E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: Reciprocitet me Greqinë, por të nderohen viktimat çame



Me Greqinë marrëdhëniet janë reciproke, por Athina zyrtare duhet të nderojë viktimat e shkaktuara në masakrat mbi popullsinë çame. Ky është mendimi i presidentit në një intervistë dhënë për gazetarin Mentor Nazarko në emisionin “Antinomi”. Kreu i shtetit e sheh të panevojshme ndërhyrjen për thirrjet ultranacionaliste të ushtarëve grekë në paradën e 25 marsit, dhe vlerëson ndëshkimin e këtij akti nga krerët e shtetit helen. Në bisedën me Nazarkon Topi flet edhe për krizën e tejzgjatur politike, reformën në gjyqësor dhe reformat kryesore në vend.

Po e nis me një pyetje të parë, që lidhet me mesazhet që vijnë nga politika e ditës. Opozita ka paralajmëruar protesta në datën 30 prill, ndërsa mazhoranca po i përgjigjet me një tjetër manifestim në datën 1 maj. Cili është mesazhi që ju doni të jepni nisur nga këto njoftime që vijnë nga politika?

Natyrisht nuk mund të ketë një mesazh eksplicit që vjen nga Presidenti për partitë politike, sepse çështjet janë të ndara, pushtetet janë të ndara, partitë politike kanë të gjithë hapësirën demokratike të nevojshme që të marrin vetë vendimet politike, të shprehin të gjithë taktikat politike, pra, do ta konsideroja si një element ekskluziv të partive politike. Mesazhi është që çdo lëvizje politike, duhet patjetër që të shkojë në interes të zhvillimit të standardeve të demokracisë, padyshim, të japë sensin e arritjeve dhe të progresit, qoftë dhe nëpërmjet një proteste. Dihet, qoftë nga eksperiencat botërore, qoftë nga eksperiencat shqiptare, qoftë nga eksperiencat personale, që të gjithë kemi protestuar në një moment. Është një hapësirë lirie, e cila mund të shfrytëzohet në çdo moment të dhënë kur partitë politike apo individë të caktuar mendojnë që mund të protestojnë në mënyrë transparente për të dhënë mesazhet e duhura publike.

Shqetësimi për protestat vjen për shkak të …, apo do të konsiderohet një lloj shkallëzimi i veprimit politik të opozitës. Kjo mund të jetë e dëmshme ndoshta për vendin në kuadër të objektivave që ka qeveria.

Kjo është çështje e perceptimit. Ju në pyetjen tuaj, nuk e specifikuat, nëse do të jetë një protestë e opozitës. Janë duke paralajmëruar prej disa ditësh disa shfaqje proteste apo manifestimi nga parti të ndryshme politike. Ne t’i konsiderojmë në një terren ekuivalent për të shprehur opsionet e tyre politike, dikush duke protestuar, dikush duke lançuar arritje, duke dhënë mesazhe publike. E rëndësishme është që gjithçka të zhvillohet brenda një kuadri ligjor të mirëpërcaktuar dhe në funksion të protestave të partive.

Ju, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ndërmorët një proces pajtimi të palëve politike. Në këtë kuptim, si e konsideroni punën e bërë? A dha frytet e veta? E futi procesin në vija e duhura?

Unë besoj që termi më i gjetur nuk do të ishte i pajtimit, sepse demokracia ka në bazë dialogun. Jo domosdoshmërisht duhet të merret ky term si një term “in extremis” për të pajtuar diçka që natyrisht nuk shkon. Shumë gjëra mund të jenë të debatueshme, por çështja e rivendosjes së dialogut politik është çështja më substanciale e këtij procesi. Po t’i kthehem zhvillimeve në retrospektivë të muajve të fundit, do të analizonim patjetër deklarimin në distancë, debatin në distancë, ndoshta mos-ballafaqim brenda një institucioni, i cili është specifik për këtë punë, sikurse është Parlamenti, dhe patjetër marrja në konsideratë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e faktori ndërkombëtar, i cili është prezent edhe në Shqipëri nëpërmjet ambasadorëve, por edhe institucionet e Shqipërisë, sidomos deklarata finale e Këshillit të Evropës, patjetër imponoi përshpejtimin e veprimeve të institucioneve, për të bërë të mundur riinstalimin e dialogut politik. Dhe unë mendoj që, tryeza e realizuar në Presidencë, patjetër që dha frytet e veta. Jemi mësuar që t’i konsiderojmë suksese, por në sens absolut jo. Duhet realizuar një analizë korrekte, racionale, dhe duhet vlerësuar dhe kur ka progrese relative. Dhe unë besoj që ka një progres të dukshëm relativ nga ajo tryezë, natyrisht me vullnetin politik dhe me vendimmarrjen politike të opozitës. Opozita është në Parlament. Ndoshta, nuk është në tërë dimensionin e vet, por është atje dhe praktikisht sot, është përfshirë në atë debat publik ekstra institucional, është përfshirë në një debat intra institucional, dhe kjo është një arritje pastaj.......

....ju jeni duke vuajtur si Institucion, duke vuajtur pasojat e krizës që është emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë në vendet vakante.

Ende jo për Gjykatën Kushtetuese sepse ende jemi në kohë, por për të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, vërtet ne po e ndiejmë dhe nuk është çështje që e ndien vetëm Institucioni i Presidentit. Institucioni i Presidentit ka lançuar publikisht një shqetësim që lidhet me nevojën apo domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të zgjedhur anëtarë të gjykatave shumë të rëndësishme, sepse kjo do të merrte një ngjyrim tjetër në rast se do të votohej vetëm nga njëri krah. Unë do të dëshiroja që ata të ishin të gjithë në sallë, sepse bëhet fjalë për pushtetin e tretë, dhe për pushtetin e tretë nuk janë jo një apo dy vjet, por janë nëntë vjet për çdo anëtar, qoftë të Gjykatës së Lartë, qoftë të Gjykatës Kushtetuese, pra, po t’i marrësh në mënyrë kompleksive janë dhjetë anëtarë në dy gjykatat, të cilët në total përbëjnë nëntëdhjetë vjet. Dhe nëntëdhjetë vjet që realizohen si zgjedhje brenda një muaji, do të thotë që duhet të ketë një vëmendje e jashtëzakonshme.

Në një nga vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, në fakt janë shumë vendime që, si të thuash e zhbëjnë atë që ka bërë opozita, që ka bërë kjo shumicë gjatë këtyre viteve, është që lidhet edhe me çështjen e përkufizimit të vijës bregdetare me Greqinë. Ai është një proces, i cili edhe sipas opozitës, edhe sipas këtij vendimi, nuk ju ka juve përfshirë, qoftë dhe formalisht. Tani që ky proces po ribëhet, negociatat kanë filluar ose do të fillojnë, cilat janë disa nga direktivat që ju do të jepnit për këtë proces?

Së pari, unë nuk jam përfshirë në këtë proces, sepse çështja vjen tek Presidenti, vetëm kur duhet të dekretohet. E kam thënë edhe herë tjetër…

E kisha fjalën për kushtetutshmërinë

Pikërisht, edhe unë do të dal aty. Problemi është që Presidenti, në asnjë lloj rrethane nuk mund të jetë pjesë e një debati politik publik paraprak, sepse duhet të kalojë në hallkat parlamentare, dhe Presidenti flet në momentin kur duhet të shpallë dekret. Fakti që nuk ka pasur një rrjedhë të tillë, do të thotë që Presidenti nuk ka pasur arsye të shprehet. Natyrisht, kam dhënë mesazhet e mia publike dhe përsa i përket anës procedurale, sot mund të flas me atë rezultat që ka Gjykata Kushtetuese, që domosdoshmërisht, kur ka marrëveshje të natyrës shtetërore, jo se e them unë, por e shikon Kushtetuta si të tillë, që duhet të ketë një plotfuqi nga ana e Presidentit.

Megjithatë vijmë tek një çështje që është e prekshme tani, e një debati publik, që është marrëdhënia me Greqinë. Ju e keni ndjekur besoj, të ashtuquajturin manifestim të marinsave grekë, të cilët këndonin këngë raciste ndaj shqiptarëve. Raciste jo në fakt, por këngë të egra, antinjerëzore do të thosha, antishqiptare?

Ajo që unë mund të them tani në këtë moment, është që, më vjen mirë që ka reaguar qeveria greke, nëpërmjet zërit eksplicit të Ministrit të Mbrojtjes, të Zëvendësministrit të Mbrojtjes, dhe patjetër ato i kanë dënuar dhe ndjesa e kërkuar të dikton që të mos ta trajtojmë këtë temë, sepse zëra të çjerrur nacionalistë, zëra që nuk i shërbejnë një miqësie që është instaluar nëpërmjet institucioneve tona, aq me shumë midis dy vendeve që janë vende fqinje dhe anëtare të NATO-s, tregon që ky është një proces, i cili patjetër në linjën e dënimit moral, ndoshta dhe ligjor të këtyre zërave, që është në kompetencën e institucioneve greke. E rëndësishme është që nga zërat më prominentë të politikës greke, ka ardhur ndjesë dhe një dënim i aktit të këtij kori të çjerrë për të rikthyer në disa situata, të cilat nuk është e nevojshme t’u rikthehemi midis dy vendeve tona.

Këto janë tregues i një lloj klime që ekziston tek qarqe të caktuara, tek qarqe ushtarake, por edhe unë jam i mendimit që ndjesa ishte e duhur.

Unë mendoj që në momentin e duhur ka një prononcim. Është e panevojshme ta thellojmë.

Megjithatë, duket sikur kjo mazhorancë, nuk po i hyjmë në krahasim me mazhorancat e tjera, sikur e ka humbur sensin e reciprocitetit të marrëdhënieve me fqinjin tonë. Le të marrim p.sh. çështjen e varrezave. Fare mirë mund të kishte kërkuar palës greke, që krahas ngritjes apo pranimit të ngritjes së varrezave të ushtarëve grekë, të lejohej, të ngrihej një obelisk apo një mënyrë nderimi për viktimat e pafajshme, për gratë dhe fëmijët shqiptarë çamë, të cilët janë vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ju e konsideroni të arsyeshme këtë?

Besoj që çështja e politikës që ka të bëjë me varrezat e ushtarëve grekë, është një çështje e trajtuar prej vitesh në parlament. Do të thoja që është në standardin e trajtimit të ushtarëve, të cilët kanë rënë në Shqipëri, edhe për kombet e tjera. Kjo merr një kuptim të veçantë për shkak të marrëdhënieve specifike që ne kemi pasur në të kaluarën me Greqinë. Por, besoj që gjëja e parë është në standardet e një politike që ne kemi ndjekur edhe me ushtarët anglezë.

Më falni, zoti President, është madhësia, numri varrezave…

Unë ju thashë që nuk kam ndërmend të futem në elementë specifikë, por unë e shikoj plotësisht të arsyeshme që duhet të sjellim në vëmendje edhe problemin e nderimit të popullsisë çame, e cila është masakruar në një periudhë të caktuar të historisë. Sot, kur bëhet fjalë për të nderuar, duhen nderuar pikërisht ata të cilët kanë pasur një fat të keq nga politika të caktuara represive. Dhe kur vjen puna për të nderuar, duhet të ketë një barazvlefshmëri dhe jam plotësisht dakord që gjërat duhen parë në ekuilibër. Por, nuk shoh asgjë të keqe në atë vendim që ka marrë Parlamenti, sepse e shikoj si një çështje që është trajtuar me shumë kujdes. Për ta politizuar, pastaj mund t’i japim….

Zoti President, megjithatë, duket sikur kjo shumicë, nuk po hyjmë në raport me shumicat e tjera, ka humbur pak sensin e reciprocitetit në marrëdhënie me fqinjin tonë jugor; domethënë, rastin e negocimit për varrezat. Ajo nuk ka guxuar të ngrejë në këtë parimin, parimin e reciprocitetit, edhe nderimin e viktimave çame, po themi të grave dhe fëmijëve, nga të cilat vdiqën viktima të pafajshme të luftës.

Duke dhënë çaste nga përvoja ime politike ku kam qenë edhe pjesë e strukturave politike të maxhorancës aktuale, mund të dëshmoj të kundërtën. Në takimet me personalitetet e huaja, është trajtuar edhe çështja e Çamërisë; besoj se kjo çështje po trajtohet dhe do të vazhdojë të trajtohet edhe në të ardhmen, pasi është një element që kërkon patjetër vëmendje, sikurse unë shikoj me një lloj ekuivalence çështjen e trajtimit të varrezave sikurse kemi bërë edhe me ushtarët e vendeve të tjera, por kjo çështje ka marrë një ngjyrim tjetër, për shkak të marrëdhënieve specifike që Shqipëria ka pasur në të kaluarën me Greqinë. Gjithsesi, jetojmë në një kohë kur çështja e reciprocitetit është një çështje bazale në marrëdhëniet e politikës midis vendeve, aq më shumë midis dy vendeve që janë fqinj, vende që sot janë anëtare të NATO-s, që nesër do të jenë, patjetër, dy vende të Bashkimit Evropian. Ka shumë çaste për t’u takuar e për të sinkronizuar qëndrimet dhe për të nderuar në mënyrë reciproke. Unë e shikoj më se të nevojshme që kur të trajtohet çështja e masakrës çame, detyrimisht, dua të pranohet çështja e një obelisku, sepse është më se normale.

A e keni ngritur këtë çështje me cilësinë e Presidentit të Republikës?

Unë mund t’ju them se në takimet që kam pasur, në mënyrë të vazhdueshme, trajtohen. Këto çështje nuk janë tabu; përkundrazi, ne vazhdimisht e kemi parë çështjen e masakrës çame si një njollë të zezë në historinë e këtyre dy vendeve, të cilat sot janë tejkaluar nga pikëpamja politike, por ka mjaft çështje të karakterit juridik që do të trajtohen, sikurse është çështja e pronave, çështja e lëvizjes së lirë të popullsisë çame, të banesave të tyre. Për derisa sot flasim për një lëvizje të lirë, për njerëz që janë pa komplekse, gradualisht edhe politikat e së kaluarës do të shumohen dhe njerëzit do të shkojnë drejt një terreni më të lirë, qoftë edhe në rrafshin juridik.....

Një tjetër çështje tjetër, prapë e debatuar, që edhe ju prek edhe juve si Institucion, është çështja e amendimit të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror”, cili është gjykimi juaj për këtë debat, që pati përfshirë edhe përfaqësuesit e bashkësisë perëndimore, qofshin ata amerikanë, të NATO-s, etj.?

Më lejoni t’ju them diçka në mënyrë shumë miqësore: Sot, profesioni i gazetarit, i analistit apo i këshilltarit është i tillë që i kalon kufijtë administrativë të Shqipërisë. Ju, duke punuar edhe në Kosovë, realizoni një pyetje, për të cilën unë kam dhënë një përgjigje para një jave; kështu që duhet të jeni i përditësuar në disa gjëra, në mënyrë që unë të mos e teproj duke i përsëritur. Është një proces që gjatë kohës së debatimit, detyrimisht, e bën Presidentin e Republikës të mos prononcohet, të mos jetë ndërhyrës e paragjykues, si dhe mos-influencues në këtë debat. Debatin politik e bëjnë politikanët; ndërsa kur vjen ligji këtu, kur të tjerët nuk do të kenë çfarë të thonë, patjetër, që do të dëgjoni Presidentin e Republikës me arsyetimin e tij.

Cila është praktika e bashkëpunimit tuaj me Shërbimin Informativ Shtetëror?

Është, absolutisht, linja ligjore që përcakton detyrimet e SHISH-it në raport me Presidentin e Republikës për ta informuar për çështjet e sigurisë kombëtare, partneritetin dhe për të çështjet e tjera që janë të përfshira në ligj. Besoj se ka qenë një marrëdhënie shumë korrekte. Kam pasur vlerësimet e mia mjaft të mira për këtë Shërbim dhe vazhdoj t’i bëj për bashkëpunimin që ka bërë me partnerët tanë strategjikë, por edhe për çështje që e përkufizojnë këtë Shërbim sot, si një Shërbim që nuk ka ndërhyrë në çështjet e politikës. Fakti që kemi zhvilluar zgjedhjet e datës 28 qershor 2009 dhe në asnjë fjalë të raporteve qoftë të politikës së brendshme, qoftë të politikës ndërkombëtare nuk ka një fjalë kritike për Shërbimin Informativ Shtetëror, tregon që ky Shërbim nuk ka influencuar në këtë proces që ka qenë politik.....

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›