E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pa imunitet, jo vetëm deputetët dhe ministrat, por edhe gjyqtarët

PD dhe PS gjejnë konsensusin e plotë edhe për heqjen e imunitetit. pas bashkëpunimit për ndryshimet në Kushtetutë, kreu i PD-së, Sali Berisha dhe ai i PS-së, Edi Rama, kanë gjetur gjuhën e përbashkët duke u shprehur njëzëri për heqjen e imunitetit. Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje se "Konsensusi PD-PS është dëshmi e një vullneti për të vendosur para ligjit Kryeministrin me qytetarin, ministrin me qytetarin, dhe deputetin e gjykatësin me qytetarin". VIP-at e politikës dhe të institucioneve kyçe të shtetit nuk do të fshihen më pas maskës së imunitetit, duke zbatuar kështu të njëjtën praktikë që ndiqet në politikën e vendeve perëndimore siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri, 14 ministrat, 140 deputetët, por edhe gjykatësit nuk do të kenë më imunitet. Ky është vendimi i përbashkët i ndërmarrë ndërmjet dy partive më të mëdha. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh i sigurt se ka konsensusin e opozitës për të miratuar ligjin e përbashkët që kufizon imunitetin. Berisha bëri të ditur se ai dhe Rama kanë rënë tashmë dakord për të hequr imunitetin. Kryeministri u ndal në rëndësinë që ka kufizimi i imunitetit për të gjithë zyrtarët, me qëllim vendosjen e barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit. Sipas tij, me këtë reformë jo vetëm vendoset barazia para ligjit, por me këtë reformë, hiqet një pengesë që qëndronte para gjyqësorit shqiptar për të mbushur misionin dhe funksionin e tij sikurse edhe vetë ata zhvishen nga imuniteti, për të cilin ata nuk kanë nevojë. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha tha se Shqipëria me këtë vendim nuk bën gjë tjetër vetëm se vendos atë standard që SHBA-të, ata që themeluan Amerikën e vendosën në Kushtetutën e saj, vendos atë standard, të cilin e kanë të tyrin shumica e vendeve të lira demokratike dhe ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. "Reforma të tilla mund të ishin dashur t‘i kishim bërë më parë, mund të ishim përpjekur të mblidhnim 84 vota, por gjëja më e madhe është kur ajo bëhet me ujdinë e të dy palëve, kur pozita dhe opozita dëshmojnë se parimet e mëdha i kanë të njëjta dhe dinë t‘u japin atyre përparësi ndaj të gjitha kundërshtive që kanë me njëra-tjetrën", u shpreh Kryeministri, duke e përshëndetur këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›