E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artizanati gjirokastrit në një guidë

Punimet e artizanëve gjirokastritë në gur, hekur, dru, si dhe punime tradicionale në qëndisje janë paraqitur së fundi në një guidë të veçantë, të botuar në gjuhën angleze. Hedhja në qarkullim e këtij botimi është mundësuar nga Organizata për ruajtjen dhe zhvillimin e Gjirokastrës. "Të pasionuarit pas punimeve tradicionale dhe veçanërisht grupet turistike, mund të gjejnë në këtë botim informacionin e nevojshme për artizanatin gjirokastrit. Në këtë guidë janë publikuar edhe fotografi ku pasqyrohet puna dhe veprimtaria e këtyre artizanëve", shprehet Sadik Petrela, koordinatori i Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës. Sipas tij, realizimi i këtij botimi, në gjuhën angleze u jep mundësinë grupeve turistike që të orientohen sa më thjeshtë në tregun e artizanëve dhe punimeve tradicionale në Gjirokastër, duke ndihmuar kështu edhe në promovimin e biznesit artizanal në qytetin e gurtë. Në qytetin e Gjirokastrës, në zonën muzeale operojnë pesë biznese të artizanatit, ndërsa në Komunën e Antigonesë është hapur një punishte për punimin e qilimave tradicionalë, të cilat eksportohen në vendet skandinave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›