E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sivjet rendimentet shumë më të mira të grurit

Nga Express më 24 korrik 2011 në ora 21:42

Fushata e korrje-shirjeve në Kosovë është duke u zhvilluar si duhet dhe deri tani janë kryer rreth 95 për qind e sipërfaqes së mbjellë me grurë. Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë thonë se në bazë të rendimenteve të deritashme, prodhimi vendor mund të plotësojë deri në 70 për qind të nevojave të konsumit në Kosovë. Ndërsa edhe pse janë të kënaqur me rendimentet e sivjetme, përfaqësuesit e Federatës së Bujqve të Kosovës shprehen skeptik nëse mund të plotësohen mbi 50 për qind të nevojave të vendit.

Sivjet fushata e korrje-shirjeve nëpër komunat e Kosovës ka filluar me kohë dhe ajo po vazhdon të kryhet sipas planifikimeve. Sipas matjeve që janë bërë nga ekspertët e bujqësisë nëpër komuna, këtë vit rendimentet pritet të jenë mbi 4 mijë kg për hektarë.

Këshilltari i ministrit të Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nga departamenti i Sektorit të Drithërave, Avdullah Isufi ka thënë për Kosovapress se fushata e korrje-shirjeve është duke u zhvilluar sipas planifikimit dhe pa probleme, kjo falë edhe kushteve të mira klimatike.

“Deri më tani janë kryer mbi 95 për qind e sipërfaqeve së mbjella me grurë. Mund të themi se nga mesi i javës së ardhshme do të përfundoj ky proces, i cili gjatë tërë kohës nuk ka pas ndërprerje, për shkak se nuk kemi pasur të reshura, dhe kemi arritur rendimente mjaft të mira. Mund të themi që sivjet, sipas shënimeve që i kemi nga tereni dhe që vinë vazhdimisht, mund të thuhet se është viti rekord prej pasluftës, ku rendimenti mesatar presim të jetë nga 4 deri në 5 tonë”, ka thënë ai.

Madje, Isufi thotë se në bazë të rendimenteve të deritashme, prodhimi vendor mund të plotësojë deri në 70 për qind të nevojave të konsumit në Kosovë.

“Në bazë të të dhënave që i kemi dhe rendimentet të cilat janë duke u sjellë, mund të konsiderohet që sivjet do t’i përmbushin 70 për qind të nevojave të popullatës së Kosovës me grurë”, është shprehur ai.

Të kënaqur fushatën e korrje-shirjeve dhe me rendimentet e sivjetme të grurit janë edhe përfaqësuesit e Federatës së Bujqve të Kosovës. Por kryetari i kësaj federate, Tahir Tahiri thotë se pa marrë parasysh përqindjen e lartë të rendimenteve të grurit, nuk mund të plotësohen më shumë se 50 për qind e nevojave dhe vendi do të ketë varshmëri nga importi.

“Duke u mbështetur në këtë rendiment të mirë, ne si sindikatë dhe në bashkëpunim me mullisët dhe me ata të cilët merren me tregtimin e grurit dhe miellit kemi një informacion se do të plotësohet deri në 50 për qind nevojat për bukë në Kosovë. Dikush jep informata tjera se ndoshta 70 për qind, mirëpo ne si sindikatë konsiderojmë se afro 50 për qind të nevojës së konsumit të bukës i plotëson ky vit”, theksoi Tahiri.

Sipas tij, edhe pse këtë vit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndihmuar bujqësinë, situata e rënd sjell nevojën e një subvencionimi dhe përkrahje më të madhe për bujqit e Kosovës.

Nga ana tjetër edhe bujku, Gain Dobratiqi, vlerëson se procesi i korrje-shirjeve ka shkuar mirë, pasi që kushtet klimatike kanë qenë tejet të favorshme. Sipas tij, rendimentet këtë vit janë dukshëm më të mira se sa në vitet e kaluara, por shprehet i pa kënaqur me vonesat e subvencioneve.

“Unë mendoj se Ministria e Bujqësisë ka filluar pak me vonesë për çdo subvencion. Ka qenë subvencionimi i autokombajnave 25 për qind me naftë, pasi që kam edhe kombaj e di se kanë ardhur shumë me vonesë. Minimumi duhet që dy muaj më herët të bëhen përgatitjet dhe të jepet subvencionimi. Po ashtu, kemi problem edhe për marrjen e naftës”, tregoi Dobratiqi.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë gjatë këtij viti ka mbështetur me 3.2 milionë euro mbjelljet e grurit. Po ashtu, për fushatën e korrje-shirjeve, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për subvencionimin e pronarëve të autokombajnave, të cilët kanë përfituar derivate të naftës me çmim rreth 30 për qind më të lirë sesa çmimi aktual. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›