Shkarja e dheut lë pa çati 30 familje
Tridhjetë shtëpi janë bërë të pabanueshme në një fshat të Komunës Kryevidh të rrethit të Kavajës. Erozioni po kthen në të pabanueshëm krejt fshatin, pasi rrëshqitjet e tokës janë shfaqur kudo dhe në rrugë, ku asfalti është çarë. Familjarët janë detyruar të braktisin shtëpitë dhe të strehohen te të afërmit, ndërsa vuajnë pasojat e një fenomeni që gjithnjë e më shumë bëhet i pranishëm në zona të ndryshme të Shqipërisë së Mesme. çdo ditë pak nga pak erozioni ka shkaktuar plasaritje të banesave dhe rrugëve, duke i kthyer shtëpitë në të pabanueshme. “Kemi jetuar çdo ditë me rrezikun derisa u detyruam t’i braktisim, e tani s’kemi ku të fusim kokën”, thotë e shqetësuar një grua. Banorët tregojnë se për të verifikuar situatën kanë mbërritur nga Tirana ekspertë të tokave dhe ata të sizmologjisë, si dhe drejtues të komunës, por ende askush nuk ka bërë vlerësime të dëmeve dhe t’u japë një zgjidhje për strehimin e tyre. Rrëshqitjet e dherave që po pasojnë njëra-tjetrën në zona të ndryshme e bëjnë situatën kritike dhe nevojën për të ndërhyrë e kthejnë në emergjencë.
#