E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si drejtohen me SMS debatet elektorale të kandidatëve të PD-së

Ekspertë të fushës ndihmojnë kandidatët në përgjigje. Hartohen paraprakisht materiale me të dhëna për kandidatët

Eljona Ballhysa
Zhvillimi i teknologjisë mediatike ka zgjeruar së tepërmi mundësitë e zhvillimit të fushatës elektorale. Ajo që ka mbizotëruar gjatë kësaj fushate është përdorimi në maksimum i hapësirave televizive për shpalosjen e programeve elektorale dhe përballimin e debateve të kundërshtarëve politikë. Për zhvillimin e debateve televizive midis kandidatëve të partive rivale, Partia Demokratike ka hartuar një strategji të mirëfilltë në mënyrë që kandidatët të paraqiten sa më të përgatitur në emisionet televizive. Burimet kanë bërë të ditur se prej kohësh në selinë blu funksionojnë dy grupe ekspertësh. Njëri grup harton, sipas fushës, një material informues me të dhëna për kandidatët e ftuar në emisione, ndërsa grupi tjetër i ndjek, nëpërmjet televizionit, këto emisione dhe dërgon informacion e përgjigje të gatshme për kandidatët nëpërmjet mesazheve telefonike.
Kontrolli
Burimet kanë bërë të ditur se këto grupe ekspertësh që funksionojnë në selinë blu përbëhen nga ekonomistë, juristë, këshilltarë apo nëpunës të administratës shtetërore që kanë informacion për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria. Sigurisht, në ndihmë të tyre vjen dhe informacioni që merret me një të klikuar nëpërmjet internetit në kohë reale, kur xhirohen dhe transmetohen emisionet televizive. Për shkak se të tilla programe televizive transmetohen direkt është shumë e nevojshme që të kesh një mbështetje nga jashtë për kandidatët e pranishëm në panel, pasi pyetjet shpeshherë mund të të gjejnë të papërgatitur. Për këtë qëllim kandidatët janë lejuar të mbajnë hapur telefonin celular për të marrë mesazhe, pasi dhe koha për ta është e kronometruar dhe në një minutazh të shkurtër duhet të japësh sa më shumë informacion dhe të dhëna për publikun. Teknologjia telefonike dhe ajo televizive në të tilla emisione janë të ndërthurura më së miri për të ardhur në ndihmë zhvillimit të fushatës elektorale.
Procesi
Grupet e ekspertëve, ndërsa ndjekin drejtpërdrejt emisionet televizive, reagojnë duke dërguar SMS me informacion, të dhëna, këshilla dhe batuta për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve për deputetë. Ndaj dhe kandidatët e PD-së, në të tilla emisione paraqiten jo vetëm me dosje të dhënash të detajuara, por kanë në dispozicion përdorimin e telefonit celular gjatë kohës se zhvillimit të emisionit. Ata janë të informuar të përgjigjen për çdo pyetje apo provokim të kundërshtarit. Madje, në momentet e minutazhit të publicitetit kandidatët komunikojnë jo vetëm nëpërmjet mesazheve telefonike, por edhe nëpërmjet telefonatave direkt nga grupi i ekspertëve. Burimet bëjnë të ditur se të tilla emisione debati ndiqen edhe nga kryeministri në rastet kur nuk është i angazhuar me aktivitete të tjera dhe shpeshherë u dërgon SMS kandidatëve të tij për të dalë nga situata apo për të sulmuar rivalin politik në mënyrë që të tregojë epërsi ndaj tij. E gjithë kjo strategji nuk bën gjë tjetër veçse kontrollon drejtimin e debateve politike në mënyrë që PD-ja të dalë më mirë sesa kundërshtarët politikë, ndërsa kandidatët e kësaj partie të paraqiten më të përgatitur se rivalët. Nëpërmjet ndihmës që marrin nga jashtë kandidatët shpeshherë dalin në këto debate më të përgatitur sesa mbase janë në të vërtetë. Kjo rrit besimin e elektoratit tek ta dhe është një reklamë pozitive që ata i bëjnë vetes në këto debate televizive.

Strategjia

Një grup pune harton materialet informuese me të dhëna për kandidatët e ftuar në debate televizive

Një grup tjetër ndjek nëpërmjet televizionit kandidatët dhe i dërgon atyre informacion dhe të dhëna me SMS

Kandidatët përdorin gjatë gjithë transmetimit të emisionit telefonat celularë dhe kanë gati përgjigjen ndaj rivalit politik

Përgjigjet jepen me informacion të detajuar, me shifra dhe me batuta të spikatura

Teknologjia televizive dhe telefonike ndihmon në paraqitjen e mirë të kandidatëve në debatet televizive dhe është një formë mbizotëruese e fushatës zgjedhore 2009

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›