E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjeli: Tek Arisi po më diskriminojnë

Mbrojtësi kuqezi thotë se do të kërkojë largimin në janar, por nuk është optimist se klubi do ta lërë të lirë

Në klubin selanikas të Arisit as që duan t'ia dinë fare se një lojtar i tyre mbulon në mënyrën më të mirë një nga yjet e futbollit, si Kristiano Ronaldo. Mosaktivizimi prej shumë ndeshjesh i mbrojtësit të kombëtares, Kristi Vangjeli, tek Arisi, po e dëmton shumë karrierën e 23-vjeçarit. Trajneri Kike Hernandez dhe presidenti i klubit, Lambros Skordhas, kanë bërë memecin, kur shqiptari u ka kërkuar llogari për këtë situatë të pakuptimtë. Mungesa e arsyeve për mosaktivizimin e ka mërzitur më shumë mbrojtësin kuqezi, i cili ndër të tjera ka thënë se ndihet i diskriminuar në klubin ku ka dhënë shumë.

- Pas prezantimit të mirë me kombëtaren, vetë mediat greke bënë të ditur se do të ktheheshit titullar te Arisi, por ndodhi e kundërta. Si e shpjegoni këtë situatë?

- Ashtu është, madje disa herë përpara ndeshjeve stërvitem me pjesën e lojtarëve titullarë, por kur vjen puna për të luajtur, trajneri aktivizon të tjerë. Jam tejet i mërzitur për këtë situatë mjaft të keqe që po kaloj tek Arisi, një klub ku kam dhënë shumë. Nuk po arrij ta kuptoj se pse nuk aktivizohem. Nuk ka asnjë arsye për këtë, pasi jam në formë shumë të mirë. Ndoshta në klub duan që unë të mos luaj dhe në këtë mënyrë po më dëmtojnë.

- Keni kërkuar llogari te trajneri apo drejtuesit e klubit për këtë mosaktivizim kaq të gjatë?

- Natyrisht që po, por si trajneri apo drejtuesit e klubit, nuk më kanë dhënë asnjë arsye. Kjo më ka revoltuar edhe më shumë, sepse jam pjesë e këtij ekipi prej vitesh dhe e meritoj të sqarohem. Duke parë të gjithë faktorët, shikoj që po diskriminohem dhe e cilësoj gati skandaloz mosaktivizmim. Jam shumë i paqartë për këtë që po më ndodh, sepse kurrsesi nuk e kisha pritur.

- Mos ndoshta kjo vjen si pasojë e konkurrencës në ekip?

- Absolutisht jo. Unë jam një lojtar që i pranoj vendimet e trajnerit, por duke parë gjendjen e skuadrës, në asnjë mënyrë nuk duhet të qëndroj në stol apo tribunë. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe kapiteni i ekipit, Nebrelaras, ka thënë që tek Arisi nuk po luajnë ata që janë në formë.

- Kur të hapet merkatoja, do të kërkoni largimin nga Arisi?

- Sigurisht, ashtu siç bëra edhe një vit më parë, në kohën kur trajner ishte Dushan Bajeviç. Me hapjen e merkatos, do të flas me presidentin për t'i kërkuar largimin. Pa luajtur nuk mund të vazhdohet, aq më tepër kur bën pjesë edhe në ekipin kombëtar. Megjithatë, parashikoj se largimi gjatë janarit do të jetë i vështirë. Këtë e them, pasi i njoh mirë drejtuesit e klubit. Nëse nuk më lënë të lirë, do të pres fundin e sezonit, kur dhe kontrata ime me Arisin mbyllet. Shpresoj që kjo periudhë e keqe të kalojë shpejt, sepse kush është ai futbollist që nuk do të luajë?

- Pas ndeshjes me Portugalinë, u fol për interesim të skuadrave holandeze dhe portugeze. Ç'mund të na thoni?

- Tani për tani është e kotë të përmend emra. Dëshira ime është që të luaj në një kampionat më të fortë se Greqia dhe besoj se kjo do të realizohet.

- Kur mendon se keni ndalur një lojtar si Ronaldo, mos ndoshta duket qesharake lënia në stol?

- Edhe vetë nuk gjej fjalë për ta shpjeguar, sepse trajneri këtu nuk do t'ia dijë. Pavarësisht se jam trajtuar në këtë mënyrë, unë kam vazhduar stërvitjen i qetë, duke duruar, por gjithsesi mërzitja është e madhe.

- Kolegët tuaj në kombëtare tregojnë se me atë menefregizëm që ka Vangjeli, mund të mbajë çdo lojtar...?

- Kur futem në fushë, nuk e mbaj mendjen se kë lojtar do të mbuloj. Të them të drejtën, edhe përballjen me Ronaldon e mora me qetësi dhe ia arrita qëllimit. Ai u nervozua shpejt dhe u bë më i kuptueshëm gjatë lojës.

Ari Han, këtë herë shikon Dinamon

Holandezi i pankinës kuqezi, Ari Han, do të jetë sërish në Tiranë, për të ndjekur nga afër ndeshjet e kampionatit shqiptar. Pasi vëzhgoi takimet Partizani-Shkumbini dhe Tirana-Besa, trajneri i kombëtares do të jetë i pranishëm të dielën, në përballjen e javës së 10-të, Dinamo-Flamurtari. Përpara se të shpallë listën e lojtarëve për miqësoren me Azerbajxhanin, më 19 nëntor, Hani kërkon të shikojë edhe një herë elementët që ka në përbërje kampionia në fuqi, Dinamo. Më pas, axhenda e trajneri kuqezi do të vazhdojë me pjesëmarrjen në Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së, që zhvillohet më 11 nëntor. Gjithsesi, pas ndeshjeve që ndoqi në fundjavën e kaluar, Hani bëri të ditur se nuk ka ndonjë që të re nga ato çfarë dinte për lojtarët e skuadrave të kampionatit shqiptar. "Nuk është se kam fituar ndonjë gjë të re nga këto që kam parë në të kaluarën. Gjithçka që dija i konfirmova, por megjithatë është e rëndësishme që të shikoj lojtarë, që edhe këta të fundit ta dinë që unë i kam nën vëzhgim. Lojtarët që janë aktualisht në ekipin kombëtar, e kanë besimin tim dhe nuk ka ndonjë ndryshim. Ata që në të ardhmen duan të jenë pjesë e kombëtares, duhet të japin shumë më tepër se kaq,"- deklaroi trajneri Ari Han pas ndeshjes Tirana-Besa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›