E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shqiptarët e arrestuar ishin arratisur nga burgu

Përplasja në Greqi Emigranti i vrarë, shqiptar. Avokati deklaron se u qëllua me tetë plumba, por nga policia

Zbardhet mekanizmi i ngjarjes së rëndë në Greqi, ku rezulton se personi i vrarë është emigrant shqiptar. Policia greke ka publikuar emrat e dy grabitësve shqiptarë, të cilët rezultojnë se janë të arratisur nga burgjet. Madje, media greke e ka cilësuar operacionin e policisë të dështuar dhe ka hedhur kritika të ashpra mbi policinë. Ndërsa për viktimën gjatë përplasjes me armë, emigranti shqiptar Niko Toti, mediat kanë deklaruar se ishte vrarë nga plumbat e policisë greke, kurse dy shqiptarët e arrestuar mbajnë mbi supe 37 grabitje në banka e posta. Siç bëhet e ditur nga policia e shtetit helen, ata janë dy emigrantë Sandër Pemja dhe Marian Kola. I pari mori leje 8-ditore nga burgu i Larisës në datën 27 nëntor 2009 dhe nuk u kthye më, pavarësisht se ishte dënuar me 26 vjet burg për shumë grabitje.

Ndërsa i dyti, Marian Kola, i cili regjistron edhe fillimin e ngjarjeve, ishte arratisur nga Komisariati i Thivës pak kohë më parë. Në atë kohë u shkarkuan nga puna tre policë për arratisjen e tij. Bëhet fjalë për një drejtor plotësues dhe dy oficerë policie, nga të cilët njëri ishte shef i rojës dhe i dyti një nga transportuesit që kishte shkuar të marrë të burgosurin. Ai ishte transferuar nga burgu i Grevenasë në Thivë që t’i bëhej gjyqi. Në mëngjes, pak para se të kthehej në burgun e Grevenasë, kërkoi të shkojë në tualet. Pas disa minutash doli nga banja me një pistoletë në dorë, që e kishte fshehur një shoku i tij. Duke kërcënuar policët, ai arriti të ikë duke vrapuar.

Ngjarja tjetër ndodhi tre net më parë. Rreth orës 23.45 të së hënës, dy policë të Komisariatit të Marusit panë një makinë të dyshimtë që po vinte rreth e rrotull lagjes në rrugën Egialias. Ata e ndaluan dhe para se të bënin kontrollin, dy personat që gjendeshin në makinë nxorën armët dhe u drejtuan te policët. Polici që gjendej në sediljen e djathtë doli nga makina dhe u ul me armën gati për të qëlluar. Ndërsa policit që ishte në timon i vunë armën në kokë. Në këtë kohë u dorëzua edhe polici tjetër. Grabitësit, që ishin pikërisht Sandër Pemja dhe Marian Kola, iu morën armët dhe jelekët antiplumb dhe më pas i lidhën në sediljen e pasme të makinës së policisë. Jelekët antiplumb u gjetën disa metra më poshtë. Disa minuta më vonë, dy policë me motoçikleta vunë re makinën e dyshuar dhe i dhanë sinjal për të qëndruar, mirëpo njëri nga kriminelët qëlloi ndaj uniformave blu.
Një ditë më vonë, pikërisht të martën, policia shkoi në Virona për të arrestuar dy të dyshuar për vrasje dhe grabitje. Policia po i priste jashtë banesës së tyre. Kriminelët e panë policinë dhe u futën në një furrë buke. Aty mbajtën peng punonjësit. Forca të tjera të policisë shkuan në vend dhe kërkuan që këta të dorëzohen. Dy shqiptarët hodhën drejt policëve pesë granata, nga të cilat plasën katër dhe u plagosën dy policë e një qytetar. Ata u shoqëruan për në spital, por 25-vjeçari, i cili rezulton emigranti shqiptar Niko Toti, e që punonte si hidraulik, vdiq gjatë rrugës. 25-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë të vogël. Ai po shkonte te pronari, në një banesë aty afër, për të lënë disa materiale.

Pas përplasjes me armë dhe arrestimit të dy shqiptarëve, në vendin e ngjarjes u gjet pistoleta e njërit prej policëve të grabitur. Mediat greke deklaruan se e gjitha erdhi nga paaftësia e policisë, që i priste poshtë pallatit, pa pasur kujdes se ndoshta dy shqiptarët mund të kuptojnë dhe mund të ndodhë ajo që ndodhi. “Paaftësia e policisë greke bëri që dy kriminelët të qëllojnë ndaj policisë, ku u plagosën dy efektivë dhe gjeti vdekjen një 25-vjeçar minoritar, i martuar dhe me një vajzë 18-muajshe. Një ditë pas kësaj ngjarjeje, opinioni grek ndryshon për shqiptarët. Në një kopsht në zonën e Pireut, fëmijët (siç dëgjojnë në shtëpi) nuk bënin shoqëri me shqiptarë, pasi thoshin se janë vrasës”, deklarojnë mediat greke. Sakis Kehagioglu, avokati i dy shqiptarëve, që hodhën granatat në drejtim të policëve, tha se tetë plumbat që shpuan trupin e fatkeqit Niko Toti nuk janë nga armët e klientëve të tij, por nga armët e policëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›