E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë se kurrë nevojë për ndërkombëtarët

Ajo që kishte nisur si një fushatë me tone perëndimore, me përballje alternativash e argumentesh, po precipiton nga dita në ditë në një demonstrim të qartë force nga klasa politike në vend. Ajo çfarë po ndodh me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është paralajmërimi serioz se veç alternativat programore nuk do përballen në këto zgjedhje. Zëvendësimi i një anëtari të KQZ-së, dorëheqja e dy anëtarëve të tjerë, e “vetëngrirja” e një anëtari të tretë, të realizuara pa asnjë lloj negocimi a uljeje njerëzisht në tryezën e bisedimeve, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, e nxitur me replika të forta në distancë, në ekrane televizionesh, faqe gazetash e rrjete sociale, tregon se sa larg kanë shkuar palët në këtë garë zgjedhore. 

Fushatimit bashkëkohor, me skenografitë e kuruara të vendosjes së udhëheqësve në komunikimin direkt me qytetarët, duke i dëgjuar, përgjigjur interesit të tyre, a thjesht duke paraqitur programin në interes të tyre, po i del boja këto ditë, pasi diferenca mes atyre çfarë thonë e premtojnë, e mënyrës se si veprojnë është thellësisht e kundërt. Kjo klasë politike po dëshmon se respektimi i marrëveshjeve, apo i ligjeve që vetë miraton, nuk është aq i rëndësishëm kur lidhet direkt me interesin e tyre, duke dhënë në vetë të parë modelin e konceptit apo respektit që kanë për institucionet e qytetarët në këtë vend. Nga deputetët me instinkte bodigardësh, tek iniciativat komuniste të fletërrufeve njerëzore publike, tek gjuha tejet provokuese, plot urrejtje dhe krejt e pavend e përdorur në Parlamentin e Shqipërisë, janë të gjitha shenjat se këto ditë prilli, kjo klasë politike ka të tjera interesa, e ato nuk janë aspak qytetare. 

Pas dorëheqjeve të dy anëtarëve të propozuar nga opozita në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë informale, po shpërndahet e qarkullon opsioni i një riformatimi të ri të KQZ-së, pra me një marrëveshje të re mes partive politike. Siç e kam evidentuar në një shkrim të mëparshëm, pse asnjëra palë nuk pranon ta lëshojë KQZ-në, duke e bërë përzgjedhjen e anëtarëve të saj me short, njëlloj siç zgjidhen anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, duke shmangur çdo lloj lidhjeje, edhe propozuese me organizmin që administron zgjedhjet? Një KQZ e riformatuar me emra të propozuar nga partitë politike, qoftë edhe me marrëveshje, do vazhdojë të reflektojë të njëjtat probleme të lidhura me partitë propozuese, e bashkë me qytetarët, viktima do jenë anëtarët e KQZ-së, të cilët përzgjidhen nga radhët e profesionistëve të drejtësisë, e në fakt trajtohen si gurë shahu të skakierës së interesave politike në këtë vend. 

Në çdo vend demokratik zgjedhjet duhet të jenë një përballje alternativash, më e mira e të cilave do tërheqë vëmendjen e qytetarit, e për pasojë edhe votën e tyre. Ajo ç’ka po ndodh është ndezja e rrezikshme e konfliktualitetit, mungesës së tolerancës, e logjikës shtetare politike, e akoma më keq, tërheqja në këto lloj betejash politikisht të papërgjegjshme, edhe qytetarët mbështetës respektivë. 

Kujt i shërben gjithë ky tensionim i situatës në prag të zgjedhjeve? Mbetet një pyetje retorike, sidomos kur dihet se zgjedhjet e 23 qershorit janë një test për klasën politike në vend, e jo për qytetarët. Në fakt, duhet thënë se ky është i disati test, e disata mundësi që i jepet në mënyrë të përsëritur të njëjtës klasë politike që prej vitit 1990.
Në këto kushte e jo vetëm për këto arsye që janë publikisht të dukshme, Shqipëria, ky vend me pluralizëm të vendosur prej 23 vitesh, anëtare e NATO-s e aspirante për në BE, ka më shumë se kurrë nevojë për asistencën e afërt të faktorit ndërkombëtar. Roli i ndërkombëtarëve bëhet jetik pasi me këtë klimë të acaruar politike, më 23 qershor, nuk dihet nëse shqiptarët do shkojnë të votojnë alternativën, që është në të mirën e tyre, a në një betejë politike për të ruajtur a rimarrë pushtetin e partisë që mbështesin. Disa eksponentë të rëndësishëm politikë e madje edhe disa komentatorë të nderuar të shtypit, po e inkurajojnë këtë situatë si një mundësi që ia vlen për të larguar nga pushteti Berishën, që nuk di të bëjë rotacion paqësor të pushtetit. Kjo është, së paku një logjikë e alternativë makabre: të djegësh të ardhmen e vendit për të mbajtur pushtetin, apo të djegësh të ardhmen e vendit për të rrëzuar Berishën, a nuk është e njëjta gjë? Përse njëra alternativë na qenka më e moralshme se tjetra, kur efekti që prodhojnë është i njëjtë, e rezultati favorizon vetëm njërën palë? Dhe e gjitha justifikohet pacipësisht si “në interes të qytetarit”! Mundësisht duke tejkaluar të gjitha datat e kalendarit, duke shkuar direkt tek data 23 qershor. 

Vetë ndërkombëtarët e kanë të qartë këtë gjë, por këtë herë ata duhet të mendojnë seriozisht për qytetarët, e jo më për politikanët. Kjo klasë politike po dëshmon se është e gatshme t’u rikthehet skenarëve më të errët të së kaluarës, në funksion të përfitimit të ngushtë politik dhe kjo nuk duhet lejuar, qoftë edhe duke lëshuar një pjesë të sovranitet tonë, atij qytetar. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›