E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të ndahet ndihma ekonomike

Autori i Lajmit: Redaksia
Në drejtimin e Kryeministrit Berisha, pranë Këshillit të Ministrave, u zhvillua një mbledhje për ndihmën ekonomike dhe për strategjitë në luftën kundër mjerimit. Kreu u Qeverisë ka bërë apel që ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet, që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen, si shkollimi, librat, bursat për fëmijët, energjia dhe të gjitha aspektet e tjera të jetesës së tyre. “Nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha”. Sipas burimeve zyrtare pranë Qeverisë, diskutimet gjatë kësaj mbledhjeje u përqendruan në fillimin menjëherë nga puna të Grupit të Punës, i cili do të merret me reformimin e thellë të nevojshëm të sistemit të ndihmës ekonomike, me qëllim një efikasitet më të lartë në shpërndarjen e fondeve në këtë drejtim dhe luftën kundër përfitimeve të padrejta dhe informalitetin në dy grupe shoqërore në nevojë siç janë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Lidhur me këto aspekte u hodhën mendimet e ekspertëve të pranishëm në drejtim të rishikimit tërësisht të skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësisë së dixhitalizimit të listës së personave në ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar, fleksibilitetit më të madh në kriteret përcaktuese të kërkuara për përfitimin e ndihmës ekonomike, shqyrtimit të kuadrit ligjor në bazë të drejtësisë sociale, një rishikim dhe rihartim të programit të punësimit me interes komunitar me fokus tek këto kategori në nevojë si dhe domosdoshmërinë e një kontrollueshmërie më të lartë të skemës së ndihmës sociale ndaj kategorive përfituese. Kryeministri theksoi se fondet e çliruara nga rishikimi i skemës dhe shpërndarja më e drejtë e tyre duhet t’i shkojnë me përparësi përsëri këtyre zonave rurale me varfëri të thellë por duhet gjetur mënyra apo skema e duhur për këtë. Më tej, ai nënvizoi faktin se kategoria e nënave me shumë fëmijë jetimë në mënyrë absolute ka një trajtim të papranueshëm dhe se duhet rishikuar se në cilat aspekte do i jepet ndihma kësaj kategorie, ndihmë e cila duhet të konsistojë jo vetëm për librat e shkollës por edhe për ilaçet dhe për të gjitha ato aspekte për të cilat këto grupe në nevojë nuk përgjigjen dot. Pra, thënë ndryshe, ndihma financiare do të shtrihet më gjerësisht si dhe do të reformohen kushtet e kërkuara në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm çlirimin e fondeve të cilat do t’i shkojnë komunave dhe zonave më të varfra, si mënyra më efikase për luftën kundër varfërisë dhe mjerimit. Në këtë aspekt, duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve, shpërdorimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Financave, zoti Bode veçuan faktin se janë gjetur këshilla ku të gjithë këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike duke e ndarë atë mes tyre, dukuri kjo e papranueshme.

Pjesëmarrësit

Në mbledhje merrnin: Ridvan Bode, Ministër i Financave, Spiro Ksera, Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka Zv/Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Evelina Koldashi, Drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, të lidhura me iniciativën e ndërmarrë nga MPÇSShBarabarta për përmirësime në Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”.

Ky lajm është publikuar: 08/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›