Përgjakja e rrugëve, si pasojë e përdorimit të pijeve alkoolike dhe motit të keq
Ndërrimi i viteve 2009-2010, ashtu si edhe ata paraardhës, vazhdon të përgjakë rrugët nacionale të vendit. Dymbëdhjetë të plagosur ka qenë bilanci i katër aksidenteve rrugore të ndodhura në Korçë dhe në Librazhd në këtë fillimvit. Kështu, mëngjesin e djeshëm, gjashtë persona kanë mbetur të plagosur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Babje. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se një makinë tip “Fuoristradë”, me targa italiane, BC860JJ, ka rrëshqitur në një kthesë përgjatë rrugës së mbuluar me akull dhe më pas është përplasur me muret mbrojtëse të saj. Automjeti është shkatërruar pjesërisht, ndërsa të gjithë personat që ndodheshin në të kanë mbetur të dëmtuar. Burimet policore pohuan se në mjet ndodheshin gjashtë persona, por vetëm njëri prej tyre ka marrë plagë të rënda. Të dëmtuarit janë transportuar fillimisht në spitalin e Rrethit të Librazhdit, ku u është dhënë ndihma e parë mjekësore. Burimet spitalore konfirmuan se të plagosurit janë: Ylli Belgo 46 vjeç, Olgerta Lila 18 vjeçe, Diana Elli 38 vjeçe, Ylvi Salla 10 vjeç, Sokrat Salla 30 vjeç dhe Naze Salla 25 vjeç, por më e rëndë, sipas mjekëve të Librazhdit, ka qenë 25-vjeçarja Naze Salla. Ajo është dërguar për në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, për t’ju nënshtruar një ndërhyrje më të specializuar.
Të dëmtuarit janë të afërm me njëri-tjetrin dhe mësohet se po udhëtonin drejt Italisë, pasi ktheheshin nga familjet e tyre, ku kishin kaluar festat e fundvitit. Ndërkaq, mësohet se shkak i aksidentit mund të jetë bërë terreni rrëshqitës me akull. Gjithashtu në Bilisht dy adoleshentë kanë përfunduar në spital natën e ndërrimit të viteve, kur për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike janë përplasur me një mjet që ndodhej pranë një muri. Ndërkaq mësohet se të plagosurit janë: Xhilda Fama 19 vjeçe dhe Dorald Zote 17 vjeç, të cilët janë dërguar për në spitalin e Korçës. Pa kaluar 24 orë nga ky aksident, një tjetër ngjarje ka ndodhur në aksin nacional që lidh Korçën me Pogradecit. Një familje emigrantësh është aksidentuar pasi mjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të grykës së Poçestës, kur mjeti tip “Toyota” me targa greke ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra poshtë saj, ndërsa policia ka përcaktuar si shkak lagështirën dhe shpejtësinë e madhe me të cilën lëvizte automjeti. Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur dy bashkëshortët Nazar dhe Monika Durbaku, përkatësisht 37 dhe 32 vjeç, nga fshati Pirg. Fatmirësisht dy fëmijët e çiftit, që udhëtonin me prindërit në të njëjtin automjet, kanë shpëtuar pa pasur dëmtime.