E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumica miraton paketën prej 819 miliardë USD

Uashington - Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka kaluar paketën stimuluese ekonomike me vlerë 819 miliard dollarë të prezantuar nga administrata e re e presidentit Obama. Anëtarët e kësaj Dhome nga partia Republikane votuan unanimisht kundër ligjit. Menjëherë pas miratimit të paketës, zoti Obama bëri një deklaratë, ku thonte se i është mirënjohës Dhomës së Përfaqësuesve për miratimin e planit. Presidenti gjithashtu paralajmëroi që diferencat partiake të mos bëhen pengesë për miratimin e paketës në Senat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, në favor të paketës nuk votoi asnjë ligjvënës republikan, duke thënë se ajo përmban shpenzime të panevojshme dhe se nuk e stimulon ekonominë, ndërsa demokratët ishin në përgjithësi të bashkuar, duke e mbështetur atë. Pas votës, zoti Obama tha se plani i rimëkëmbjes do të ndihmojë për të krijuar më shumë se 3 milion vende pune në vitet e ardhshme.

Pas dy ditë debatesh lidhur me ligjin kryesor dhe 11 amendamente, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 244 pro dhe 188 kundër paketës së stimujve.
Vizita këtë javë në Kongres e Presidentit Obama në përpjekje për të qetësuar shqetësimet e republikanëve nuk arriti ta bindë pakicën republikane të votonte pro paketës së stimujve.
Premtimi i Obamës, kur erdhi në pushtet, për të sjellë një tjetër lloj politike dhe për t'u dhënë fund ndarjeve të hidhura, duket se ra në vesh të shurdhër. Megjithë përpjekjet e reja të presidentit për të bindur kundërshtarët, republikanët përsëri votuan kundër paketës së tij ekonomike të shpëtimit.

Barack Obama dhe demokratët thonë se ligji është i rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike të Amerikës.

Paketa përfshin ulje të taskave, ndihmë për të varfërit dhe të papunët dhe miliarda dollarë për të rindërtuar rrugët dhe përmirësuar spitalet dhe shkollat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›