Gjigantët evropianë, pas talentit kosovar

Talenteve të shumtë shqiptarë në futbollin gjerman u është shtuar edhe i riu Donis Avdijaj, i cili ka filluar të bëjë bujë. Skuadrat e mëdha evropiane ia kanë vënë syrin talentit kosovar, i cili po mahnit me aftësitë që ka.
Dinak, konkret, i ftoftë, i pamëshirshëm, modern dhe më e rëndësishmja, statistika të ‘tmerrshme’ janë këto disa nga elementet që e veçojnë këtë lojtar nga bashkëmoshatarët e tij. I lindur në vitin 1996, ai luan në ekipin U-17 të Schalkes dhe ndërkohë është pjesë e përfaqësueses gjermane për të rinj.
Ai pëlqehet nga Bayerni në Gjermani, Juventusi dhe Interi në Itali dhe Arsenali e Liverpooli në Angli, shkruan ueb faqja italiane calciomercato.com. I lindur në Osnabruck të Gjermanisë, por me prindër kosovarë, Avdijaj është një lloj lojtari që i ka bërë për vete trajnerët, zyrtarët e klubeve dhe gazetarët.
Ai ishte protagonist në kualifikimet për Evropianin U-17, i cili do të mbahet në Sllovaki në mes të muajit maj dhe qershor të vitit të ardhshëm, duke zhvilluar 5 ndeshje, prej tyre 6 gola dhe 5 asistime e duke qenë i pandalshëm për skuadrat kundërshtare.
Sulmuesi i ri kosovar ka realizuar 21 gola dhe 6 asistime në 11 ndeshje të zhvilluara me ekipin e të rinjve të Schalkes. Klubi gjerman e ka kuptuar se për ta mbajtur do të jetë problem, për faktin se ka oferta nga klube të njohura dhe për shkak se nuk ka nënshkruar ende kontratë profesioniste me ekipin bardh e kaltër.
Paraqitjet e tij impresionuese kanë bërë që skuadrat e njohura evropiane t’i vënë në funksion skautët e tyre për ta vëzhguar më nga afër talentin kosovar, i cili duket të jetë një qendërsulmues klasik me perspektivë të pamohueshme.