E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si dje diktatura, sot Rama po tenton t’i mbajë “peng” shqiptarët

18-12-2010 / Nga Luan Myftiu

“Dashuría që kanë njerëzit për lirínë, është frika nga robëría” - Samí Frashëri
 
Liberalizimi i vizave është lirí dhe dinjitet. Por kjo nuk mund të kuptohet thellë, pa njohur izolimin e shqiptarëve nga diktatura komuniste. Kjo “kuçedër” i trajtonte shqiptarët si skllevër të saj. Atë e tmerronte bilé edhe mendimi i tyre për t’u larguar nga Shqipëria. Prandaj survejonte edhe vizitat, që shqiptarët bënin tek të afërmit e tyre brenda vendit. Për të shmangur kontaktet e shqiptarëve me njëri-tjetrin, diktatura kishte pakësuar mundësínë e udhëtimit të tyre duke zvogëluar numrin e urbaneve. Ndërkohë diktatori porosiste që çdo qytetar ta pyeste gjatë rrugës bashkudhëtarin për qëllimin e udhëtimit.    
Në burgjet komuniste kishte të dënuar për tradhti ndaj Atdheut, vetëm pse kishin shkuar për vizitë në një qytet kufitar. Kur diktaturës i duheshin “armiq”, asaj i mjaftonte edhe një dyshim. Kurse hetuesit e Sigurimit të Shtetit gajaseshin së qeshuri, kur viktima u kërkonte shkakun e arrestimit të saj. Pastaj, të habitur, xhelatët e detyronin të pandehurin me daják që ta sajonte vetë fajësínë. Dhe, pasi deklaronin me krenarí se detyra e tyre ishte vetëm t’u vinin njerëzve hekurat në duar, talleshin duke e krahasuar viktimën me një thes mielli, i cili, sa më shumë të goditej nga shkopi i tyre, aq më tepër “tym”(fajësí!) nxirrte.
Që të garantohej se njerëzit nuk do të guxonin as të mendonin për t’u larguar nga Shqipëria, diktatura kishte sajuar sistemin e pengjeve. Personit, që për arsye madhore qe  detyruar të kalonte kufirin, do t’i internohej menjëherë familja. Dhe sot dihet sesa dhjetëra mijë njerëzish humbën edhe jetën nëpër kampet e internimit pse ishin bij, a nipër të një të larguari të tillë. Madje, pati njerëz që lindën dhe u plakën në këto kampe përqendrimi. Këtyre fajtorëve pa faj pastaj u ndalohej, jo vetëm largimi nga vendi i syrgjynosjes, por edhe ndjekja e shkollës.   
Prandaj njerëzit e privuar nga çdo lirí qytetare, janë sot të parët që i gëzohen liberalizimit të vizave. Këto viktima e kuptojnë më thellë edhe qëllimin e lig të Ramës me shokë për ta penguar heqjen e vizave. Se, meqë liberalizimi i tyre është lirí dhe dinjitet, nuk ka si të lejohet nga ata, që bënë çmos t’i deformonin popullit madje dhe dinjitetin. Ndoshta përpjekja e Ramës për ta penguar lëvizjen e lirë, buron edhe ngaqë europianizimi do të ndriçojë përmasat e frikshme të vuajtjeve të shqiptarëve, shkaktuar nga bunkerizimi komunist. Dhe ky ndriçim i ndjenjës së lirísë do të shndërrohet menjëherë në një akuzë edhe më të rëndë për diktaturën, për bllokmenët, për gjithë xhelatët e vërtetë të diktaturës. Prandaj Rama bëri çmos të mos arrihej heqja e vizave, të mos realizohej marrja e statusit të vendit kandidat për në B.E.. Prandaj tërë politika e tij mbështetet te sistemi komunist i pengjeve. ( Natyrisht, i “rinovuar”, ngaqë “skllevërit” e djeshëm nuk i mashtron dot përsërí me përrallat e “lugës së florinjtë” të parajsës së “barazisë në mjerim”. ) Megjithatë, Rama përsërí tenton të fitojë kohë, sa të konsolidojë pozitat e tij prej një të paafti, që ka fituar pasurí dhe privilegje të pamerituara. Prandaj, jo më kot atij i duhen njerëz të pacivilizuar; të pazotë të gjykojnë mbi katandisjen e tmerrshme, fatale, që u shkaktoi diktatura. Sistemi i pengjeve është një nga metodat diabolike të komunizmit, të cilën Rama e përdor për t’i ngritur njerëzit në protesta, për t’ua bërë atyre “gogol” demokracinë dhe për të mbajtur gjallë nostalgjinë për diktaturën. Rama ka marrë peng, jo vetëm deputetët e caktuar prej tij me “listë”, por ai ka “prangosur” dhe biznesmenët, e “blerë” me anë të shesheve të ndërtimit. Rama ka lidhur pas qerres së tij të shkatërruar shumë të majtë, edhe duke u dhënë poste të pamerituara, duke u falur prona të paligjshme a duke i korruptuar me “indulgjenca” partiake. Ai tentoi madje të “kërcënonte” edhe Europën me gjoja rrezikun e një eksodi biblik të shqiptarëve, duke i dhënë asaj mesazhin që, nëse nuk e pranonte Ramën me të gjitha mëkatet, ky do ta pengonte, siç dhe pengoi demokratizimin e mëtejshëm të Shqipërísë. Por, si i përkëdhelur i tiranísë dhe si një diktator i vogël kinse liberal, ai nuk arrin të kuptojë frymën e fuqishme europiane të një populli me konstitucion shumë të hershëm shpirtëror e moral perëndimor. Nuk mundet Rama të nuhasë atë “uragan” aspiratash europiane, që u mëkua në heshtje për gati një gjysmë shekulli nga një popull, të cilit iu bë shpesh edhe vdekja më e ëmbël se jeta.   
Ashtu si shumë gjëra që e lidhin me diktaturën, heqja e vizave është për Ramën me shokë një tradhtí, një lirí e padrejtë. Mirëpo fakti që vizat u hoqën, që Europa nuk u tut nga “kërcënimet” qesharake të Ramës, që entuziazmi i popullit për këtë liri dhe dinjitet të fituar është i papërmbajtshëm; që mirënjohja e Shqipërísë ndaj mazhorancën është kaq e thellë, po i tregon Ramës dështimin e tij të plotë. Prandaj ky antieuropian ka nisur të “harrojë” kutitë dhe transparencën fiktive, dhe të ulërijë me hipokrizi sharlatani për përmbytjet. Ndoshta kjo ndjenjë disfate e shtyn të klithë si i marrë nëpër sheshe se kundërshtari i tij ka “dështuar!”
Kurse tani që vizat u hoqën dhe integrimi i vendit në BE është bërë konkret, i prekshëm, ankthi i Ramës dhe i bllokmenëve të rinj është shtuar. Ata po e shohin fundin e tyre të turpshëm, bumerangun e krizave të tyre imagjinare, humbjen e mbështetjes, madje dhe të elektoratit të tyre të majtë! Megjithatë ata nuk do t’i ndalin përpjekjet për ta mbajtur peng Shqipërínë dhe shqiptarët!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›