E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ai bretku që donte të bëhej buall

Ky titull është huazuar nga një përrallë e vjetër, që deri para disa kohësh edhe në Shqipëri prindërit ua lexonin ose ua rrëfenin fëmijëve të tyre. Atyre fëmijëve, disa prej të cilëve sot kanë arritur e kaluar moshën e pjekurisë dhe të tjerë ende nuk e kanë kapërcyer atë të rinisë. Prandaj, mbase do të ishte humbje kohe t’i tregonim lexuesit përmbajtjen, përveçse t’i atij kujtonim fundin e saj, se bretku (alias, burri i bretkosës) në dalldi marroke, i nxitur më shumë nga inati se sa nga qëllimi, për t’u bërë buall nisi të frynte bulçitë deri sa plasi i tëri. Dhe më pas, copërave të trupit të tij, të shpërndara nëpër moçalin ku kish llokoçitur, nuk u afroheshin as bijtë e vet. Ja, kështu! 

Por, nëse prej shekujsh përrallat kanë qenë dhe janë të shumta e të dobishme, shpeshherë të këndshme, apo edhe me fund të hidhur, kjo ka ndodhur ngaqë ato kanë moralin e tyre, nëpërmjet të cilit përjetësojnë të vërteta universale. Prandaj i nisëm këto radhë me përrallën e bretkut, që më duket se i shkon mjaft mirë figurës së një lideri aktual të Shqipërisë sonë të vogël, i cili zemërohet gjithmonë kur ndjen se i tundet rreth vetes territori gjeografik dhe i rrezikohet seriozisht ai psikologjik; të cilit i thotë truri se në këto kushte mund ta tërheqë pafundësisht zvarrë një popull të tërë me forcën e buallit, kur trupin e ka të zhytur deri në veshë si bretku, në baltën e korrupsionit; të cilit i është mbushur mendja se mund t’u rezistojë situatave të tilla, duke u krekosur me kokën përtej reve, kur këmbët i ka të ngulura në llumin e krimit. Në llumin e një moçali, që nën drejtimin e tij, po i kthehet gjithnjë e më shumë tërë vendit, që nga ultësirat veriperëndimore deri te rrafshnaltat juglindore; pikërisht të atij moçali, që një zonje në krahun politik të Sali Berishës i kujton tërë nostalgji pozante, të shtirur, Venecien italiane. 

E pra, meqë ky i fundit e krahason gjendjen e vendit tonë nën udhëheqjen e tij tetëvjeçare me atë të vendeve të zhvilluara dhe meqë asaj zonjës në krahun politik të tij kur sheh përmbytjet dhe kënetat vetvetiu i venë sytë përtej Adriatikut, cilitdo shtetasi tjetër i lind e drejta që për të kuptuar se sa e vërtetë apo se sa e sigurt është harta jonë, ta krahasojë atë me të tjera harta, duke pohuar pastaj që ne jetokërkemi nën një “këmbanë të qelqtë”, duke thithur ajrin tonë të ndotur. Por edhe duke përsëritur, tek e fundit, se përkushtimi ndaj realitetit nënkupton gatishmërinë për provokim të vetes. Sepse, siç kanë rënë dakord psikanalistët bashkëkohorë më në zë, që të mund të funksionojmë me sukses në botën tonë të ndërlikuar, e rëndësishme është të zotërojmë aftësinë që jo vetëm ta shprehim hidhërimin, por edhe ta pranojmë atë. Ta shprehim pas analizave të hollësishme të vlerësimit; ta pranojmë pa vuajtur nga dobësia e fleksibilitetit të sistemit të reagimit. 

Me ç’të drejtë mund të vendosë një Sali Berishë, i provuar me përralla (me përralla që lëshon pa pushim goja e tij dhe me përralla që rrëfen urtësia njerëzore), për të ardhmen e çdo individi dhe të një populli të tërë? Me ç’të drejtë vendos ai çka është më e mirë për fëmijët e mi, për atdheun dhe tërë shoqërinë e këtij vendi? Kush ia jep atij të drejtën që të besojë aq shumë në konceptet e veta dhe t’ia imponojë vullnetin e vet edhe asaj mase të gjerë njerëzish, që nuk duan t’ia vërejnë fytyrën në kronikat e përditshme të televizioneve? Pikërisht këtu qëndron rreziku. Disa të tillë, nëpërmjet arrogancës së shfrytëzimit të pushtetit bëhen destruktivë, ndërkohë që janë të izoluar nga individualitetet e të tjerëve, përkundrejt kufijve dhe mundësive të veta për zhvillim të krejt vendit dhe forcim të tërë shtetit. 

Po të pyesim psikoanalistët, ata pothuajse njëzëri na përgjigjen, se janë pikërisht këta kufij që paraqesin ndjenjë vetmie. Disa të tillë – thonë ata – si pasojë e përvojës së hidhur traumatike që nga fëmijëria, botën jashtë sundimit të tyre e shohin dhe e propagandojnë të rrezikshme, armiqësore dhe konfuze. Të tillët ndjehen të sigurt, të mbrojtur dhe të qetë me ushtrimin e dhunës brenda kufijve të vet. Ndërsa shumë e shumë të tjerë që nuk durojnë as varfërinë, as bezdinë, as padrejtësinë, sikurse as vetminë, dëshirojnë të dalin jashtë rrethojave të individualitetit të shtypur, duke kërkuar të identifikohen me botën e jashtme. Pikërisht këtu qëndron problemi, që këto ditë po ndërlikohet edhe më shumë. 

Në kuadër të fushatës parazgjedhore, bashkimi i së majtës kërcënon “fitoren” për të disatën herë të Sali Berishës dhe ndjekësve të tij të kulisave e të kuak-kuak-eve. Prandaj, me vrullin e shpresëthyerve reaguan energjikisht për riformatimin politik të KQZ–së, në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, të cilin nuk kanë shumicën e votave në Parlament për ta ndryshuar. Në këtë prag tensionimi akoma më të lartë, mund të quhet kuptimplotë, një shenjë dashamirësie për tërë shqiptarët deklarata e ambasadorit Arvizu, i cili u shpreh përpara kamerave televizive në emër të shtetit të madh që përfaqëson në Tiranën zyrtare, se nuk besonte të kishte njeri që do të dëshironte përplasje të Shqipërisë me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar. Por, ja që këtu është një padron politik, i cili nuk ka reflektuar aspak, së paku nga ato që bëri 17 vjet më parë, 16 vjet, apo edhe 15 vjet të shkuara. 

E ashtuquajtura mazhorancë parlamentare, tashmë e mbetur në pakicë edhe në Kuvend, edhe në qeverisjen vendore, edhe në KQZ etj, me të dyja duart (njërën të marrë hua nga tre “renegatë” të krahut tjetër) shtypi atë që vetë e kishte firmosur ose miratuar rreth 9 muaj më parë. Kjo bëri që urgjentisht të fluturonte nga Uashingtoni për në Tiranë një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit. Jonathan Moore, gjatë takimit të parë të tij këtu me shefin e opozitës u interesua të dijë qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj zhvillimeve të fundit dhe, për më tepër, besimin që ka opozita se, në këto kushte mund apo jo të ketë proces të rregullt zgjedhor. Po atë ditë, Jonathan Moore gjatë takimit me ministrin tonë të Punëve të Jashtme kërkoi të dijë prej këtij të fundit, se sa garanci jep qeveria për 23 qershorin. Është e tepërt, madje e bezdisshme të citojmë këtu përgjigjen klishe të Bumçit, por e rëndësishme është që të theksojmë, se ditën e djeshme në konferencën e shtypit të dhënë prej Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, nuk bëhej më fjalë për pyetje apo hamendje, qëndrimi ishte kategorik: ka argument ligjor që vë në pikëpyetje ndryshimin e bërë në KQZ, por që sidoqoftë ky institucion duhet të funksionojë që zgjedhjet të zhvillohen më 23 qershor. Pikërisht kështu u shpreh ai, pavarësisht censurimit dhe deformimit që i bëri fjalës së Moore po dje në mediat e huaja grupi lobist amerikan, Podesta, i paguar “si frëngu pulën” nga kryemanipulatori shqiptar, Sali Berisha. 

Gjithashtu, Komisionerja e lartë e Bashkimit Europian, Catterine Ashton, e cila pas ndryshimit në KQZ erdhi në Tiranë dhe i kërkoi Berishës që Qeveria shqiptare të garantonte, se zgjedhjet e 23 qershorit do të organizoheshin dhe zhvilloheshin konform standardeve ndërkombëtare. Edhe tani është e tepërt, madje shumë e bezdisshme përgjigja klishe e kryeministrit tonë mashtrues. E rëndësishme është të kujtojmë se kërkesa e Ashton lidhet drejtpërdrejt me fatin e Shqipërisë drejt integrimit në kontinentin tonë të zhvilluar, kur që pas progres–raportit të tretë të Komisionit Europian të publikuar tetorin e kaluar u theksua se, Brukseli do t’i kthehet çështjes së akordimit Shqipërisë të statusit të kandidatit zyrtar për në BE pas zgjedhjeve të 23 qershorit, duke vëzhguar e konkluduar nga mënyra se si do të zhvillohen ato. 

Dhe, dihet që ky Union parashikon apo vepron mbi bazën e një makinerie të fortë institucionale, në ingranazhet e posaçme të së cilës zë vend edhe plotësimi i të drejtave politike e civile. Në këtë kuadër, edhe Shtetet Anëtare të OSBE kanë pranuar në takimin e Kopenhagenit të Konferencës për Dimension Njerëzor që lëvizjet dhe kontaktet më të lira të qytetarëve europianë janë të rëndësishme në kontekstin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për rregullimin e çështjeve që dalin nga kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga ndarja dhe integriteti i pushteteve të ndryshme. Madje, në dokumentin e takimit të Kopenhagenit citohet, se shtetet pjesëmarrëse “kategorikisht deklarojnë se, përkushtimet e ndërmarra në fushën e dimensionit njerëzor janë çështje që i preokupojnë në mënyrë direkte dhe legjitime dhe nuk janë çështje të brendshme të shteteve në fjalë”. 

Mirëpo mbi këto dhe të tjera lëvizje të ndërkombëtarëve, veçanërisht gjatë këtyre ditëve, Sali Berisha dhe ndjekanakët e tij po përpunojnë qëndrime sfiduese, duke tensionuar gjithnjë e më tepër, ekstremisht, atmosferën politike. Sidoqoftë, kështu, të vetmuar ata nënshkruajnë humbjen e tyre përballë masës më të madhe të popullit, që ditë më ditë po i bashkohet opozitës së bashkuar. Përballë masës së madhe të popullit, forcës së të cilës nuk mund t’i rezistojë asgjë, as “autoriteti” i një krahu të Kuvendit të Shqipërisë dhe as taktikat në zhvillim e sipër të një Sali Berishe për grabitjen e votave dhe manipulimin e rezultateve të votimit. E vetmja që mund të përballet me atë forcë dhe të njihet kurdoherë si e suksesshme mbetet politika e mençur dhe devotshmëria ndaj të mirës së përgjithshme. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›