roma fitoi 4-2 (Kryeziu dha një asist në atë ndeshje). “Do të doja të luaja për Kombëtaren e Italisë asaj kohe, por u thirr vetëm Lushta”,- kujton ai.

Gjatë sezonit të tij të dytë te Roma ai ishte rregullisht pjesë e formacionit të parë ku shënonte rregullisht. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në sezonin 1947/1948 ai u transferua të Napoli (kua luajti në Serinë A dhe B), dhe më pas në sezonin 1953-1954 te ekipi i kategorisë së katërt, Torre del Greko, ku dhe ai la futbollin në moshën 35-vjeçare. Gjatë karrierës së tij në Itali, Kryeziu në 330 ndeshje shënoi 73 gola, 50 prej tyre në Serinë A (15 në B).

Gjakovari, (i lindur më 1 janar 1918) ishte i dyti futbollist shqiptar pas Riza Lushtes që luajti në Serinë A italiane, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të fashmëm gjatë 10 sezoneve (1939-1953) me dy nga klubet me të adhururara në Itali, Romën dhe Napoli, teksa në vitin 1963 pati fatin të jetë për disa ndeshje edhe trajneri i Romës, i pari shqiptar dhe i vetmi shqiptar që drejtoi një skuadër në Itali.

Flamuri shqiptar përkrah emrit të Kryeziut (apo Krieziu siç njihet në Itali) është ndër tre më të famshmit e huaj (dy të tjerët janë argjentinasit Enrike Gonzales Guaita dhe Arturo Kini Luduenja) që kanë luajtur për Romën e viteve 1927-1945, pra në një histori thuajse 18-vjeçare të skuadrës kryeqytetase, periudhë në të cilën fitoi vetëm një titull atë të edicionit 1941-1942. Kryeziu ishte një ndër më të vlerësuarit e trajnerit austro-hungarez, Alfred Shafer, sidomos për shpejtësinë e tij.

Shqiptari mbetet një nga ikonat e Romës dhe është i përmasave të Luixhi Alemandti, Amadeo Amedeit, Fulvio Bernandinit, Augusto Fazanelit, Fosko Rizortit, e qindra emrave të tjerëve që u bënë të famshmën në vitet 1945-2007, përshirë edhe kampionë bote të tillë si Bruno Konti, Rudi Fëler, Françesko Totin e të tjërë.

“Italianët” e Shqipërisë Naim Kryeziu, Riza Lushta dhe Loro Boriçi janë tre pionierët e futbollit modest shqiptar që bënë bujë në Itali në vitet 1940-1950.

Naim Kryeziu luajti për Romën e Napolin, Riza Lushta për Barin, Juventusin (fitoi Kupën e Italisë në vitin 1942), Napolin, ndërsa shkodrani Loro Boriçi, futbollisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave luajti për Romën e Lacion.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Diele, 21 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›