Kriza, Qeveria i heq makinat zyrtarëve
BLEDAR HOTI
Kriza ekonomike detyron Qeverinë shqiptare që të nisë shkurtimet e shpenzimeve në administratën e lartë shtetërore. Edhe pse Tirana zyrtare deklaron se nuk është prekur nga kriza, kreu u Ekzekutivit, Sali Berisha në mbledhjen e djeshme bëri publike hartimin e një projektligji, që synon shkurtimin në masën e 2/3 për transportit të zyrtarëve të administratës së lartë dhe deputetët e Kuvendit. Kryeministri e ka lidhur këtë nismë edhe si pjesë e luftës kundër korrupsionit, por mbi të gjitha edhe si një premtim elektoral i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, për një administratë shtetërore pa vetura. “Duke vendosur standardin austriak, pasi Austria është një nga vendet me korrupsionin më të ulët në botë, ne kaluam nga qeveri e bodyguard-ve në qeveri civile. Në këtë aspekt, duhet një administratë shtetërore krejtësisht tjetër. Unë mund t’u them shqiptarëve sot se nga një përllogaritje, çdo automjet zyrtar u kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 19 mijë dollarë. Taksapaguesit tanë nuk mundet që të paguajnë për transportin e një zyrtari 19 mijë dollarë, që përfshin shoferin, karburantin, mirëmbajtjen e automjetit. Kjo do të marrë fund. Mund t’u jepet bonos për transportin e deputetëve dhe një bonos të qartë për transportin për një kategori zyrtarësh”, tha Berisha. Për shefin e Ekzekutivit, në mënyrë të përsëritur janë përfolur veturat e deputetëve, meqenëse nuk ka parlament në botë që të ketë vetura. “Por përqindja më e lartë e shpenzimeve është jashtë automjeteve të Parlamentit, në institucione të tjera të marra së bashku. Nuk është problemi i kursimit për të cilin kemi nevojë, pasi të marra së bashku këto shkojnë rreth 2 miliardë lekë për të gjitha entet në të gjithë vendin, por, para së gjithash e mbi të gjitha, është vendosja e disa kritereve transparente e përjashtimit të mundësisë për të abuzuar me legalen, zhveshjen nga disa privilegje shumë të pamerituara, të dëmshme. E theksoj edhe një herë se vetura e zyrtarit në administratën shtetërore i rëndon taksapaguesve shqiptarë 3 herë më shumë, sesa rëndojnë shpenzimet për transportin e deputetit në Mbretërinë e Suedisë”, deklaroi Berisha. Duke i kërkuar ministrit të Financave, Bode që të hartojë ligjin për mbledhjen e ardhshme, Kryeministri theksoi se: “Edhe në bisedat që kam zhvilluar për këtë çështje me anëtarët e koalicionit të ardhshëm, ata kanë shprehur mirëkuptim të plotë për këtë nismë. Ne duhet t’i japim fund kësaj situate të trashëguar, por edhe të toleruar, një vazhdimësi e nomenklaturës së vjetër deri në ditët e sotme dhe e ekzagjeruar në disa aspekte”.
ndryshimi i normave te interesit
Interesat e Bonove të Thesarit 12-mujore
Gusht 2008 8.15%
Shtator 2008 8.02%
Tetor 2008 7.94%
Nëntor 2008 8.10%
Dhjetor 2008 8.56%
Janar 2009 8.84%
Shkurt 2009 8.87%
Mars 2009 9.07%
Prill 2009 9.13%
Maj 2009 9.15%
Qershor 2009 9.23%
Korrik 2009 9.28%
Gusht 2009 9.29%
Interesat e obligacioneve 2-vjeçare
Gusht 2008 8.3%
Shtator 2008 8.2%
Tetor 2008 8.15%
Nëntor 2008 8.29%
Dhjetor 2008 8.95%
Janar 2009 9.3%
Shkurt 2009 9.15%
Mars 2009 9.25%
Prill 2009 9.46%
Maj 2009 9.46%
Qershor 2009 9.45%
Korrik 2009 9.45%
Gusht 2009 9.55%
Ankandi i fundit, tregu ofron më pak para se sa kërkoi qeveria
Mungesa e parave rrit normat e interesit të borxhit të qeverisë, arrin në 9.55 për qind
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për borxhin e brendshëm të qeverisë tregojnë qartë se tregu nuk ka mundësi të plotësojë kërkesat për para të buxhetit. Ndryshe nga parashikimet, se është kërkesa e lartë e qeverisë për borxh, shifrat e publikuara nga Banka tregojnë se nuk është kërkesa ajo që po rrit normat e interesit. Sipas ankandit të fundit të kryer nga BSH, qeveria hodhi në treg, për të përmbushur kërkesat e saj, rreth 5.609 miliardë lekë bono thesari. Kjo ishte shuma për të cilën kishte nevojë qeveria. Në ankand, bankat dhe individët, kërkuan të blinin rreth 4.154 miliardë lekë bono. Pra, nuk arritën të plotësonin kërkesën e qeverisë, me një diferencë prej rreth 1.44 miliardë lekë ose rreth 11 milionë euro. Mungesa e ofertës solli rritjen me 0.01 për qind të normës së interesit, duke e çuar atë në 9.29 për qind për bonot 12-mujore. Këto të dhëna flasin qartë se është tregu ai që nuk përmbush kërkesën e qeverisë për bono thesari. Nga ana tjetër, shuma e kërkuar nga qeveria nuk është shqetësuese, pra nuk tregon për një rritje të borxhit të brendshëm. Kërkesa e qeverisë në ankandin e 18 gushtit është ndër më të voglat e ankandeve 12-mujore të kërkuara gjatë këtij viti. Por, nuk janë vetëm bonot ato që tregojnë për mungesë likuiditeti. Obligacionet dyvjeçare që emeton qeveria kanë pësuar një rritje të frikshme interesi gjatë këtij viti. Në ankandin e gushtit, norma e interesit arriti në 9.55 për qind. Edhe në ankandin e obligacioneve qeveria ofroi 3.2 miliardë lekë për të financuar deficitin dhe bankat kërkuan 3 miliardë lekë, pra rreth 1.7 milionë euro më pak se sa oferta e qeverisë. Të dy këto tregues të muajit gusht tregojnë qartë se tregu nuk po arrin të përmbushë dot kërkesën e qeverisë për para. Nga ana tjetër, efekt kryesor i këtij fenomeni të krizës është rritja e normës së interesit. Në gusht të vitit të kaluar norma e interesit të bonove 12-mujore ishte 8.15 për qind. Sot kjo normë është 9.29 për qind, ose rreth 1.14 për qind më e lartë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me normën e interesit të obligacioneve 2-vjeçare. Në gusht të vitit të kaluar norma e interesit ishte 8.3, sot kjo normë është 9.55% ose 1.25 për qind më e lartë. Duke shtuar në këtë logjikë edhe uljen e normës bazë të interesit të parasë nga 6.25 në 5.75 për qind, rritje e interesave të borxhit dhe mungesa e mundësive të tregut për ta blerë atë, tregon qartë se në treg ka mungesë likuiditeti.
PS: Berisha të përgjigjet për financat e rrezikuara të vendit
Kryetari i PS-së Tiranë, Besnik Baraj, akuzoi kryeministrin Berisha për boshatisje të arkës së buxhetit të shtetit, duke rrezikuar kështu dhe projektet e nisura. “Ne sot e ripyesim publikisht Sali Berishën, pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhet gati t’i çojë për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke zhytur përditë e më shumë në borxh familjet dhe fëmijët e këtij vendi?”, u shpreh Baraj. Sipas tij, paratë e buxhetit të shtetit janë shpërdoruar në fushatën elektorale. “Përpara se sa t’i thotë vajzës që nxjerr në podium, se çfarë duhet të recitojë nga fjalori i tij vulgar kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, Sali Berisha duhet t’u thotë shqiptarëve nëse ia ka paguar faturën mbi 60 milionë euro të këtyre muajve të fundit firmës së rrugës së Kombit, apo nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka firmave të tjera të rrugëve të shqyera lartë e poshtë nëpër Shqipëri, apo s’ka çfarë paguan më, sepse arka e shtetit është zbrazur përpara dimrit të rëndë që i pret familjet e këtij vendi, për shkak të shpërdorimeve kolosale për pasurimin e oborrit të tij familjar dhe korrupsionin marramendës elektoral të 28 qershorit?”, u shpreh Baraj.