E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela dëmtohet rëndë, krisje në legen

Gëzonte një formë të shkëlqyer. E befasoi shpesh trajnerin e tij Patrik Sander: "Vetëm portier nuk mund ta vendos Ervin, të gjithë rolet e tjera i kryen". Por, fati. Fati i keq e ndjek nga prapa. Te Ervin Skela po rikthehen hijet e janarit, kur shqiptari pati probleme serioze me vlerat e larta të gjakut dhe nuk luajti për gati dy muaj për Kotbusin.
Tani një tjetër "dramë" për mesfushorin shqiptar, por jo nga ndonjë sëmundje, por nga një dëmtim i rëndë i pësuar gjatë stërvitjes së të mërkurës. Ervin Skela, lojtari më në formë gjatë fazës përgatitore të Energi Kotbusit (shënoi dhe 2 gola), do të mungojë në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë kundër ekipit të Rajonaligës gjermane, Rot Vajs Esen. Mesfushori 30-vjecar pësoi një dëmtim serioz, krisje të legenit gjatë stërvitjes kur u përplas me shokun e tij të ekipit Mario Cvitanovic. Skela, sipas uejbsajtit faktduell.de, është detyruar të shkojë me një ambulancë në klinikën "Carl-Thiem-Klinikum" të Kotbusit, ku iu nënshtrua edhe një diagnostimimi tompgrafik me kompjuter.
Se sa gjatë do t'i kushtojë dëmtimi lojtarit të Kombëtares shqiptare (44 ndeshje) është ende shpejt të parashikohet. Sidoqoftë, shkruanin mediat gjermane, një gjë është e sigurt se mesfushori organizator shqiptar, i testuar së fundit në rolin e një mesfushori me tipare mbrojtëse, do të mungojë në ndeshjen e Kupës.
Skela (103 ndeshje në Bundesligë, 12 gola), ish-lojtar i Kaisersaluternit dhe Eintrahtit të Frankfurtit, u transferua gjatë merkatos së janarit nga italianët e Serisë A, Askoli te lauzicerit e Energi Kotbusit. Sezonin e kaluar për shkak të sëmundjes së gjatë të tij, Ervini luajti vetëm shtatë ndeshje (nota mesatare e "Kicker"-it: 4.25). Trajneri Patrik Sander në ndeshjen kundr Rot-Vajs Esen pritet të vendosë blerjen e re Kristian Basila.
Ervin Skela ka të ngjarë të humbasë dhe ndeshjen miqësore ndërkombëtare që Shqipëria do të zhvillojë me Maltën, më 22 gusht, ndërsa kundër Holandës (12 shtator 2007) ai do të mungojë për shkak të plotësimit të dy kartonëve të verdhë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›