E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet aktori Ndrek Prela, Topi: Humbëm njeriun e rrallë

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në nderim të njërës prej figurave më të njohura të artit skenik dhe kinematografisë shqiptare, aktorit të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës Ndrek Prela, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të tij.

“Në mendjen dhe kujtesën e shqiptarëve e artdashësve do të mbeten gjithnjë të pashlyeshme jo vetëm personazhet artistike në skenë dhe në kinematografi që aktori i talentuar Ndrek Prela krijoi e i bëri të pavdekshëm, por edhe e gjithë veprimtaria e tij njerëzore e artistike.  Aktori me ndjeshmëri të lartë Ndrek Prela, i konsideruar me të drejtë si një nga pionerët e artit skenik dhe kinematograf shqiptar, do të kujtohet gjithnjë si një njeri i rrallë, i cili ia kushtoi jetën dhe veprimtarinë e vet artistike popullit të tij”  thekson ne mesazhin e tij kreu i shtetit .

Aktori i njohur shkodran u nda nga jeta dje në moshën 91 vjecare, por ai do të kujtohet për rolet e tij në filmat shumë të dashur për publikun si "Në fillim të verës" , "Flaka e maleve", "Komisari i Dritës", "Operacioni i Zjarrit" e shumë të tjerë.

Ai do të mbahet mend dhe për shumë role të tjera në teatrin Migjeni të Shkodres. Sot në orën16:00, në nder të aktorit, do të mbahen homazhe në teatri Migjeni.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›