Librazhd, hetohen policët dhe prokurorët e viteve 94-96
Hetimet rreth vrasjeve të 55-vjeçarit Haki Miska në fshatin Prevallë të Librazhdit implikojnë edhe zyrtarë të policisë dhe prokurorisë. Burime konfidenciale nga policia dhe prokuroria e Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet rreth ish-kolegëve të tyre në policinë dhe prokurorinë e rrethit të Librazhdit. Mësohet gjithashtu, se kohë pas kohe nga fshati Prevallë janë dërguar në polici dhe prokurori letra anonime që denonconin krimet e Haki Miskës, por ato asnjëherë nuk janë marrë seriozisht. Komuniteti i vogël i fshatit Prevallë, i çliruar nga frika e vrasësit Miska, ka nisur të bashkëpunojë me organet policore dhe historia e krimeve të tij ka nisur të zbardhet. Jo pak banorë të Prevallës bëjnë fajtore Policinë e Librazhdit për indiferencë, paaftësi dhe lidhje të dyshimta me vrasësin. Akuzat hidhen edhe mbi prokurorët e viteve 1994-1996 që lejuan mbylljen e dosjeve për tri vrasje. Fshatarët tregojnë se i gjithë fshati e dinte se gruaja e Haki Miskës nuk ishte larguar nga shtëpia, por ishte vrarë. Por askush nuk guxonte të fliste, përderisa pas arrestimit për këtë zhdukje, Miska nuk qëndroi më shumë se 72 orë në polici. Në kohën kur kreu vrasjen e ish-bashkëshortes, Mimozës, që sapo kishte mbushur 32 vjeçe, Miska doli pa lagur, pasi prokurori I.B., i cili sot është punonjës i një fondacioni kredidhënieje në Elbasan, e mbylli dosjen për mungesë provash. Ndërsa për vrasjen e Gani Brukut, në ditën që ai mbushi 60 vjeç, edhe pse kufoma kishte shenja dhune, policia mbylli sytë dhe pranoi versionin e rënies nga pema. Tri ditë pas kësaj vrasjeje, Haki Miska është parë duke drekuar me oficerë të Policisë së Librazhdit, të cilët nuk shkuan në fshat as për të këqyrur pemën nga ku kishte “rënë” 60-vjeçari. Ndërsa për vdekjen e mësuesit të fshatit Funarëz, Qamil Lluka, Miska nuk u thirr asnjëherë në polici, edhe pse ai ishte shoqëruar me viktimën ditën e vdekjes. Nga burimet policore mësohet se edhe vrasja e fundit e monstrës së Prevallës ka lidhje me tri të parat. Sipas këtyre burimeve, pak ditë para krimit, Dije Bruku i kishte thënë mbesës së saj se do t’i tregonte një sekret shumë të rëndësishëm të familjes. Sekreti mendohet të ketë qenë varri i gruas së Haki Miskës, por nëna e tij nuk mundi të fliste, pasi u masakrua me sëpatë.
#