Ska ujë, banorët shkrijnë dëborën për ta pirë
Mungesa e ujit dhe çarja e tubacioneve në fshatin Maliq të Korçës, ka detyruar banorët të përdorin dëborën e shkrirë. Ata kanë dy javë që po pinë dëborën që shkrin, ndërsa në të gjitha shtëpitë e fshatit shikon kova dhe fuçi poshtë çative për të grumbulluar ujin që derdhet nga ullukët. Reshjet e fundit të dëborës, që kanë shkuar deri në 50 cm në këtë zonë, kanë shkaktuar rrëshqitjen e tokës dhe për pasojë edhe çarjen e tubave dhe dëmtimin e krejt rrjetit. Banorët thonë se defekti ka dy javë që nuk riparohet dhe të mbetur pa ujë kanë gjetur si zgjidhje përdorimin e dëborës. “Ne do të vdisnim për ujë po të mos kishte dëborë gjatë këtyre ditëve. E shkrijmë për ta pirë se nuk ka asnjë mundësi tjetër”, thotë një nga banorët e fshatit Maliq. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, thotë se përgjegjësia është e Drejtorisë së Ujësjellësit që nuk po menaxhon siç duhet situatën. Por, sipas Drejtorisë së Ujësjellësit, në atë zonë është e pamundur të kryhen punime, sepse depoja e ujit është ndërtuar në një terren të rrëshqitshëm.
#