E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shulc kushtëzon Serbinë me njohje të Kosovës

(E plotësuar)Njohja e ndërsjellë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, ka thënë kreu i Parlamentit Evropian, Martin Shulc.

Ai i ka bërë këto komente në Bruksel, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.

“E dimë se pason një rrugë e gjatë, me shumë pengesa, si ajo e fusnotës. Parlamenti Evropian nuk do të hyjë në detaje, sepse kjo është çështje e diplomatëve dhe qeverive”.

“Qëllimi ynë është që Serbia, në fund, të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duke përmbushur të gjitha kriteret dhe duke krijuar marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme midis dy vendeve”, ka thënë Shulc.

Daçiq, më herët, ka takuar edhe kryetarin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman van Rompuj.

Ky i fundit ka deklaruar se Serbia, në rrugën e saj për në BE, duhet t’i përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme raportet me Kosovën.

Van Rompej: Raportet me Kosovën – kryesore për Serbinë

Kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompej, deklaroi sot se në rrugën e saj për në BE, Serbia duhet në mënyrë “të qëndrueshme t’i përmirësojë raportet me Kosovën”.

“Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën mbetet kërkesa kryesore për hapin e ardhshëm të lëvizjes së negociatave për hyrjen e Serbisë” në BE, tha sot Herman Van Rompej, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Zyrtari i lartë i BE-së është shprehur i kënaqur që qeveria e Serbisë “ka marrë vendim, i cili tash do të mundësoj bashkëpunim rajonal frytdhënës, me pjesëmarrjen e të gjithëve në rajon”.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, me ç’rast ka theksuar se “të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash duhet të zbatohen, e veçanërisht marrëveshja për kalimet”.

Zoti Van Rompje e trajtoi edhe çështjen e veriut të Kosovës, duke theksuar se “duhet të gjenden zgjidhje të reja për situatën e ndjeshme në veri të Kosovës, zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë jetën e njerëzve të atjeshëm”, tha ai dhe shtoi se “e ftoj Beogradin dhe Prishtinën që në mënyrë konstruktive të angazhohen në dialogun, me shërbimet e vullnetit të mirë të Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Daçiq theksoi se Beogradi është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Prishtinën “në rrafshin teknik dhe politik, në nivel shumë të lartë”. (REL)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›