Izolimi, drejt fundit

Vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që ia bënë Kosovës, po shihen me një sy shumë pozitiv nga autoritetet e sportit në vendin tonë.
Inspektimi që ia bënë sportit kosovar drejtori i IOC-së për marrëdhënie me komitete olimpike të vendeve anëtare të tij, Pere Miro bashkë me zëvendësin e tij, Jerome Poivey, e po ashtu vizita paraprake e anëtarit tjetër të Bordit të IOC-së, respektivisht presidenti i Federatës Botërore të Boksit Amator (AIBA), Ching Kuo Wu, po vlerësohen lart nga udhëheqësit e sportit kosovar.
Këta njerëz, me vizitat që ia bënë Kosovës, u kanë dhënë shpresa të mëdha autoriteteve të sportit kosovar se izolimi për ta po shkon drejt përfundimit.
Kështu mendon edhe Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila në asnjë mënyrë nuk po ia del të anëtarësohet në UEFA e FIFA, pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme.
“Vetë ardhja e këtyre njerëzve në Kosovë tregon se IOC-ja dhe instancat tjera ndërkombëtare kanë filluar ta shikojnë seriozisht çështjen e sportit kosovar. Kjo është diçka e mirë. Sigurisht se këto vizita janë shpresëdhënëse për ne që sa më shpejt ta thyejmë izolimin”, ka deklaruar Vokrri për Express.
Në anën tjetër, vizitat e zyrtarëve të lartë të IOC-së i kanë dhënë shpresë edhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) se dita e anëtarësimit të saj në FIBA po afrohet.
“Çdo vizitë e tillë që i bëhet vendit tonë, në vete përmban diçka pozitive, sepse ata njerëz do të bartin me vete informacione se si funksionon sporti, në ç’gjendje është, e të gjitha ato do t’i transmetojnë në vendin ku i kryejnë funksionet e tyre. Vizitat dhe takimet e ngjashme mes ndërkombëtarëve e kosovarëve sigurisht se e përshpejtojnë procesin e hapjes së dyerve për sportin kosovar. Ne jemi të bindur se ndërkombëtarizimi i plotë i sportit tonë do të ndodhë shumë shpejt”, thotë sekretari i FBK-së, Nazmi Paçarada.
Këto vizita të zyrtarëve të lartë të IOC-së me sy të njëjtë janë shikuar edhe nga kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani dhe nga ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Madje, ky i fundit tashmë ka paralajmëruar se bashkë me Hasanin shumë shpejt do të aplikojnë për pranimin e KOK-ut në IOC, por pa saktësuar ndonjë datë.
Mirëpo, ka edhe të atillë që nuk presin rezultate edhe aq pozitive nga vizitat e këtyre zyrtarëve të lartë të IOC-së që ia bënë vendit tonë.
“Unë isha në ato takime, por ata nuk na thanë diçka konkrete, përveç asaj që do të vijnë ditë më të mira për sportin kosovar. Por, nuk sqaruan kur do të vijnë ato ditë apo edhe sa duhet pritur. Ata vetëm na thoshin se kanë ardhur me leje të kryetarit të IOC-së dhe se do t’i raportojnë IOC-së për Kosovën, por pa paralajmëruar konkretisht se çka mund të përfitojmë diçka nga gjithë kjo situatë”, tha një zyrtarë i një federate sportive, që ishte pjesë e takimeve me të dërguarit e IOC-së.
Duhet theksuar se vizita e Ching Kuo Wu, por edhe kjo e Pere Miro dhe Jerome Poivey nga autoritetet e sportit të Kosovës vazhdimisht po vlerësohen si më të rëndësishmet që i ka pasur ndonjëherë sporti kosovar.
Kjo ka bërë që ata tani ta shohin veten më afër organizatave ndërkombëtare të sportit, të cilat vërtet duket se kanë filluar ta zbutin qëndrimin karshi Kosovës, të cilën deri më tani e kanë injoruar me të madhe.