E Diel, 1 Nëntor 2026

Aneta Rama: “Skam për ta falur kurrë kryeministrin Berisha”



Laureta Rryçi

Aneta Rama, nëna e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, deklaroi dje se nuk do ta falë kurrë kryeministrin Sali Berisha për fyerjen publike që i ka bërë. Ajo ishte e pranishme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Lartë dhe i kërkoi kësaj gjykate të vazhdonte më tej shqyrtimin e padisë. E ndjekur nga dy avokatët e saj mbrojtës, e ëma e kryesocialistit, Aneta Rama, nuk ka dhënë deklarata para trupit gjykues, por në mënyrë indirekte ajo ka folur nëpërmjet avokatëve. Arjan Salati foli në emër të saj. Ai u shpreh në seancën pajtimore se klientja e tij nuk është dakord ta falë kryeministrin Sali Berisha. Seanca e pajtimit është një seancë ku palët deklarojnë nëse do të falin dhe pajtohen, në të kundërt çështja do të vazhdojë me një proces gjyqësor të mirëfilltë. Avokati u shpreh se klientja e tij i qëndron kërkesës për ta ndjekur penalisht Sali Berishën, duke i quajtur deklaratat e tij dashakeqëse. “Shpifjet janë tepër të rënda dhe kjo është arsyeja që Aneta Rana ka vendosur të mos pranojë pajtimin me Sali Berishën”. Kështu u shpreh avokati Arjan Salati para kolegjit penal të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, avokatja e kryeministrit, Eranda Ballanca, nuk dha asnjë deklaratë duke u shprehur se do të japë gjithë pretendimet kundër palës në seancën e radhës, caktuar më 12 prill.
Deklarata
Në seancën e Kuvendit më 26 nëntor 2009, kryeministri dhe deputeti Berisha është shprehur: “Ju zonja Rama keni kuruar birin tuaj për dhjetë vjet. Ai ju ka nxjerrë në mes të natës me rrobat e gjumit nga shtëpia”. “Këto shprehje janë të gënjeshtërta, të pavërteta, janë shpifje të bëra botërisht. Ndaj nuk ka vend për pajtim”, - tha avokati Salati. "I akuzuari prej meje Sali Berisha shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Thëniet e mësipërme, të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë, janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto “fakte” janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit", - thuhet në padi.
Padia
Aneta Rama e paditi penalisht në dhjetor 2009 Berishën për shpifje publike, duke iu referuar deklaratës se ajo ka kuruar për dhjetë vjet rresht, për skizofreni, djalin e saj Edi Rama, vite më parë. Në padinë e depozituar Rama nuk qartëson se çfarë kërkon nga e gjithë kjo. Në rolin e paditëses, Aneta Rama thotë se deklaratat e Berishës janë të pavërteta dhe qëllimi i shprehjes së tyre është që të denigrohet figura e djalit të saj, aktualisht në krye të Partisë Socialiste dhe të Bashkisë së Tiranës.
Pjesë nga padia kundër Berishës: "I akuzuari prej meje, Sali Berisha, shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Thëniet e mësipërme të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto ‘fakte’ janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit. Qëllimi kriminal i Sali Berishës shkon në drejtimin e paracaktuar nga mendësia e tij për të diskredituar publikisht jo vetëm kundërshtarin e tij politik, por edhe njerëzit e afërt të familjes. Për këto arsye, Sali Berisha duhet të gjykohet, sepse ka konsumuar ndaj meje veprën penale të shpifjes, të kryer botërisht, faqe deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të mjeteve të informimit publik".

Padia në dhjetor 2009
Ka qenë data 18 dhjetor 2009 kur Aneta Rama, me kopjet e gazetave të përditshme që përmbanin fjalimet e Sali Berishës, i është drejtuar kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçi, të padisë kryeministrin për fyerjet ndaj familjes së saj. “Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal”, - thuhej në fillim të kërkesë-padisë që do të përfaqësohet nga avokatët Arian Salati dhe Eno Bushi. Zonja Rama sqaron në kërkesë-padi se deklarata e Berishës se Edi Rama është kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë është një shpifje dhe trillim.
Po kështu, nga kërkesë-padia zonja Aneta i quante shpifje dhe thënie të pavërteta deklaratat e Berishës, sikur djali i saj, Edi Rama, e ka dëbuar duke e nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. E ëma e kreut të PS-së tha se deklaratat e kryeministrit nga foltorja e Parlamentit kanë qëllim diskreditimin publikisht jo vetëm të kundërshtarit të tij politik, por edhe të njerëzve të afërt të familjes”.

Shtyhet seanca për procesin e Gërdecit, mungojnë avokatët

Seanca e radhës, e planifikuar për dje në Gjykatën e Lartë ndaj procesit më të madh, atë për tragjedinë e Gërdecit me 29 të pandehur, është shtyrë me një afat të caktuar. Mungesa e avokatëve të të pandehurve ka bërë që trupi gjykues të shtyjë për më 2 prill seancën tjetër për tragjedinë e Gërdecit që më 15 mars të vitit 2008, 15 km larg nga Tirana, pas shpërthimit të një fabrike të demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra e fëmijë. Nga shpërthimi u plagosën mbi 300 persona dhe u dëmtuan biznese e banesa të zonës. Tragjedia aktualisht po gjykohet në disa shkallë të Gjyqësorit ku të pandehur janë rreth 29 persona, duke përbërë kështu procesin më të madh gjyqësor në historinë e gjyqësorit shqiptar. Mes të pandehurve, por që po gjykohen nën pranga janë vetëm 3 persona, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe administratori i fabrikës Mihal Delijorgji. Procese ka pasur dhe në Gjykatën e Lartë për ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sot ministër i Mjedisit. Prokuroria ka dështuar dy herë të dërgojë në gjykim ministrin, pasi gjykata i ka cilësuar të pabaza akuzat dhe e ka pushuar çështjen.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›