Shusteri kërkon Samir Nasrinë

Samir Nasri, shoku i skuadrës i Lorik Canës te Olimpiku i Marsejës dhe i konsideruar si "Zidani i ri", kërkohet nga trajneri gjerman Bernd Shuster. Lajmi jepet nga gazeta spanjolle "As" që thekson se 20-vjecari, futbollist edhe i Kombëtares franceze, është ndjekur gjatë katër ndeshjeve nga të dërguarit e Realit të Madridit. Ndeshja e parë ka qenë ajo e 28 marsit kur Nasri debutoi me Francën në ndeshjen miqësore me Austrisë (dha asistin e golit të Benzemasë), e më pas me Ukrainën dhe Gjeorgjinë (ku Nasri shënoi golin e vetëm të takimit). Ndeshja e katër është ajo miqësore e Marsejës kundër Sent Etienit. Kontaktet janë vendosur tashmë dhe javën e ardhshme drejtori sportiv i "mbretërorëve", Pedrag Mijatovic do të udhëtojë drejt Francës. Nasri shihet si plotrësues i alternativës Kaka, i cili nuk mundi të transferohet këtë sezon te Reali. Më parë Reali i Madridit ka shprehur interesimin për Lorik Canën.