Podolski: Arsenali ka potencial për titull

Sulmuesi gjerman dhe Santi Cazorla shënuan golat e fitores në Anfield Road, pas dy barazimeve pa gola ndaj Sunderlandit dhe Stoke Cityt.
“Kur luan ndaj ekipeve si Sunderland dhe Stoke dhe nuk i merr nga tri pikë në secilin takim, mund të presësh atmosferë jo të mirë. Mirëpo, ne jemi ekip i madh dhe duam ta fitojmë çdo takim. Nga dy ndeshjet e para i morëm vetëm nga një pikë, që nuk ishte gjë e mirë. Mirëpo, nëse luajmë njëjtë si me Liverpoolin, më pas do të luftojmë për titull”, theksoi ish futbollisti i Bayern Munichut dhe Kolnit.
“Premierliga është një ligë që fitohet mjaft vështirë. Nuk është njëjtë si në Spanjë, ku Real Madridi dhe Barcelona luftojnë për titull në La Liga. Në Premierligë, duhet të luftosh me 5-6 ekipe, që e duan titullin. Ne jemi njëri nga ta dhe duhet të luftojmë. Kemi edhe 35 ndeshje dhe duhet të luajmë njëjtë siç bëmë me Liverpoolin”, përfundoi Podolski, i cili e lavdëroi edhe menaxherin Arsene Wenger.