Zgjidhja për veriun përtej pakos së Ahtisarit

Studimi ‘Mëngjesi një ditë pas’ vlerëson suksesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në mbikëqyrjen ndërkombëtare të zbatimit të planit të Ahtisarit.
Studimi është i hartuar në katër kapituj: legjislacioni dhe qeverisja, prezenca ndërkombëtare, ekonomia dhe kapitulli i katërt komunitetet.
Hulumtuesi i këtij studimi, Agron Bajrami, ka thënë se mbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë nuk duhet të jetë edhe përfundimi i përpjekjeve për zbatimin e pakos së Ahtisarit apo të elementeve të saj të paplotësuara.
Sa i përket veriut dhe dialogut me Serbinë, Bajrami ka thënë se rekomandimi eksplicit është që edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe Qeveria e Kosovës, nuk duhet të lëvizin nga pozicioni i përmbushjes së pakos së Ahtisarit në veri dhe mosnegocimit të kësaj pakoje, qoftë me Serbinë apo me dikën tjetër.
Por, sipas tij, në bazë të asaj që po shihet, zgjidhja ndryshe për veriun jashtë pakos së Ahtisarit po ndodh.
“Pyetja nëse do të mund zgjidhja më shpejt të sjell një opsion një zgjidhje ndryshe është diçka që edhe po ndodh ky është një vlerësim i imi i bazuar në gjitha ato që po i dëgjojmë kohëve të fundit për mundësinë e përfshirjes së veriut në bisedime të reja të nivelit politik. Për këtë arsye, rekomandimi ekziston i veçantë në raportin për hulumtimin tonë se nuk duhet të lejohet që çështja e veriut të jetë pjesë e dialogut politik mes Beogradit dhe Prishtinës, Kosovës dhe Serbisë, dhe po ashtu nuk duhet të lejohet të forcohet insistimi edhe i Qeverisë së Kosovës, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare se zgjidhja për veriun është e gjetur por tash duhet gjetur mënyrat për zbatimin e saj”, ka theksuar Bajrami.
Për më tepër, ai ka shtuar se moszbatimi i pakos në veri nuk ka qenë vetëm e mungesës e vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare apo Zyrës Civile Ndërkombëtare, por edhe të pengesave në teren për zbatimin e saj.
“Çdo tendencë e daljes nga kjo zgjidhje që tashmë është verifikuar edhe me dokumentacionin kosovar dhe me Kushtetutën e Kosovës, me pakon e Ahtisarit do të shkaktoj më shumë probleme se sa zgjidhje”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, hulumtuesi Lumir Abdixhiku nga Instituti Riinvest, në kapitullin që ka të bëjë me ekonomi, ka thënë se disa çështje Kosova ende nuk i ka definuar me Serbinë, edhe pse ka qenë e paraparë në bazë të pakos së Ahtisarit.
“Siç e dini në negociatat e Vjenës, Kosova ka marrë përsipër borxhin deri në vitin ‘89, mirëpo pjesa prej vitit ‘89 është e padefinuar. Kosova me të drejtë ka refuzuar të marrë këtë borxh, mirëpo sipas planit të Ahtisarit është dashur që brenda gjashtë muajve të periudhës kohore të implementimit të pakos, të caktohet një arbitrar ndërkombëtar, në mënyrë që të definohet pjesëmarrja e Kosovës në këtë borxh dhe rrjedhimisht edhe pjesëmarrja e Kosovës në trashigiminë e ish-Jugosllavisë. Këto dy gjëra nuk kanë ndodhur dhe konsideroj se është një hap i lënë anash edhe pas përmbylljes së pavarësisë dhe nuk dihet se kush e merr përsipër rregullimin e çështjes së Kosovës në relacion me Serbinë dhe borxhin ndërkombëtar”, ka thënë Abdixhiku.
Madje, ai ka thënë se relacionet me Serbinë vazhdojnë me qenë të padefinuar edhe sa i përket pronës, ku sipas pakos së Ahtisarit, Kosova ka të drejtë 172 prona në ish-Jugosllavi. Pjesa më e madhe janë në Serbi dhe problemet thelbësore qëndrojnë në Serbi dhe Mal të Zi që hezitojnë të kthejnë të drejtat pronësore në këto ndërmarrje.
Gjithashtu, sipas pakos së Ahtisarit, ishte dashur të kthehen kopjet kadastrale brenda gjashtë muajve.
Ndërkaq, hulumtuesi për legjislacionin dhe qeverisjen, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politika, ka thënë se në bazë të studimit del që sfida e parë për Kosovën pas përmbylljes së pavarësisë është baza juridike e misionit të EULEX-it në Kosovë.
Sipas tij, kjo çështje duhet me u precizuar me një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Raporti i ynë tregon që për të bërë legjitim misionin e EULEX-it në nivel të brendshëm nevojitet që të ketë një marrëveshje bilaterale mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës dhe që realisht prezenca e tillë të jetë e precizuar në kohë dhe të mos ketë asnjë bazë në rezolutën 1244 dhe në kapitullin e shtatë të Kartës së Kombeve të Bashkuara me qenë se EULEX-i është një mision teknik i shtetëndërtimit dhe nuk përbën një mision paqeruajtës, siç ka mundur të jetë në vitin ‘99. Prandaj, prezenca e EULEX-it dhe legaliteti i brendshëm në Kosovë duhet që të rregullohet përmes një marrëveshje bilaterale ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Korenica.
Forumi 2015 është projekt i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, i cili merret me çështje të rëndësisë politike, ekonomike, sociale të Kosovës e që kanë të bëjnë me avancimin e vendit tonë drejt integrimeve euroatlantike./kosovapress/