E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shullazi pranë lirimit nga burgu

Dënohet me 7.4 vjet burg nga Krimet e Rënda. U arrestua në vitin 2006

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar dje me 7 vjet e katër muaj burg Emiljano Shullazin, i hetuar dhe gjykuar për veprat penale të shpërndarjes së lëndës narkotike. Me të njëjtën masë dënimi është dënuar edhe “ortaku” i tij, Ergys Ferhati. Ata kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe duke llogaritur kohën që kanë kaluar në paraburgim rezulton se pas një viti e gjysmë do të lënë qelinë. Shullazi dhe Ferhati janë arrestuar nga policia në vitin 2006, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ata akuzoheshin se bënin pjesë në një rrjet që e dërgonte heroinën në një laborator përpunimi në Milano gjatë 2004-s dhe materialet e dosjes kishin mbërritur nga Italia. U gjykuan dhe u dënuan nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, por gjykatat e tjera konstatuan parregullsi në formulimin e akuzës, duke e kthyer çështjen për rigjykim. Kësaj here akuza u ndryshua, duke e gjykuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Prokuroria kërkoi si masë dënimi 8 vjet e 8 muaj burg për dy të pandehurit, duke llogaritur edhe gjykimin e shkurtuar, ndërsa gjykata e ka ulur masën e dënimit në 7.4 vjet heqje lirie.

Sipas vendimit të djeshëm, është provuar se të pandehurit Shullazi dhe Ferhati në bashkëpunim edhe me personat e tjerë tashmë të dënuar, kanë kryer veprën penale të “shpërndarjes së lëndëve narkotike” nga Turqia në Shqipëri me destinacion Italinë. Të pandehurit, në bashkëpunim me persona të tjerë, siguronin drogën nga Turqia me ndihmën e një “furnizuesi” turk me emrin Mehmet dhe më pas nga Shqipëria e dërgonin atë në laboratorin e përzierjes që ndodhej në Milano të Italisë. Brenda një viti, autoritetet italiane kanë mundur të sekuestrojnë rreth 54.4 kg heroinë dhe 100 kg lëndë e përdorur për përzierës droge që transportohej nga korrierë shqiptarë, kroatë, turq, italianë e gjermanë. Kjo sasi droge është dërguar prej dy grupeve nga Shqipëria, por në role të ndryshme dhe që furnizoheshin nga i njëjti person në shtetin turk me emrin Mehmet. Droga lëvizte në itinerarin Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri, e më pas dërgohej në Itali me transportues të ndryshëm.

Pavarësisht akuzave, asnjë nga dy të pandehurit nuk ka pranuar ato, duke i cilësuar si të montuara nga prokuroria italiane dhe shqiptare. Dy të dënuarit e djeshëm, në janar të 2009-s janë deklaruar fajtorë nga kjo gjykatë, nga një trup tjetër gjykues. Ata janë dënuar me nga 13 vjet secili, por Gjykata e Apelit për Krime të Rënda këtë dosje e ka kthyer mbrapsht, duke shfuqizuar vendimin e dhënë për shkelje procedurale. Nga përllogaritja e ditëve të paraburgimit, të pandehurve Shullazi e Ferhati u duhet të kryejnë edhe një vit e gjysmë muaj burg. Megjithatë, ata mund të përfitojnë edhe nga masat alternative të dënimit, siç janë lirimi me kusht që parashikohen nga Shërbimi i Provës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›