Shumë pas Raskajt

Anel Raskaj e pati një sezon të suksesshëm në Norvegji me ekipin Sandnes Ulf. Si rezultat i kësaj, ai është bërë objektiv i disa skuadrave nga Suedia dhe Norvegjia.
Kontrata e tij është në përfundim e sipër pas përfundimit të sezonit, ngase ai kishte shkuar për një periudhë afatshkurtër në Sandnes Ulf nga Halmstadi. Tash ai ka synime më të mëdha dhe opsionet nuk mungojnë.
“Deri tash kam luajtur në ekipe të nivelit të lartë si Halmstadi e Sandnesi. Me gjithë respektin për to, do të doja ta provoj veten në një skuadër dominuese dhe më të madhe”, deklaroi Raskaj për ueb faqen fotbolldirekt.se.
“Elfsborgu dhe Malmo janë opsione në Suedi. Kurse në Norvegji janë Rosenborgu, Mode dhe Stromsgodset. Kështu që do të ishte zbavitëse ta provoj ndonjërin nga këto klube, edhe pse konkurrenca është e fortë, sepse këto ekipe kanë mesfushorë kualitativë”, vazhdoi ai.
Ai ndihet i kënaqur me atë që dha për Sandnesin gjatë këtij sezoni, ndërsa është kandidat për ta fituar çmimin e lojtarit më të mirë në rajonin ku luan.
“Ishte vërtet një eksperiencë zbavitëse. E kam bërë sezonin më të mirë në karrierë. Ka edhe futbollistë tjerë të mirë që luftojnë për këtë çmim, kështu që ishte befasuese që jam zgjedhur në këtë listë”, përfundoi ai.
Përfaqësuesi kosovar e kishte nisur karrierën në skuadrën e Lirisë së Prizrenit, para se të lëvizte me familje drejt Suedisë, kur ishte 14 vjeç.