E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si bëhesh lider

Shikim të drejtpërdrejtë, buzëqeshje tërheqëse, aftësi për të dëgjuar dhe për t‘i bërë të tjerët të ëndërrojnë. Por nuk mjafton vetëm kaq: duhet edhe pak elegancë, guxim, kurajë për të bërë premtime dhe zgjuarsi për të bashkuar e për të përfshirë një komb të tërë në projekte ambicioze, pikërisht në ditët më të zeza të krizës ekonomike. Këto janë disa prej përbërësve të suksesit të Barak Obamës. Mediat e kanë krahasuar me Xhon F. Kenedin dhe për miliona njerëz, edhe jashtë SHBA-së, është njeriu që do të lërë gjurmë në historinë e Amerikës.

Por për psikologët dhe sociologët, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara është një rast i ri për t‘u studiuar, sepse mbart në vetvete të gjitha karakteristikat e një lideri. Të tjerë personazhe të mëdhenj të së kaluarës kanë pasur të njëjtat cilësi, si për shembull Aleksandri i Madh, Jezusi, Uinston Çurçilli, Gandi. Kjo është lista e liderëve që kanë ditur t‘i drejtojnë njerëzit drejt objektivave të mëdha, duke shënuar kështu hap pas hapi etapat madhështore të historisë.

Jezusi i fuqishëm

Cilat janë cilësitë që e bëjnë liderin? Përse grupi vendos t‘i besojë atij e jo një tjetri? Në të vërtetë, brumi i liderit është më i thjeshtë për t‘u imagjinuar, sesa për t‘u përshkruar. Të gjithë e njohim një lider nëse e shohim, por ta shpjegojmë arsyen se pse është bërë i tillë, është shumë e vështirë.

Psikologët kanë gjetur disa cilësi të përbashkëta mes personazheve, edhe pse këta të fundit ndryshojnë nga njëri-tjetri. Cilësia e parë dhe më e rëndësishmja është karizma, ose më saktë aftësia për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, duke ngjallur admirim dhe devotshmëri. Sipas një sociologu gjerman, që ka jetuar mes viteve 1800-1900, karizma përfaqëson bazën e konsensusit, sidomos kur njohja e personit nuk vjen as nga çështjet trashëgimtare (siç ndodh në familjet mbretërore) e as nga proceset demokratike (siç ndodh në zgjedhje). Edhe pse pjesa më e madhe e liderëve nuk kanë karizëm, kjo cilësi është parësore për krerët fetarë. Për shembull, të gjithë ata që e kanë studiuar figurën e Jezusit, kanë vënë re se ai kishte një karizëm të jashtëzakonshme. "Duhej të kishte diçka plotësisht bindëse në personalitetin e Jezusit. Ta takoje atë, duhej të ishte një eksperiencë e frikshme", thotë një teolog anglez.

Magjepsje e menjëhershme

Sipas një psikologu nga Universiteti i Oregionit, mjaftojnë pak sekonda për të kuptuar nëse një person ka karizëm ose jo. Shpesh herë vendimi bazohet te këto cilësi: pamja e jashtme, siguria në mënyrën e të reaguarit, ose njohja. Studiues të tjerë e kanë përqendruar vëmendjen e tyre te mënyra e të folurit. Duke analizuar fjalimet e presidentëve amerikanë, një psikolog nga Universiteti i Kalifornisë ka zbuluar se më karizmatikët, Linkolni dhe Rusvelti, kishin edhe një gjuhë shumë më të pasur me metafora dhe fjalë që flasin për ndjenja si dashuria dhe urrejtja.

Ju them se çfarë mendoni

Kush ka karizëm, arrin të krijojë një lidhje emotive me atë që e dëgjon. Një lidhje që forcohet me gjestet dhe që sinkronizohet me lëvizjet tona dhe ato të liderëve, të ndjesh emocione dhe në fund të dëshirosh atë që ai ka në mendje. Duke kujtuar historinë e tij personale, Nelson Mandela, lideri i revoltës kundër aparteidit dhe President i Afrikës Jugore nga viti 1994 deri në 1999-ën, pohon: "Është sprovë t‘i bindësh njerëzit të kryejnë veprime të caktuara, duke i bërë ata të mendojnë se ka qenë një mendim i tyre".

Gjithashtu nuk është aq e thjeshtë të drejtosh një grup të caktuar njerëzish drejt objektivave që janë krejtësisht të huaja. Një tjetër karakteristikë e liderëve është aftësia të kuptojnë me intuitë se dredhojnë në shoqëri dhe më pas i bëjnë për vete njerëzit. Këtë bëri edhe Xhorxh Bush gjatë 11 shtatorit përballë një kombi të trembur dhe të paorientuar. "Njerëzit pyesnin: Çfarë ose kush është objektivi i sulmit? Nju Jorku? Uashingtoni? Kapitalizmi? Perëndimi? Presidenti Bush vendosi të përgjigjej: Shënjestra e këtij sulmi është Amerika".

Pafytyrësia paguhet

Në forcimin e një lideri ndikon ose mund të kontribuojnë edhe gjestet e pacipa dhe ato të jashtëzakonshme. Nuk mund të shpjegohet ndryshe Diego Armando Maradona, futbollisti i talentuar, që në 1986-ën, me një gol të shkëlqyer eliminoi Anglinë nga Botërori (i cili më pas u fitua nga Argjentina). Maratona, që e çoi skuadrën e tij drejt fitores, thotë se e udhëhoqi "dora e Zotit" dhe se në atë mënyrë ndëshkonte anglezët për luftën në ishujt Falklend mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar në 1982-shin. Ajo shprehje preku shumë njerëz, por Maradona u bë pjesë e historisë.

Si kryetarët e familjeve

Fatkeqësisht, psikologjia nuk shpjegon gjithçka. Shumë persona kanë personalitet për t‘u dukur, por për një arsye të caktuar nuk munden. Pjesërisht kjo varet nga situata e momentit, që mund të favorizojë disa karakteristika të tjera. Por, gjithsesi, ndikime të rëndësishme vijnë edhe nga historia jonë.

Për një psikolog anglez nga Universiteti i Kentit, disa cilësi të liderëve mund të shpjegohen vetëm duke u kthyer pas ndër shekuj, atëherë kur shoqëritë njerëzore filluan të ndaheshin në fise. Edhe pse në atë kohë brenda fiseve nuk ekzistonin kryetarë të vërtetë, kishte personazhe që dominonin mbi të tjerët dhe i drejtonin nëpër beteja ose gjueti, sepse ishin më të fortë e më zotë me armët. Sipas psikologut, kush është më i gjatë dhe gëzon shëndet të mirë, ka më shumë mundësi për t‘u bërë i suksesshëm (në shoqëritë primitive, përmasat trupore shërbenin për të trembur armiqtë). Ndërsa shëndeti i keq të bën të humbasësh terren dhe ta mohosh shpesh gjendjen jo normale: për shembull, sëmundja e Fidel Kastros, ish-presidentit të Kubës, u mbajt për shumë kohë e fshehur. Po kështu edhe sëmundja e ish-presidentit të Bashkimit Sovjetik, Leonid Brezhnjev. Shumë politikanë, me në krye Silvio Berluskonin, përpiqen që të tregojnë se janë në formë të shkëlqyer dhe se mund ta drejtojnë vendin e tyre derisa të mbushin 120 vjeç.

Ambasadoret e paqes

Panorama evolutive të ndihmon të kuptosh se përse shumë rrallë në krye të shtetit zgjidhet një grua.

Pavarësisht emancipimit femëror, meshkujt duket sikur japin më shumë siguri, sidomos kur kontrastet mes grupit që i zgjedh dhe atyre rivale mbizotërojnë mbi kontrastet e brendshme. Ndryshe nga meshkujt, femrat janë më të besuara në shoqëritë që ndodhen në krizë, ose që janë të hapura nga kontrastet e brendshme. Jo rastësisht lideret politike të shekullit XX janë shquar shpesh për situatat me kontraste të forta sociale, ose luftërat civile (këtu vlen të përmendet rasti i Benezari Buto, në Pakistan, ose çmimi "Nobel" për paqen i Aung San Suu Kyi në Birmani).

Edhe Margaret Theçer, që ka qëndruar në krye të Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1979 deri në 1990-ën, u zgjodh në një periudhë krize të thellë dhe në fjalimin për marrjen e detyrës tha: "Aty ku ka grindje, do të sjellim harmoninë; aty ku ka gabime, do të sjellim të vërtetën; aty ku ka dyshim, do të sjellim besim dhe aty ku ka dëshpërim, ne do të sjellim shpresën".

Pra, nëse kriza ekonomike do të shpërthente pak kohë para se Hilari Klinton të dilte nga gara, atëherë mund të kishte pasur më shumë shanse për t‘u zgjedhur Presidente.

"Ne" jemi të ndryshëm

Cilësitë që e lejojnë një lider të duket, varen nga përmbajtja dhe karakteristikat e grupit të referimit. E nëse konkurrenca me grupet e tjera është nxitëse, atëherë mund të ndodhë që cilësitë e vetme të një lideri janë ato që e bëjnë të veçohet nga rivalët. "Pasuesit mund t‘i konsiderojnë sekondare cilësitë që zakonisht janë shumë të kërkuara, siç është për shembull zgjuarsia, e cila të bën të veçohesh nga të tjerët", shpjegon një psikolog.

Në një studim të bërë kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara, disa studentëve iu kërkua të numëronin karakteristikat e një lideri që ishte i aftë t‘i udhëhiqte drejt fitores në garën me një grup rival. Në listën e karakteristikave të dëshiruara, studentët e vunë zgjuarsinë në vend të dytë.

Pa drejtim

Jo gjithmonë një grup është i aftë të zgjedhë një lider. Këtë e ka vërtetuar një eksperiment i bërë vitin e kaluar, në bashkëpunim me kanalin televiziv, BBC. Duke iu referuar një eksperimenti të bërë në vitet ‘70, psikologu ka kërkuar ndihmën e disa studentëve, të cilët duhet të qëndronin brenda një burgu. Vullnetarët, të ndarë në dy grupe, duhej të mishëronin rojet ose të burgosurit. Ndërkohë, mes këtyre të fundit, që ishin të motivuar ta përmirësonin sjelljen e tyre, u dallua menjëherë një lider. Ndërkohë, në grupin e rojeve, ku të gjithë ndiheshin paksa liderë, nuk ka qenë e mundur të mbizotëronte asnjë lider. Pas gjashtë ditësh, të burgosurit organizuan një kryengritje dhe arritën të mundnin të gjithë rojet.

"Unë jam udha..."

Skenë nga filmi "Mbreti i mbretërve" (1961), i regjisorit Nikolas Rej. Historianët kanë qenë të gjithë në një mendje, duke i atribuuar Jezusit një karizëm të jashtëzakonshme

Forca e shembullit

Gandi, babai i kombit indian dhe apostulli kundër dhunës, veprimet e tij i bazonte edhe mbi shembullin

Një lider jo i vërtetë

Gjenerali rus, Mikhail Kutuzov: njeri i pavendosur, dembel, fjalëpakë, nuk i ngjante një lideri, por kishte karizëm dhe arriti ta udhëhiqte ushtrinë e tij drejt fitores, duke mundur Napolon Bonapartin

Premtime të mundshme?

Martin Luter King profetizoi të drejta të barabarta për zezakët: Obama do t‘i realizojë

Edhe "gorilla" përfundoi keq

Riçard Fuld ("gorilla"), pronari i bankës "Lehman Brothers", e cila falimentoi

Lufta e Aung

Protestë për arrestimin e Aung San Suu Kyi, politikane birmane kundër regjimit

Margaret Theçer, Kryeministrja britanike nga viti 1979 deri në 1990-ën

Hilari Klinton, gjatë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat u fituan nga Obama

Aleksandri i Madh (shekulli IV para Krishtit) ishte një personalitet shumë i vendosur

Napolon Bonaparti ishte autoritar dhe profesionist

Uinston Çurçilli (1874-1965) ishte njeriu i duhur për të folur në publik

Nelson Mandela, një lideri i duruar dhe shumë i vendosur



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›