Kartat, partitë e opozitës shprehin shqetësime serioze
Partitë e opozitës kanë vijuar të shprehin shqetësime për çështjen e pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësim për fatin e 500 mijë kartave të identitetit, të cilat nuk po tërhiqen ende nga shtetasit që kanë aplikuar, ndërkohë që Partia Demokracia Sociale ka bërë thirrje për organizimin e një tryeze të përbashkët të partive politike për të zgjidhur krizën e kartave. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka kërkuar hetim serioz për 500 mijë kartat që janë deklaruar nga ministri Bujar Nishani si të patërhequra. “LSI-ja i vlerëson shumë shqetësuese deklaratat e ministrit të Brendshëm për rreth 500 000 karta identiteti të patërhequra ende. Ky fakt është shumë serioz dhe mbi të duhet të hetohet menjëherë nga Drejtësia, por edhe nga partitë politike, sepse është paradoksale dhe e dyshimtë që këta qindra mijëra qytetarë që kanë shpenzuar paratë dhe kohën e tyre nuk e gjejnë të udhës të tërheqin karta e tyre. Situata bëhet edhe më serioze realisht, sepse duke u shtuar këtyre 500 000 votuesve edhe mijëra qytetarë, të cilët për arsye të keqfunksionimit të sistemit të aplikimit nuk kanë aplikuar ende, do të thotë që më shumë se gjysma e qytetarëve votues të Shqipërisë do t’i mungojë procesit të votimit duke kompromentuar shumë rëndë besueshmërinë e tij. Ne i kërkojmë gjithashtu misionit të posaçëm vëzhgues të OSBE- ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit që të luajë rolin e tij lidhur me këto dy fakte të një rëndësie shumë të madhe për fatin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri”, - tha Vasili. Ndërkohë, sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, u bëri thirrje partive politike që të ulen në një tryezë të përbashkët. “Për ne kjo maxhorancë ka përgjegjësinë e saj madhore për faktin se procesi i ndarjes së letërnjoftimeve është shndërruar në një betejë me kohën, ndërsa ekzistonin të gjitha mundësitë për ta nisur atë më shpejt, për ta bërë më transparent dhe më gjithëpërfshirës. Në këto kushte, Partia Demokracia Sociale u bën thirrje partive politike të takohen në një tryezë të përbashkët për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për votimin e çdo shqiptari më 28 qershor. Kjo tryezë apo çdo konsultë ndërpartiake do të tregojë përgjegjshmërinë e forcave politike që garojnë për të qeverisur vendin”, - tha ai.
9 Qershor 2009