E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë pretendentë

Kampionati i sivjetmë i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, secilën herë po shkon duke u bërë më interesant, sepse shumë skuadra po luftojnë për t’u stolisur me titullin e kampionit.

Trepça, Flamurtari, KEK-u, Besa e Prishtina aktualisht janë pesë skuadrat e para në tabelën e klasifikimit. Trepça aktualisht ka 41 pikë, Flamurtari është i dyti me dy pikë më pak sesa lideri, kurse KEK-u i ka 38 pikë të tubuara. Ndërsa, Besa e Prishtina ndajnë pozitat katër e pesë me nga 36 pikë.

Pra, kur kanë mbetur edhe nëntë xhiro deri në fund të kampionatit, skuadrën e pestë në tabelë e ndajnë vetëm pesë pikë nga ekipi i pozitës së parë.

Njohësit e futbollit kosovar parashikojnë se këto pesë skuadra do të luftojnë deri në xhiron e fundit për titullin e kampionit, dhe se deri atëherë asgjë nuk do të dihet.

Megjithatë, sipas tyre, kandidatë më seriozë janë Trepça, Besa e Prishtina, derisa Hysi në vazhdim të garave do ta ketë shumë vështirë ta arrijë objektivin kryesor që e kishte – titullin e kampionit.

Trajneri mitrovicas, aktualisht i lirë, Fahredin Duraku thotë se në xhirot e ardhshme do të rritet edhe më shumë shikueshmëria nëpër stadiume, sepse kampionati po bëhet jashtëzakonisht interesant.

Sipas tij, orari i ndeshjeve do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e skuadrës së re kampione.

“Pesë skuadrat e para aktuale të tabelës do të luftojnë deri në fund për titull. Mendoj se ekipi që ka orarin më të mirë, edhe do të bëhet kampion. Mund të ndodhë që kampion të bëhet ndonjë ekip nga plani i tretë. Pra, nuk është befasi nëse Trepça nuk shpallet kampion”, tha Duraku.

“Edhe pse ka humbur në dy ndeshjet e fundit, mendoj se Besa ka gjasa më të mëdha për ta fituar titullin. Por, kandidat i fortë është edhe Prishtina, e cila po luan shumë mirë. Pra, mendoj se njëra prej këtyre dy skuadrave do të stoliset me titull, sepse po luajnë me zemër, gjë që nuk po e bën lideri Trepça”, shtoi ai.

Ndërsa, trajneri më i mirë i vitit 2009, i zgjedhur nga Federata e Futbollit e Kosovës, Erdogan Celina, pohon se Trepça dhe Prishtina janë skuadrat më favorite për titull, sesa ekipet e tjera.

“Trepça dhe Prishtina do të luftojnë deri në xhiron e fundit për titull, normalisht nëse Prishtina vazhdon ta ndjekë këtë trofe me seriozitet. Por, në rast se dorëzohet Prishtina më herët, atëherë pa kurrfarë dyshimi them se Trepça do të shpallet kampion”, tha Celina.

Por, nuk janë vetëm Trepça, Flamurtari, KEK-u, Besa dhe Prishtina kandidatë për titullin e kampionit. Gjasa për ta fituar këtë trofe kanë edhe Hysi e Lira që ndajnë pozitat gjashtë dhe shtatë në tabelë, me nga 34 pikë të mbledhura. Të dyja këto ekipe kanë vetëm nga shtatë pikë më pak sesa lideri, Trepça.

Përpos luftës për titull, interesant po bëhet edhe lufta për mbijetesë ndërmjet Gjilanit, Kosovës së Vushtrrisë dhe Vëllaznimit. Në këtë luftë, sipas njohësve të futbollit kosovar, fare lehtë mund të përfshihen edhe Ferizaj e Drenica.

Dy skuadrat e fundit të tabelës do të bien një rang më të ulët të garave, derisa skuadra që radhitet në vendin e dhjetë do të luajë në barazh me ekipin e tretë nga Liga e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›