E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të menaxhohet buxheti i Shëndetësisë për 2009-ën

Autori i Lajmit: red.
Totali i shpenzimeve kapitale për Ministrinë e Shëndetësisë, i parashikuar në projektbuxhetin 2009, është 4.3 miliardë lekë, ose 22.9 % më shumë se viti 2008, duke u përqendruar në shërbimet kryesore shëndetësore, përmirësimin e infrastrukturës së kujdesit parësor, përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit të kujdesit dytësor (spitalet), ku një pjesë të konsiderueshme e zë Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Sipas projektbuxhetit, edhe këtë vit do të vazhdojë rikonstruksioni i mbi 23 ambulancave ekzistuese në rrethe të ndryshme të vendit, nga të cilat vetëm njëra prej tyre është projekt në vazhdim nga viti 2008. Në këto të dhëna nuk përfshihet ndërtimi dhe rikonstruksioni i amblulancave dhe qendrave shëndetësore, të cilat do të jenë objekt i shpërndarjes së grantit konkurrues. Krahas ndërtimit dhe rikonstruksionit të ambulancave dhe qendrave shëndetësore, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të alokuar për këtë program do të shkojë për kompletimin e tyre me pajisje, si dhe blerje aparaturash dhe pajisje mjekësore. Përmendim kompletimin me pajisje dhe aparatura bashkëkohore për poliklinikën e Paskuqanit, laboratorët kimikë-biologjikë, si dhe Qendrën e të Verbërve. Në këtë drejtim, kontribuojnë edhe projektet e financuara nga Banka Botërore dhe Qeveria italiane. Ky program në totalin e fondeve të parashikuara për Ministrinë e Shëndetësisë zë rreth 63 % të tij. Janë parashikuar ndërhyrje në rikonstruksionin e spitaleve ekzistuese, kurse ndërtimet e reja janë përqendruar kryesisht në shtesa aneksesh, apo ambientesh ndihmëse të spitaleve. Edhe këtë vit, do të vazhdojë financimi i rikonstruksionit të spitaleve rajonale si i atij të Korçës, spitali i Gjirokastrës, i Fierit, Delvinës, etj, ku, krahas ndërtimit dhe rikonstruksionit të tyre, është parashikuar dhe kompletimi me pajisje, si dhe blerja e aparaturave dhe pajisjeve mjekësore. Në projektbuxhet theksohet se në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë (QSUT) do të vazhdojë të ndërhyhet në rikonstruksionin e spitalit të Neurologjisë dhe spitalit të Pediatrisë, shoqëruar kjo edhe me blerjen e aparaturave mjekësore bashkëkohore për funksionimim normal të tyre. Një financim i rëndësishëm, në këtë program është dhe faza e dytë e projektit për ndërtimin dhe pajisjen e spitalit të Sëmundjeve të Brendshme (kredi e CEB). Gjithashtu, parashikohet të përfundojë dhe rikonstruksioni i Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi" në Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›