E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurset private, nxënësit denoncojnë mësuesit me anketa

Autori i Lajmit: red.
Të gjithë nxënësit e shkollave publike të rrethit të Fierit janë përfshirë në një anketim, i cili synon identifikimin e rasteve të presionit të mësuesve ndaj nxënësve për të marrë pjesë në kurse private. Drejtori i Drejtorisë Rajonale Arsimore të Fierit, Tahir Kastrati, ka thënë dje se “Nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe atyre të shkollave të mesme të arsimit publik u janë shpërndarë fletë anketimi, për të informuar nëse detyrohen nga mësuesit e lëndëve për të zhvilluar kurse private”. Anketimi ka nisur të aplikohet gjatë javës së kaluar për shkollat e qyteteve të Fierit, Patosit, Ballshit e Roskovecit dhe do të zhvillohet edhe në shkollat e fshatrave dhe zonave rurale të Fierit. Sipas drejtorit Tahir Kastrati, ka të dhëna për mjaft raste ku mësues të lëndëve të ndryshme ushtrojnë presion ndaj nxënësve për t i detyruar ata të regjistrohen në kurset e tyre private. “Anketimi në disa shkolla ka treguar se ka me dhjetëra mësues që ushtrojnë presion me notë dhe me aktivizim të nxënësve në orën e mësimit, vetëm e vetëm që ata të shkojnë në kurset që zhvillon mësuesi. Anketimi do të nxjerrë emrat e këtyre mësuesve", - pohoi Kastrati. Ai sqaroi se anketimi do të përfundojë javën e ardhshme dhe menjëherë pas kësaj do të nisë inspektimi në shkollat ku do të denoncohen rastet konkrete që do të shoqërohet dhe me masa ndëshkuese.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›