E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në Itali, ja si të aplikoni për bursë

Studentët shqiptarë që duan të vazhdojnë në Itali universitetin, mund të përfitojnë bursa dhe të përjashtohen nga taksat. 

zirina llambro

Për të legalizuar dokumentet e nevojshme për këtë proces, nuk është e nevojshme që kandidatët të paraqiten personalisht në ambasadë. Ata mund t’i nisin dokumentet e nevojshme me anë të shërbimit postar “Union Expres”. Në të njëjtën mënyrë mund të tërheqin dokumentet. “U kujtojmë të gjithë studentëve të regjistruar apo në fazë regjistrimi pranë universiteteve italiane, se studentët e huaj që nuk i përkasin Bashkimit Evropian mund të kenë akses, njëlloj si studentët italianë, në shërbime dhe përfitime për të drejtën e studimit (si bursa studimi, përjashtim të plotë apo të pjesshëm nga pagesa e taksave dhe kontributeve universitare”, bëri me dije me anë të një deklarate për mediat ambasada italiane. Sipas këtij institucioni, studentët e regjistruar apo në fazë regjistrimi pranë universiteteve italiane, që duan të legalizojnë dokumentet për të fituar bursa studimi apo përjashtme nga taksat dhe kontributet universitare, mund të paraqesin, si zakonisht, pranë agjencisë më të afërt të korrierit të Union Ekspresit (Union Net – Western Union) dokumentacionin për t’u legalizuar. “Agjencia do të përcjellë dokumentacionin në ambasadë dhe do t’ia kthejë të interesuarit pasi të jetë legalizuar. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë”, sqaroi zyra e shtypit të ambasadës. Për studentët e regjistruar është e detyrueshme t’u bashkëngjisin dokumenteve për legalizim vërtetimin e regjistrimit në universitet për vitin akademik 2007-2008. Për të gjithë studentët me banim në Tiranë shërbimi kushton 250 lekë, ndërsa për pjesën tjetër të juridiksionit konsullor tarifa është 400 lekë. “Për të njohur zyrën e ‘Union Ekspres’-it më të afërt me banesën tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2242813 dhe 04 2263407. Pasi të mbërrijnë në Itali, studentët mund të paraqesin dokumentacionin e legalizuar në zyrat kompetente të universitetit italian, pranë të cilit janë regjistruar, për të përfituar nga shërbimet dhe ndërhyrjet për të drejtat e studimit (si bursa studimi, përjashtim të plotë apo të pjesshëm nga pagesa e taksave dhe kontributeve universitare”, njofton ambasada. Ajo bën me dije se lajmërimet dhe skadencat janë publikuar në faqen internetit të Ministrisë së Arsimit, Universitetit dhe Kërkimit (www.miur.it në seksionin “studentët dhe e drejta e studimit”) dhe në faqet e çdo universiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›