E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do ta mposhtë turpin Romina?



Intervistoi: Suela Furriku

Të rinjtë e Akademisë së Arteve po përjetojnë revolucionin në traditën e teatrit. Po orientojnë tregun drejt një aktrimi kompleks, duke thyer të gjitha tabutë e teatrit të socrealizmit. Detyrimisht të atij brezi që e mbajnë akoma në këmbë. Ja nga mosaftësia, ja dhe nga mungesa e informacionit, të qenit në korent të asaj çfarë qarkullon sot në tregun perëndimor të teatrit. Aktrim, kërcim, këngë në një personazh. Këtë eksperiencë që provohet për herë të parë, sepse për herë të parë po ndodh, na e tregon koreografia-studente Romina Kaso, në muzikalin, i cili do të shfaqet sonte në Akademinë e Arteve. Për herë të parë në historinë e kësaj shkolle studentët kanë harmonizuar të gjitha disiplinat e artit, atë të kërcimit, aktrimit, këngës, koreografisë, skenografisë etj. E gjithë kjo “bashkëjetesë”, sipas Rominës, sjell një pamje të re të balerinëve dhe punës së tyre si koreografë. “Me anë të aktrimit do të mposhtim turpin, për të nxjerrë zërin në skenë. Kjo për ne është diçka shumë e mirë dhe domethënëse, pasi do të mund të komunikoj me spektatorin jo vetëm me lëvizjet e gjymtyrëve, ashtu siç vepron një balerin, por edhe në mënyrë verbale, gjithnjë në kuadrin artistik”.

Kaso është vetëm një prej studentëve që kanë përgatitur këtë aktivitet të ndarë në tre akte të veçanta. Njëra prej pjesëve, aty ku aktron, kërcen, këndon edhe Romina si personazhi kryesor, është “Mama Mia”, një shfaqje e përzgjedhur rastësisht prej mediave elektronike si burimi i vetëm për të dhe kolegët e saj, në të njëjtin pozicion.

Romina mund të na flisni pak për veten, cila je, cilat janë dëshirat tuaja për teatrin?

Romina është një vajzë 22 vjeç. Jam studente në vitin e tretë në degën e koreografisë në Akademinë e Arteve. Kam mbaruar shkollën e baletit në vitin 2006 dhe gjithmonë më ka shoqëruar dëshira që në të ardhmen time të njihem si balerinë, por në të njëjtën kohë edhe si koreografe. Mendoj se gjatë gjithë këtyre viteve, dëshirës sime i kam kushtuar shumë punë dhe gradualisht kam përshtypjen se po ia arrij qëllimit tim.

Sonte është shfaqja e një koleksioni dashurie, ku ju keni një rol të rëndësishëm në disa prej pjesëve të këtij muzikali, si ndiheni?

Ndihem shumë e emocionuar. Nuk më ka ndodhur asnjëherë që të përjetoj kaq shumë emocione sa gjatë kësaj periudhe, duke qenë se për mua nuk është hera e parë që shfaqem në një skenë, sidomos në rastet ku luaja nëpërmjet punëve të të tjerëve, të koreografëve të tjerë, aty ku unë prezantohesha si balerinë. Ndërkohë që kësaj here jam vetë unë që zë rolin e tyre, dhe sot është puna ime e parë koreografike. Sonte për të parën herë do të dëgjohet emri im ashtu siç kam ëndërruar që në vogëli, një koreografe.

Ky është një provim semestral për ju, cila është pika juaj më e fortë me anë të së cilës do të korrni më tepër vlerësime?

Të them të drejtën, unë bashkë me kolegët e mi kemi punuar jashtë mase. Jemi lodhur dhe jemi sëmurë në të gjitha kuptimet. Mendoj se puna dhe vullneti që disponojmë të gjithë, do të sjellë atë që meritojmë në të vërtetë. Shpresoj të dëgjoj fjalë të mira dhe pozitive, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në stimulimin e një punë edhe më të mirë në vazhdimësi. Uroj që edhe nga pedagogia ime, Kozeta Bakiu, të marr sa më shumë vlerësime, fjalë të mira për këtë muzikal, pasi edhe ajo ka shpenzuar shumë energji për të dhënë një shfaqje të vërtetë përpara publikut.

Çfarë doni të thoni me frazën “jemi sëmurë në të gjitha kuptimet”?

Për shkak të punës intensive, trupi pavarësisht kalitjes graduale është sulmuar shpesh nga stresi, një gjendje emocionale e ulët. Mendoj se kjo është normale, sidomos para aktiviteteve, të cilat janë vendimtare në llojin e tyre. Kam një arsye të fortë për t’u sëmurë nga të gjitha kuptimet, pasi po jap një provim semestral.

Ndërkohë që sot ezauroni gjithë këtë punë, cilat janë pengesat më të mëdha me të cilat jeni përballur?

Vështirësitë janë pjesë e këtyre aktiviteteve, e sidomos nga fakti që kjo shfaqje është fillimisht një eksperiment. Nuk është parë asnjëherë në skenën e Akademisë së Arteve. Është një bashkëpunim mes studentëve të të gjitha degëve të kësaj shkollë. Çdo njëri prej nesh ka gjetur mundësinë që përveç paraqitjes së asaj çka ne po studiojmë prej disa vjetësh, të integrohemi edhe në disiplina të tjera të artit. Kështu, nuk ka rëndësi nëse unë apo një tjetër student po diplomohet në degën e koreografisë, apo aktrimit, por ndërthurja e talenteve tona do të japë atë që gjuhën e aktuale e perëndimore quhet muzikal. Sigurisht edhe vështirësia nuk ka munguar gjatë përgatitjes, sepse nuk është aspak e lehtë që ne të vihemi në pozitën e një aktori, skenografi etj. Megjithatë, me pak mundim dhe vullnet them se arrihet gjithçka.

Muzikali është i pjesëtuar në tri akte, ndërkohë ju luani tek pjesa “Mama mia”. Më tregoni diçka mbi rolin tuaj?

Unë luaj rolin e vajzës, Sofia, e cila jeton vetëm me nënën e saj në një ishull. Ëndrra e saj më e madhe është të takojë babain të cilin nuk kishte arritur që ta njihte dhe ta takonte asnjëherë. Për të, pra Sofian, rolin e prindërve e kishte gjetur vetëm tek nëna e saj. Në të njëjtën kohë ajo ishte edhe e dashuruar me një djalë, ku në shfaqje tregohet edhe momenti kur ajo merr iniciativën për tu martuar, pikërisht me të dashurin që e donte pa masë. Por, mbi gjithçka tjetër për të ishte vetëm nëna. Kështu, sakrifica për të ëmën bën që ajo të anulojë martesën dhe të qëndrojë më të, pasi në të kundërt ajo do të mbetej e vetmuar, pa asnjeri, dhe pa mbështetje. Sofia arrin të takojë edhe babin gjatë kohës që përgatitej dasma, por se si do të përfundojë ngjarja, le ta lëmë surprizë...

Ideja e gjithë kësaj historie është sakrifica, çfarë do të thotë për ju të sakrifikosh?

Në fakt, të sakrifikosh për mua ka një domethënie të madhe. Duhet të kem një arsye shumë të fortë që të shtyhem drejt një ndërmarrje të tillë, kryesisht për raste mjaft specifike. Do të sakrifikoja për dashurinë, në të gjitha pikëpamjet e saj. Nuk është fjala vetëm për pasionin sentimental mes partnerësh, por edhe shumë më gjerë, e cila mund të jetë ajo për familjen, miqësinë. Nëse do të gjendesha në pozita të tilla, të ngjashme, do të isha e gatshme për sakrificë. Kjo do të më bënte të ndihesha mjaft krenare, për veten, pasi ndjeja për mua është primare.

Ky muzikal është një risi për ju, ku konsiston veçanërisht e reja e këtij aktiviteti?

Po, është hera e parë që do të shohim një “bashkëjetesë” mes studentëve të gjinive të ndryshme të Akademisë së Artit në skenë, ashtu siç e theksova edhe më lart. Vetëm në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit jemi mësuar të shohim aktivitete të kësaj natyre, si e vetmja skenë në të cilën janë kultivuar. Muzikali është një mundësi e mirë për ne, studentët e koreografisë, për t’u afirmuar edhe më tepër seç mund të të ofrojë një degë e vetme studimi. Dua të tregoj se tek një student i vetëm janë të harmonizuara disa përgjegjësi, siç është ajo e kërcimit, koreografisë, aktrimit, skenografisë, ndriçimit etj. Unë bashkë me kolegët e mi na duhej të tregoheshim shumë të kujdesshëm në të gjitha këto drejtime, vetëm për të arritur në një qëllim të vetëm, të dalim sa më mirë dhe të mësojmë edhe nivelin tonë artistik. Duke pasur këto mundësi, “nesër” jemi më të fortë kundrejt tregut që na pret dhe sigurisht kemi më tepër akses, pasi përgatitja në të gjitha gjinitë që kërkon një skenë, të çon vetëm drejt një profesioni të kulluar dhe t’i mbijetojë kohës.

Si e komentoni këtë lloj bashkëpunimi? Çfarë do të na sillni të re në skenë?

Për herë të parë një balerinë ka gjetur rastin që të tregojë edhe një tjetër formë të të shprehurit. Nëse ai duhet të shprehet vetëm më anë të lëvizjeve të gjymtyrëve, kësaj here ne kemi mundësinë që të shfaqim përjetimet tona edhe nëpërmjet fjalëve, pra me anë të aktrimit, apo edhe e anasjella.

Di që materialet duhet t’i gjeni vetë, nga i merrni ato? Cilat janë burimet më të mira për ju?

Pjesa “Mama mia” vjen për herë të parë në Shqipëri si muzikal. Këtë pjesë e kam parë rastësisht në një emision në televizion. Që herën e parë që e pashë më bëri përshtypje, pasi aty luante edhe aktorja Merin Strip, e cila këndonte edhe këngët e “Abba”-ve. U konsultova bashkë me Ildën dhe Fajtonin, studentët me të cilët do të përgatisja pjesën. Mora një miratim nga ana e tyre dhe menjëherë filluam punën që me gjetjen e materialit. Kemi kërkuar shumë në internet dhe ka qenë e vështirë të gjejë material mbi këtë pjesë. Duke qenë se “Mama mia” është edhe film, jemi bazuar vetëm në historinë e këtij filmi, dhe këngët e Abba-ve, për t’i përkthyer ato më tej në një gjuhë koreografike, ndërthurur edhe me aktrimin. Të aktrosh është një pjesë shumë e rëndësishme. për të kuptuar më së miri pjesën. Për këtë më ka ndihmuar një student i vitit të tretë në degën e aktrimit, Elvi Shuku, i cili është treguar i gatshëm që të më ndihmojë jashtë mase edhe me skenarin dhe për mjeshtërinë e aktorit. Po ashtu edhe profesoreshë Kozeta ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në përgatitjen tonë, të cilën gjej rastin për ta falënderuar.

Po më thoni që keni ushtruar edhe rolin e një aktori, çfarë keni zbuluar nga aktrimi?

Na dukej shumë e vështirë. Fillimisht nuk pranuam që pjesët e provimit të ndërthureshin edhe me aktrimin, sepse është shumë e vështirë. Ndërkohë që me insistimin e prof. Kozetës, arritëm që të integroheshim në këtë fushë, edhe pse një disiplinë e huaj për ne. E theksova edhe më lart, që me anë të aktrimit do të mposhtim turpin për të nxjerrë zërin e tyre në skenë. Kjo për ne është diçka shumë e mirë, domethënëse, pasi do të mund të komunikoj me spektatorin jo vetëm me lëvizjet e gjymtyrëve, por edhe në mënyrë verbale, por në kuadrin artistik.

Çfarë është koreografia për ju?

Koreografia është gjithçka për mua. Është një profesion të cilit unë i kam kushtuar shumë lodhje dhe shpenzim të energjive, sepse jam tepër e lidhur me të. Është një pasion i pandashëm dhe kam përshtypjen se nuk do të dijë të venitet asnjëherë. Me anë të koreografisë tregoj ndjenjat e mia. Gjendjen emocionale dhe gjithçka që përjetoj e shpreh me gjuhën koreografike.

Çdo koreograf ka stilin e tij, çfarë do të dallojë ty nga të tjerët në këtë rast?

Stili që më karakterizon është ai kontemporan dhe sigurisht dhe ai neoklasik. Pavarësisht se baleti klasik është baza e këtij profesioni, unë më tepër orientohem drejt kontemporanes dhe neoklasikes. Kjo ndodh, sepse në këto dy rryma ndihem më mirë, më e plotë dhe e realizuar.

Shumë studentë të akademisë përveçse se janë shkollë, njëkohësisht edhe punojnë nëpër televizione, spektakle etj. Po tek ju, si qëndron ky aspekt?

Edhe unë si shumë studentë të tjerë, jam edhe në shkollë, dhe e punësuar në të njëjtën kohë. Jam e punësuar tek televizioni shqiptar në emisionin “Zig-Zag” bashkë me një shoqen time. Tani për tani i kushtoj rëndësi vetëm këtij emisioni, ndoshta më vonë do të pretendoj edhe për zgjedhje të përmasave më të mëdha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›